Kremlini njoftoi sot se do të kundërshtojë sekuestrimin e aseteve ruse në Finlandë, pas raportimeve se autoritetet finlandeze kanë filluar të konfiskojnë pronat që i përkasin Moskës në përgjigje të kërkesave të Ukrainës për kompensim, transmeton Anadolu.
“Sigurisht që këtë vendim do ta kundërshtojmë në gjykatë. Federata Ruse do të mbrojë interesat e saj pronësore dhe do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për të mbrojtur ato interesa”, u tha gazetarëve në Moskë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Të hënën, kompania kombëtare e naftës dhe e gazit e Ukrainës “Naftogaz” zbuloi se një gjykatë në Helsinki ka bllokuar disa asete ruse në Finlandë të vlerësuara në vlerë “dhjetëra milionë dollarë”. Ky veprim është pjesë e strategjisë së Naftogazit për të rikuperuar humbjet e shkaktuara nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Në prill 2023, Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë vendosi që Rusia duhet t’i paguajë Naftogazit më shumë se 5 miliardë dollarë.
“Meqenëse Rusia refuzon të paguajë vullnetarisht kompensimin e përcaktuar nga vendimi i Hagës, ne vazhdojmë të përdorim të gjithë mekanizmat e disponueshëm për të rikuperuar këto fonde”, citohet të ketë thënë të hënën shefi ekzekutiv i Naftogazit, Oleksiy Chernyshov.
Sipas gazetës “Helsingin Sanomat” me qendër në Helsinki, Autoriteti Kombëtar i Zbatimit të Ligjit i Finlandës ka filluar sekuestrimin e pronave në kryeqytet, duke përfshirë Qendrën Ruse të Shkencës dhe Kulturës në Helsinki.