Nga: VJOLLCA KONGJONI*TIRANE-Bankat private në vend nuk mund të abuzojnë më me kredimarrësit. Me rregulloren e re të Bankës së Shqipërisë qytetarët që marrin një kredi do të jenë më të mbrojtur. Me miratimin e kësaj rregulloreje, bankave të nivelit të dytë në vend u kërkohet të jenë transparente për çdo komision apo interesin e kredive që duhet të paguajnë kreditorët.

Bëhet fjalë për kreditë konsumatore dhe ato që merren për shtëpi apo për pasuri të tjera të paluajtshme. Bankat duhet të paraqesin në mënyrë të rregullt të gjithë informacionin e nevojshëm përpara se të marrin një kredi duke u njohur me të gjitha ato kosto që janë kosnideruar si të fshehura. Pra si për normën reale të interesit ashtu edhe çdo llojë komision që ata do të paguajnë për kredinë. Konsumatori ka të drejtën të marrë të gjitha njohuritë përpara lidhjes së kontratës, duke pasur mundësinë të zgjedhë edhe ofertën më të mirë në tregun bankar. Rregullorja e re e Bankës qëndrore detyron gjithashtu bankat të njoftojnë klientët edhe në rast të mosmiratimit të kredisë duke shpjeguar edhe arsyet përkatëse. Rregullorja u jep të drejtën individëve të tërhiqen nga kredia edhe pasi e kanë nënshkruar kontratën me bankën qoftë edhe pa dhënë shpjegime.

Për kredinë konsumatore qytetarët kanë të drejtë të tërhiqen deri në 14 ditë pas nënëshkrimit të kontratës ndërsa për kreditë për shtëpi apo pasuri të tjera imobiliare afati është vetëm një javë. Nëse më parë bankat vendosnin komisione pa një limit ligjor tashmë ato nuk mund t’i detyrojnë klientët të paguajnë më shumë se 2 për qind të vlerës së kredisë, nëse ata duan ta shlyejnë huanë përpara afatit të rënë dakord në kontratën e kredisë.

Subjekte të kësaj rregulloreje janë bankat, degët e bankave të huaja, të cilat ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Shqipëri si dhe subjektet financiare jobanka që ushtrojnë veprimtarinë financiare të kredidhënies, në përputhje me licencën e lëshuar nga Banka e Shqipërisë.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb