Nga: OLA MITRE*TIRANE-Rreth 700 ankesa janë depozituar nga mjekët, stomatologët dhe farmacistët që nuk kanë plotësuar numrin e kërkuar të krediteve, pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim. Ankesat janë depozituar deri në datën 30 prill, kur ishte edhe afati i fundit i vendosur nga Bordi i Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë, ndërkohë që sipas përfaqësuesve të QKEV-së rezultatet përfundimtare do të shpallen në ditët e para të javës që vjen. Pjesa më e madhe e ankesave iu takon mjekëve dhe dentistëve, ndërkohë që pas shqyrtimit të tyre nuk do të ketë më një mundësi të dytë për ata që s’kanë përmbushur detyrimet. Kjo do të thotë se të gjithë ata profesionistë të shëndetësisë që do të rezultojnë me zero kredite ose që nuk kanë mundur të grumbullojnë numrin e kërkuar sipas ciklit të parë të ricertifikimit (150 kredite mjekët dhe nga 100 kredite stomatologët dhe farmacistët) do të duhet të përballen me sanksione të parashikuara në vendimin me nr.295, datë 08.07.2014, të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Sipas këtij vendimi, atyre profesionistëve, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Këta profesionistë rifitojnë të drejtën për t’u punësuar dhe licencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Profesionistët me më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por ndërkohë duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve vendi i punës iu bëhet vakant dhe iu pezullohet licenca. Për profesionistët e sektorit privat, që në përfundim të ciklit të parë kanë 0 kredite, urdhri profesional përkatës pezullon licencën, pas njoftimit nga QKEV. Këta profesionistë fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. Ndërkohë që, profesionistët e sektorit privat që kanë më shumë se 0 kredite, por më pak se limiti i kërkuar do të vazhdojnë punën, por duhet të japin provimin e shtetit brenda 6 muajve, që prej ditës kur njoftohen nga QKEV. Në të kundërt, pas 6 muajsh, edhe këtyre profesionistëve iu pezullohet licenca.

Ata fitojnë të drejtën për t’u rilicencuar vetëm pas dhënies së provimit të shtetit. RREGULLORJA Ndërkaq, në mbledhjen e 3 javëve më parë të Bordit të Ricertifikimit dhe Akreditimit të Profesionistëve të Shëndetësisë është miratuar dhe rregullorja e provimit të ricertifikimit, të cilit do t’i nënshtrohen të gjithë ata profesionistë që nuk kanë mbledhur numrin e kërkuar të krediteve gjatë ciklit 5- vjeçar (150 kredite mjekët dhe nga 100 kredite farmacistët dhe stomatologët). Sipas rregullores, të cilën “Gazeta Shqiptare” e publikon sot të plotë, nga ky detyrim do të përjashtohen profesionistët e punësuar në shërbimin publik shëndetësor, të cilët për 2 vjet ose më pak arrijnë moshën e pensionit. Po ashtu, përjashtohen dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2 vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit. Kjo do të thotë se ata mjekë, dentistë dhe farmacistë që janë licencuar pas datës 1 janar 2012 nuk do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit. Po ashtu, rregullorja saktëson se profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: