TIRANE- Bankat e nivelit të dytë kanë përqendruar portofolin e kreditë në të njëjtët sektorë. Niveli i ngjashmërisë rezulton më i lartë, kur në aplikim përfshihet faktori risk, i përfaqësuar nga raporti i huave me probleme. Studimi i posaçëm për këtë çështje i ekspertëve të Bankës së Shqipërisë vë në dukje se diversifikimi i ulët i sektorit bankar shqiptar e ekspozon sektorin ndaj goditjeve të mundshme, të cilat mund të cenojnë qëndrueshmërinë financiare. Sipas raportit të bankës, nisur nga ngjashmëria e lartë që karakterizon sektorin bankar shqiptar, kërkohet monitorim i kujdesshëm i investimeve me rrezik, të ndërmarra në sektorë të njëjtë.

Sipas studimit mësohet se, pavarësisht madhësisë së bankave, portofolet e kredisë janë të ngjashme. Sektori në të cilin është përqendruar më shumë kredidhënia e bankave është sektori i tregtisë, riparimit të automjeteve dhe artikujve shtëpiakë, me rreth 23.4% të totalit të sektorit bankar. Sektorët më të ekspozuar ndaj rrezikut të kredisë, rezultojnë sektori i tregtisë, ndërtimit, industria përpunuese, transporti dhe kredia konsumatore, të cilët karakterizohen nga një nivel i ulët i koeficientit.

“Si rezultat i marrëdhënies së ndërsjellë të kredive me probleme, këta sektorë rezultojnë me një nivel të lartë të raportit të kredive me probleme”, thuhet në studim. Nisur nga kjo logjikë, ngjashmëria mes çifteve të bankave për këta sektorë, duke marrë parasysh rrezikun e kredisë, paraqitet e lartë. Struktura sektoriale e ekonomisë së vendit, evidenton disa sektorë specifikë, të cilët kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike. Zgjerimi i tyre me ritme të shpejta në vite, mbështetur nga kushtet e favorshme makroekonomike dhe kërkesa e lartë e brendshme, kanë bërë që këta sektorë të jenë tërheqës për orientimin drejt tyre të investimeve të sektorit bankar.

Ndër këta sektorë përmendim: sektori i industrisë nxjerrëse, prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, ndërtimit, transportit dhe bujqësisë. Kjo ndarje i referohet grupimit të biznesit, megjithatë, mbështetje me financim ka pasur edhe grupimi i individëve, konkretisht me kredinë konsumatore dhe me atë për blerje të pasurive të paluajtshme.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: