TIRANË- Komisioni Qendor i Zgjedhjeve shqyrton sërish sot kandidaturën e Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, për Kurbinin, pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, i cili vendosi që të shfuqizojë vendimin e KQZ-së. Por ky vendim ka sjellë debate të ashpra në mbledhjen e sotme mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në KQZ. Pas pas debateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka votuar kundër dorëheqjes së kandidatit të PD, Altin Biba, nga gara për kryetar Bashkie në Kurbin. Për Bibën u votua me 4 vota kundër dhe 3 pro. Ndërkaq, KQZ nuk regjistroi kandidatin Ilir Pjetraj, i cili u porpozua për zëvendësimin e Bibës për Kurbinin.

Gjatë debateve të sotme, ërfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj tha se veprimet që ka kryer KZAZ në Kurbin, e cila ka regjistruar edhe kandidatin e djathtë Ilir Pjetraj duhet të shpallen të pavlefshme.

“Mendimi ynë është që të gjitha veprimet që ka kryer KZAZ respektive pas datës 7 maj janë nul”. Por nuk ka qenë i këtij mendimi, Ivi Kaso, përfaqësuesi i të djathtëve i cili tha se kjo çështje është ezauruar me vendimin e Kolegjit Zgjedhor.

“Nuk është ky momenti në të cilin të përballen argumentet. Sigurisht kemi qëndrime të kundërta. Për këtë arsye u përballëm edhe në Kolegj Zgjedhor. Por sot praktikisht kjo çështje e ezauruar”, tha Kaso.

Ndërkohë debate dhe tone të larta pati edhe ndërmjet anëtarit të djathtë të KQZ-së Klement Zguri dhe kryetares Lefterie Luzi. Zguri kërkoi njohjen e vendimit të KZAZ për dorëheqjen e Altin Bibës nga gara për kryetar të Bashkisë Kurbin. Ai tha se KQZ po i jep fitoren në tavolinë subjekteve zgjedhore. Ndërsa Luzi kërkoi shqyrtimin e kësaj çështjeje nga të gjitha anët. Ndërkohë anëtari i PS-së në KQZ kërkoi që dorëheqja e kandidatit të parë të APPD të shpallet e pavlefshme dhe ai të mbetet në garë, duke mos regjistruar në këtë mënyrë kandidatin Ilir Pjetraj. Por anëtarët e djathtë të KQZ-së deklaruan se ky vendim penalizon subjektin dhe qytetarët.

Zguri: Ku është procesi konkurues kur njësia administrative në fjalë ka një kandidat? Biba, në datë 9 ka një dorëheqje të parevokueshme. Ka tre javë kur s’kemi asnjë përgjigje. E kemi marrë të gjithë me lehtësi. Ku është e drejta e kandidatit për 30 ditë fushatë? Është njësoj si ti japim tjetrit zgjedhjet në tavolinë. Ngelem me të njëjtin mendim si në mbledhjen e parë. Do të kërkoja njohjen e vendimit të KZAZ të dorëheqjes së kandidatit dhe pranimin e regjistrimit të kandidatit tjetër.

Lefterie Luzi: Jo me kaq patos atë që i kërkon KQZ. Jini të kujdesshëm me ato që i kërkoni kësaj tavoline. Ta shikojmë konkurueshmërinë nga të gjitha anët, jo nga ajo anë që e shikoni ju. Ku është kjo forcë politike që kandidon njerëz që dorëhiqen brenda ditës, brenda natës? Subjektet zgjedhore kur të sjellin kandidatët në bashki të mendohen mirë, se njerëz të tillë përderisa japin dorëheqjen s’është i aftë. A ka përgjegjësi për kandidatët që zgjedhin? Ky s’është vetëm faji i KQZ. Kthehemi tek vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Thotë se KQZ nuk e ka marrë në shqyrtim dorëheqjen e kandidatit. Do ti kthehemi vendimit të dorëheqjes të Altin Bibës. Për sa i përket çështjes së kandidatit është e shqyrtuar tashmë.

Vera Shtjefni: KQZ nuk ka ç’të bëjë tjetër përveçse të pranojë dorëheqjen dhe të regjistrojë kandidatin.

Lefterie Luzi: Përpara se të shkojmë tek afati dhe tek regjistrimi, duhet të ndalemi tek dorëheqja. Pavarësisht se kjo KZAZ e ka pasur dokumentacionin për tërheqjen e kandidatit nuk e ka shqyrtuar.

Denar Biba: Ne duhet të diskutojmë në lidhje me ligjshmërinë e dorëheqjes dhe kjo është e lidhur edhe me zgjidhjen e çështjes. Nëse ne pranojmë që dorëheqja është e ligjshme, atëherë vijojmë me zëvendësimin e kandidatit. Nëse dorëheqja është e paligjshme atëherë mbetet. Kemi boshllëk ligjor në lidhje me faktin nëse dorëheqjet janë të mundshme apo jo. Mendoj se dorëheqja e Bibës është e pavlefshme. Më mirë i japim drejtim sot kësaj çështjeje dhe themi se dorëheqjet nuk pranohen dhe zotëria Altin Biba mbetet atje dhe mbyllet ky diskutim.

Vera Shtjefni: Që të mbërrish në vendim ligjore duhet të kesh një bazë ligjore. Me këtë zgjedhje që mendoni ju ti jepni çështjes, nuk penalizohet kandidati, sepse është tërhequr por penalizohet subjekti, koalicioni. Por nga ana tjetër është penalizmi që i bëjmë të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur.

KQZ, 3 projekte për zgjedhjet: Kamera sigurie në Lundër, harta zgjedhore për QV-të dhe informacion online për listat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka prezantuar sot tre projekte të reja në mbështetje të procesit zgjedhor 2015. Bëhet fjalë për tre risi që kanë të bëjnë me instalimin e kamerave të sigurisë në Lundër ku do të administrohen materialet e votimit, harta zgjedhore dhe informacion online për listat.

Në projektin e kamerave në Lundër, KQZ për të ofruar transparencë për të gjitha partitë ka mundësuar pajisjen me kamera sigurie të ambienteve të magazinave në Lundër ku administrohen materialet zgjedhore dhe fletët e votimit.

Projekti i hartave zgjedhore bën të mundur informacionin e detajuar mbi zonat e qendrave të votimit, zonat e administrimit zgjedhor, bashkitë, njësitë administrative përbërëse etj

Dhe projekti i tretë ka të bëjë me informacionin online mbi regjistrimin e listave shumë emërore dhe kandidatëve për kryetar Bashkie. Ky aplikacion tregon hartën ku paraqiten kandidatët të cilët konkurrojnë për kryetar Bashkie dhe Këshillin Bashkiak, siç paraqiten në fletën e votimit në secilën bashki. Harta përdor të dhënat e paraqitura në KQZ nga subjektet politike dhe listat e regjistrimit të kandidatëve.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb