VATIKAN– Papa Françesku mbajti sot meshën e Pashkëve në Bazilikën e Shën Pjetrit në Romë para mijëra besimtarëve, nën masa të larta sigurie.

Mesha solemne e Ringjalljes, koha më e rëndësishme e liturgjisë katolike, filloi në orën lokale 10:00 (08:00 GMT).

Papa argjentinas do të japë dy orë më vonë bekimin Urbi dhe Orbi për qytetin e Romës dhe botën, prej lozhës qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit.

Dje në mbrëmje, papa argjentinas drejtoi vigjiljen e Pashkëve duke u kërkuar besimtarëve të mos rrinin të heshtur përballë padrejtësive.

Ai pagëzoi gjithashtu tetë persona, përfshirë dhe një nigerian, 31 vjeç, i cili zuri faqet e para të gazetave pasi bllokoi në muajin shtator në Romë një keqbërës të armatosur, i cili do të kryente një grabitje në një supermarket.

John Ogah, 31-vjeç, po lypte jashtë një supermarketi në Romë vitin e kaluar, kur një person i maskuar dhe me një hanxhar në dorë hyri për të grabitur. Nigeriani e bllokoi agresorin duke e shtrirë në tokë dhe priti derisa të vinte policia.

Besimtarët, turistët dhe madje dhe priftërinjtë kanë pritur radhë të gjatë për të mbërritur në sheshin Shën Pjetër duke kaluar në filtrat e sigurisë në një perimetër prej 100 metra me detektorë të metaleve dhe kontrolle të çantave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb