NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Bankat e nivelit të dytë kanë gjendje në pasuri të paluajtshme, prona të bllokuara nga kolateralet e kredive të pakthyera 22 miliardë lekë ose 200 milionë dollarë. Bllokimi i lekëve ose valutës në pasuri të paluajtshme ka disa efekte negative, por dy prej tyre janë më të rrezikshme për sistemin financiar. I pari është rreziku i rënies së çmimit të këtyre pasurive gjatë kohës që mbahen nga bankat duke ulur shumën e përfituar nga shitja dhe i dyti mbajtja e këtyre pasurive ka kosto dhe rritja e tyre sipas Bankës së Shqipërisë mund të ndikojnë negativisht likuiditetin e një banke.

Të dhënat janë bërë publike në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë për stabilitetin financiar, i cili bën të ditur se nëse në vitin 2012 bankat zotëronin prona të paluajtshme me vlerë 5 miliardë lekë, në fund të vitit 2015 vlera arriti në 22 miliardë lekë.

RAPORTI
Banka e Shqipërisë bëri të ditur dje se vlera e kolateraleve në pronësi të bankave, pasi kanë dështuar shitjet nga përmbaruesit, është rritur ndjeshëm më 2015. Tetë janë llojet kryesore të rrezikut që lidhen me veprimtarinë bankare: Rreziku i kredisë; rreziku i normës së interesit; rreziku i likuiditetit; rreziku i çmimit; rreziku operacional; rreziku i përputhshmërisë; rreziku strategjik dhe ai reputacional. Ndërkohë që rreziku i çmimit përbën rrezikun kryesor që Ornela Manjani lidhet me pasuritë e paluajtshme.

Një rënie e çmimit të pasurive të paluajtshme, gjatë periudhës së mbajtjes në bilanc, mund të zvogëlojë si vlerën e aktivit në bilanc, ashtu edhe të ardhurat që mund të realizohen nga shitja e kolateralit pasuri e paluajtshme. Njëkohësisht, një shitje në masë e këtyre kolateraleve nga ana e bankave (fire sale) mund të dëmtojë rëndë tregun e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar jo vetëm mbi të ardhurat e bankës, por edhe mbi vlerën e kolateraleve pasuri e paluajtshme të pranuar gjatë procesit kredidhënës, me pasoja në cilësinë e portofolit të kredisë dhe nivelit të mjaftueshmërisë së kapitalit.

Banka e Shqipërisë thekson se politikat operacionale dhe procedurat që lidhen me këto lloj aktivesh mund të kontribuojnë në shtim të rrezikut operacional, duke rezultuar në të ardhura më të ulëta nga kolateralet në pronësi dhe shpenzime të larta; përpjekje joadekuate dhe joefektive shitjeje, prishje/shkatërrim të kolateralit/ eve, humbje jo të njohura dhe norma më të ulëta rikuperimi.

Rreziku i mospërputhshmërisë së bankës me detyrimet ligjore për administrimin e pronave, mund të shoqërohet edhe me cenim të reputacionit të saj në marrëdhënie me konkurrentët apo me klientët, lajmëron Banka e Shqipërisë.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: