Kremlini ka mohuar raportet e mediave turke që sugjerojnë se Asma al-Assad, gruaja e lindur në Britani e liderit të rrëzuar sirian, Bashar al-Assad, po kërkon një divorc dhe shpreson të kthehet në Londër.

Bashar al-Assad u arratis drejt Moskës në fillim të këtij muaji, pasi një përparim i rrufeshëm i rebelëve i dha fund sundimit 50-vjeçar të familjes së tij.

Në një deklaratë që i atribuohet Bashar al-Assad në Telegram, ai më vonë këmbënguli se largimi i tij nga Siria nuk ishte planifikuar, por se ai ishte detyruar të largohej pasi pozicioni i tij në një bazë ajrore të kontrolluar nga Rusia ishte “nën sulm të intensifikuar nga sulmet me dron”.

Familja e tij ka pasur prej kohësh lidhje me Moskën, me të afërmit që kanë blerë prona në vlerë prej dhjetëra milionë dollarësh në Rusi gjatë viteve.

Të hënën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë gjithashtu raportet e mediave turke që sugjeronin se Assad ishte izoluar në Moskë, ndërsa pasuritë e tij i ishin ngrirë.

“Jo, këto informacione nuk korrespondojnë me realitetin”, tha Peskov.

Mediat shtetërore ruse nuk kanë publikuar ende asnjë foto të Assadit brenda vendit, duke lënë të kuptohet se Moska është kujdesur për ta mbajtur atë jashtë vëmendjes mediatike, ndërsa po tenton të krijojë lidhje me udhëheqjen e re të Sirisë.

E lindur në Mbretërinë e Bashkuar në 1975 nga prindër me origjinë nga Siria, Asma al-Assad, 49 vjeç, u rrit në Acton, Londrën perëndimore. Ajo la punën e saj si bankiere investimesh në vitin 2000 për t’u martuar me Asadin.

Në vitin 2011, disa javë përpara se aktivistët pro-demokracisë të fillonin të dilnin në rrugët e Sirisë, Vogue publikoi një profil të saj tashmë të hequr të titulluar “Një trëndafil në shkretëtirë”.

Në vitin 2020, SHBA vendosi sanksione ndaj Asadëve dhe disa prej të afërmve të tyre, me sekretarin e atëhershëm të shtetit, Mike Pompeo, duke e përshkruar masën si një përpjekje për t’i dhënë fund “luftës së panevojshme, brutale” të regjimit kundër popullit sirian.

Ndërsa asetet e saj në Mbretërinë e Bashkuar u ngrinë në mars 2012, ajo ruan shtetësinë britanike. Në fillim të këtij muaji, sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, bëri të qartë se ajo nuk ishte e mirëpritur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb