Më 22 tetor e moshuara Fatime Gashi tentoi të vetëdigjej në mes të Durrësit, motivi 1 mln lekë të vjetra kredi. Historia e saj prekëse erdhi sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 të autores dhe moderatores Evis Ahmeti.

Nga shtrati i spitalit, Fatimeja tregoi peripecitë e saj për të paguar kredinë, teksa u ndje e pashpresë aq sa ndërmori aktin ekstrem për t’i dhënë fund jetën në një mënyrë shumë të rëndë.

Teksa mezi fliste, gruaja tha se i ka të djegura të dyja këmbët dhe gjendja e saj nuk është e mirë.

“Kam marrë një kredi. Për 6 muaj e pagova rregullisht. Më pas, nuk munda ta paguaja. Jam te Plastika aktualisht. I kam djegur të dyja këmbët, sidomos këmbën e djathtë e kam problem. Erdhi doktori dhe e mjekoi dhe nuk është mirë. Jam sëmurë, kam kaluar edhe trompozë. Vetëm djali punon në familje dhe unë që kam pension 90 mijë lekë. Djali është i divorcuar dhe ka një vajzë. Mua vetëm ilaçet më bëjnë 250 mijë lekë në muaj. Djali mundohet për punë, ndërsa vajza është me burrin e vet. Kredia më bëri gropën, se më bënin presion që ose paguaj kredinë ose do të çojmë në gjykatë”, deklaroi e moshuara.

Ajo tha se nuk shikon asnjë shpresë për të jetuar.

“Banka më merr në telefon dhe tani në spital për t’i paguar. Isha e detyruar të merrja kredinë sepse nuk blija dot ilaçe. Kam dhe 6-7 muaj kredi për të larë. Nuk e di çfarë do bëj. Doja të vdisja. Djali nuk më ndihmon dot”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb