TIRANE-Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan në mesnatë, ringjalljen e Krishtit. Krerët e politikës mesazhe urimi, Nishani: Drejtësi e barazi për të gjithë pa dallim

Edhe në Tiranë mijëra besimtarë ortodoksë morën pjesë në meshën e madhe të Pashkëve, e cila u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, imzot Anastas Janullatos. Ambientet e brendshme të kishës ortodokse ishin tejmbushur, por mijëra besimtarë e ndoqën meshën jashtë Kishës. Në fjalën e tij kryepeshkopi Anastas tha ndër të tjera se “Krishti mposhti gjithçka që cënoi dinjitetin njerëzor”. “Dinjiteti i krishterë, në përgjithësi, iu kundërvihet gjendjeve të këqija të shoqërisë sonë. I kundërvihet aktivitetit kriminal dhe mentalitetit fanatik fetar. Ai është kundër fuqive të ndryshme demoniake të padrejtësisë dhe korrupsionit, në shoqërinë tonë. Ky dinjitet, i çliruar nga dëshira për hakmarrje dhe nga frika, karakterizohet nga ndjeshmëria për ta shprehur solidaritetin social me vepra”, u shpreh kryepeshkopi.

Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka shpërfillur sërish kritikat duke e zhvilluar meshën në gjuhën greke dhe në krah të tij kishte një përkthyes i cili përkthente. E vetmja fjalë shqip që është artikuluar nga Janullatos ishte ‘Krishti u Ngjall’.

Besimtarët ndoqën fjalën e tij, ndezën qirinj dhe uruan njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi. Rreth orës 00:00 me fjalitë “Krishti u ngjall! – Vërtet u ngjall!”, u shënua çasti i gëzuar i ringjalljes së Krishtit. Besimtarët me qirinj në duar morën nga Kisha flakën e Zotit për ta çuar atë në shtëpitë e tyre, për më shumë dritë, mbarësi e begati.

Festa e Pashkëve është festa më e shenjtë për besimtarët ortodoksë dhe ndër më të rëndësishmet e kalendarit fetar të tyre. Pashka simbolizon Ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati. Pashka, ose Ringjallja e Krishtit vjen pas një jave të shenjtë, që kulmon me kujtimin e kryqëzimit te Jezu Krishtit të Premten e Zezë të zisë dhe ringjalljen e tij në mesnatën e së shtunës. Festa vazhdon të dielën, kur besimtarët urojnë njëri-tjetrin, këmbejnë vezët e kuqe që përgatiten posaçërisht për këtë ditë dhe shtrojnë drekën e festës. Veza e kuqe është simbolikë e festës së Pashkës. Ajo vlerësohet nga të krishterët si një simbol i ringjalljes, duke qenë se përmban një jetë të re të mbyllur brenda saj.

PDIU URON PASHKËT: TË RIKUJTOJMË PUNËN ATDHETARE TË KLERIT ORTODOKS

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet uron të gjithë besimtarët ortodoksë shqiptarë në Shqipëri, Çamëri, Maqedoni dhe Diasporë, sikurse dhe të gjithë besimtarët anembanë botës, Gëzuar Pashkët!

“Kjo ditë simbolizon paqen dhe sakrificën në të mirë të së përgjithshmes, çka duhet të na udhëheqë në jetët tona. PDIU uron të gjithë besimtarët ortodoks por edhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për më shumë mirësi, solidaritet dhe ndjenjë komunitare, për ta bërë Atdheun tonë, ashtu siç na takon”, thuhet në mesazhin e urimit të PDIU-së.

PDIU nuk humbet rastin për të kujtuar me punën atdhetare të klerit ortodoks duke përmendur disa prej figurave më në zë.

“Në këtë ditë të shënuar rikujtojmë me admirim punën atdhetare të asaj pjese të klerit ortodoks që dhanë gjithçka për atdheun. Përkujtojmë me respekt dhe përulje punën e palodhur të rilindësve të mëdhenj si Hirësi Grigor Gjirokastriti, të Fortlumturit Fan Noli, të Fortlumturit Visarion Xhuvanit të At Kristo Negovanit, të At Stathi Melanit, të At Dhimitër Dhimitrukës dhe të figurave të tjera të larta atdhetare të klerit ortodoks.

Le të sjellë kjo festë gëzim, lumturi dhe dashuri për të gjithë besimtarët që e festojnë dhe për të gjithë kombin shqiptar. Paqja dhe mirësia, dy virtytet që simbolizojnë ditët e shenjta, janë lajtmotivi që duhet të ndjekim. Për shumë vjet Pashkët!”, mbyllet urimi i PDIU për Pashkët.

BASHA URON: E NESËRMJA TË JETË MË E MIRË
Ora 14:00- Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pasi ka shkuar të përcjellë urimet e tij për Pashkët në katedralen Ortodokse në Tiranë, “Ngjallja e Krishtit”. Ndërsa për gjithë besimtarët por edhe shqiptarët Basha uroi një të nesërme më e mirë se e sotmja.

“Të gjithë besimtarëve ortodoksë ju uroj nga zemra Gëzuar Pashkët! Po kështu uroj që shpresa dhe besimi që rilindi për ta këto ditë të agojë në zemrat dhe vatrat e çdo shqiptari dhe shqiptareje. Uroj që e nesermja të jetë më mirë se e sotmja! Uroj që mirësia e Zotit të zbresë e të paqtojë shpirtrat e shqiptarëve dhe t’ju japë forcë për të përballuar vështirësitë e fatkeqësitë, t’ju japë forcë për të besuar në një të neserme më të mirë. Gëzuar!”- uroi z. Basha.

META: TË BESOJMË TEK NJË E NESËRME MË E MIRË, TË PUNOJMË BASHKË PËR TË!
Ora 13:10- Nga katedralja Ortodokse “Ngjallja e Kishtit”, ku kishte shkuar për të përcjellë urimet për Pashkët, bashkë me bashkëshorten e tij, kryeparlamentari Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët por edhe gjithë shqiptarët.

Për Metën, sakrifica është rruga që na çon tek dashuria, falja dhe mirësia. Ai ftoi çdo shqiptar të besojë se e nesërmja do jetë më e mirë.

“Është kënaqësi e veçantë t’ju uroj të gjithë besimtarëve ortodoks dhe gjithë shqiptarët në këtë ditë të shenjtë të Pashkës, në këtë ditë nga e cila na sjell në mendje vlerat e besimit dhe të sakrificës dhe në veçanti të besimit tek sakrifica, si rruga që na çon drejt dashurisë, faljes, mirësisë dhe të ardhmes. Natyrisht që kjo ditë e shenjtë e Pashkës dhe e ringjalljes së Jezusit është një mundësi e shkëlqyer për të besuar se e nesërmja do jetë më e mirë dhe për të punuar të gjithë së bashku për këtë qëllim. Gëzuar këtë festë e cila është e të gjithë qytetarëve tanë falë harmonisë së shkëlqyer fetare që kemi”, tha Meta.

NISHANI URON PASHKËT: DREJTËSI E BARAZI PËR TË GJITHË PA DALLIM
Ora 10:16- Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani u uron Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë shqiptarë kudo ku ndodhen. Presidenti ka uruar më tepër mirësi, paqe, dashuri për njëri-tjetrin, lumturi në gjirin e familjes për çdo besimtar. Sipas tij, barazia dhe drejtësia duhet të jenë të njëjta për të gjithë besimtarët.

“Të nderuar besimtarë ortodoksë shqiptarë!
Dëshiroj sinqerisht që me rastin e Ditës së ringjalljes së Krishtit t’ju shpreh dhe t’ju përcjell, në emër të Institucionit që përfaqësoj si dhe në emër të mbarë popullit shqiptar, urimet më të mira e të përzemërta për Festën e Pashkëve!
Kjo ditë e shenjtë, e cila në vetvete përmban ripërtëritjen e besimit tek ringjallja e shenjtë e birit të vërtetë të Zotit sipas besimit tuaj të krishterë, tek ringjizja e vlerave dhe bindjes se sakrificat, vetëmohimi, virtytet dhe altruizmi në shërbim të njerëzimit na bëjnë më të mirë, na rikujton gjithashtu se shpresa në një të ardhme edhe më të mirë nuk vdes kurrë në shpirtin tonë.
Përkundrazi, ajo ringjallet dhe ripërtërihet duke u rinovuar me forca të reja dhe me më tepër besim në anën e mirë dhe pozitive të natyrës njerëzore, në përpjekjen e përbashkët që shoqëria jonë, ajo shqiptare sidomos, do të bëhet edhe më e përsosur vetëm në saje të zbatimit të parimeve thelbësore fetare apo etike, mbi të cilat funksionon dhe ecën përpara mbarë njerëzimi.
Drejtësia për të gjithë pa dallim, barazia mes nesh që nga më i pari e deri tek më i fundit, ndihmesa pa interes për më të pafatët dhe më të dobëtit përbëjnë thelbin e gjallesës sonë në këtë botë të mbushur gjithnjë e më shumë me sfida të vështira.
Por Dita e Pashkëve na mbush njëkohësisht me një gjallëri të re, me një vetëbesim dhe ringjallje të vërtetë vlerash që na bëjnë të kuptojmë se nën këtë qiell të kaltër e të pastër shqiptar, e mbi këtë dhé të trojeve të lashta arbërore, çdo hall, problem, mosmarrëveshje apo pengesë mund të zgjidhet e të kapërcehet, nëse bashkojmë forcat dhe aftësitë duke menduar e punuar vetëm për të mirën e kombit tonë të bekuar.
Gëzuar Festën e Pashkëve dhe ju sjelltë sa më tepër mirësi, paqe, dashuri për njëri-tjetrin, lumturi në gjirin e familjes si dhe për të dashurit tuaj kudo ku jeni!” – thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Nishani.

MESAZHI I PLOTË I JANULLATUS
Ndërkaq disa orë para meshës Kryepeshkopi Janullatos ka dhënë për të gjithë besimtarët e ortodoksë mesazhin e Pashkëve. Në mesazhin e tij Janullatus thekson se dinjiteti i brendshëm duhet të shprehet dhe të rrezatojë, direkt ose indirekt, në jetën sociale, me pranimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo njeriu, pavarësisht origjinës, pozitës sociale ose bindjeve të tij. Kryepeshkopi cilëson se dinjiteti i krishterë i kundërvihet aktivitetit kriminal dhe mentalitetit fanatik fetar.

Me Ngjalljen e Tij, Krishti e lartësoi përfundimisht dinjitetin e njeriut, të cilin e rrëzon padrejtësia, dhuna, gënjeshtra, pasionet, mëkati, në përgjithësi, dhe e dërrmon vdekja. Perëndinjeriu Jisu, me pranimin e vullnetshëm të Pësimit dhe, duke triumfuar me Ngjalljen e Tij, mposhti gjithçka që poshtëron dinjitetin njerëzor. Kremtojmë pikërisht këtë triumf që i hapi perspektivë të tërëndritshme qenies njerëzore. Në këtë të kremte plot dritë, Kisha jonë na këshillon të ndërgjegjësohemi më shumë për dinjitetin që na ka dhënë Perëndia.

Nga propozimet e ndryshme fetare ose filozofike në lidhje me dinjitetin njerëzor, më i guximshmi dhe më madhështori mbetet propozimi i besimit të krishterë. Ai bazohet në të vërtetën se njeriu është krijuar “sipas ikonës së Perëndisë” (Gjen.1:26-27, 5:1) dhe i është dhënë mundësia të ecë drejt “ngjashmërisë”, duke përdorur elementin “e llojit hyjnor”, i cili ekziston brenda natyrës njerëzore. Sigurisht, shumë njerëz nuk e pranojnë zbulesën e krishterë dhe formulojnë ide të ndryshme. Por ky fakt nuk ia heq të vërtetën dhe fuqinë traditës së krishterë, e cila ka qenë nënshtresa shpirtërore për deklaratat mbi të drejtat e njeriut dhe theksimin e veçantë që i bëhet dinjitetit njerëzor.

Besimi i krishterë ngjall te njeriu ndjesinë e vlerës së tij shpirtërore dhe morale. Mendimi theologjik ka theksuar si veçori të ikonës hyjnore të kuptuarin, ndërgjegjen, vullnetin. Në mënyrë të veçantë, theologjia orthodhokse ka theksuar me forcë lirinë dhe dashurinë. Nga zhvillimi i këtyre mundësive shpirtërore varet dhe dinjiteti personal i njeriut.
Për botëkuptimin orthodhoks, njeriu me dinjitet, në thelb, nuk është borgjezi që e ka rregulluar jetën më së miri, por njeriu fisnik me moral, i drejti, i ndershmi, i vërteti. Njeriu që vë në lëvizje të gjitha mundësitë shpirtërore dhe ecën drejt një pjekurie të brendshme të vazhdueshme. Dinjiteti i krishterë gërshetohet me përulësinë spontane, me sigurinë se, ajo që jemi, nuk është vetëm arritja jonë. Sigurisht, dëshira jonë është e domosdoshme, por është i nevojshëm edhe veprimi i Hirit Hyjnor.
Vlera e njeriut, dinjiteti ynë, plotësohet dhe përsoset në rrugën tonë për t’u bërë “pjesëmarrës të natyrës hyjnore” (2Petr.1:4). Shën Grigor Theologu e përkufizon njeriun si “një qenie që, ndërsa jeton këtu, udhëton për në një vend tjetër, dhe qëllimi i misterit është të hyjnizohet, si pasojë e thirrjes së Perëndisë” (Migne 36:632). Me ngjarjet e Pashkës, Krishti “vuan si i vdekshëm dhe, nëpërmjet pësimit, të vdekshmin e vesh me hijeshinë e paprishjes” (Shën Joan Damaskinoi).
Ngjallja e Krishtit përcakton kahun drejt lartësimit të njeriut të krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”, i cili, duke vlerësuar thirrjen e tij për të arritur në “sipas ngjashmërisë”, ftohet ta realizojë këtë thirrje duke ndjekur Krishtin, së bashku me Atë, i Cili “… u ngjall të tretën ditë dhe i bëri gati çdo mishi Ngjalljen së vdekurish” (Liturgjia Hyjnore e Shën Vasilit të Madh) dhe i hapi horizonte të reja ekzistencës njerëzore. Ngjallja përcakton plotësinë e njeriut në Krishtin e gjallë dhe e vendos në perspektivën e përjetësisë.

Ky dinjitet ngjallësor i brendshëm duhet të shprehet dhe të rrezatojë, direkt ose indirekt, në jetën sociale, me pranimin dhe respektimin e dinjitetit të çdo njeriu. Pavarësisht origjinës, pozitës sociale ose bindjeve të tij, tjetri, si person njerëzor, është edhe ai i krijuar “sipas ikonës së Perëndisë”, meqenëse mbarë njerëzimi erdhi nga çifti i parë që krijoi Perëndia. Ky ndërgjegjësim e udhëheq besimtarin në një qëndrim më të gjerë respekti e dashurie. Dhe për më tepër, në përpjekjen për mbrojtjen e dinjitetit të bashkënjerëzve tanë, që kërcënohen nga padrejtësia, varfëria, sëmundjet, papunësia, injoranca shpirtërore, aksidentet, të cilat çojnë në dëshpërim dhe mjerim.
Dinjiteti i krishterë, në përgjithësi, iu kundërvihet gjendjeve të këqija të shoqërisë sonë. I kundërvihet aktivitetit kriminal dhe mentalitetit fanatik fetar. Ai është kundër fuqive të ndryshme demoniake të padrejtësisë dhe korrupsionit, të cilat përhapin erën e keqe të Hadhit në shoqërinë tonë. Ky dinjitet, i çliruar nga dëshira për hakmarrje dhe nga frika, karakterizohet nga ndjeshmëria për ta shprehur solidaritetin social me vepra.

Vëllezërit e mi, sot, në ditën e gëzuar të Pashkës, Kisha jonë na fton të ndërgjegjësohemi se dinjiteti është kryesisht çështje e brendshme, lidhet me bërthamën e personalitetit njerëzor. Na fton të përjetojmë dinjitetin, si përvojë ngjallësore, të dëlirësuar brenda dhimbjes së Kryqit, të mbushur me energjinë dhe shkëlqimin e Ngjalljes. Ajo na thërret të bëhemi të ndërgjegjshëm për misterin e personit njerëzor dhe për qëllimin tonë final. Njëkohësisht na frymëzon të bëhemi qeliza jetësore të shoqërisë, të cilat përpiqen për dinjitetin e bashkënjerëzve tanë dhe të popujve që iu është bërë padrejtësi. Siguria ngjallësore i fal dinjitetit të çdo të krishteri besimtar frymëzim, qëndresë dhe dinamikë të veçantë; ripërtërin vetëndërgjegjshmërinë tonë brenda dritës paskale.
Krishti u Ngjall!

(ma.ar/a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb