TIRANE
Me rastin e 100 vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë, ambasada turke në Tiranë ka organizuar një pritje zyrtare në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Në pritje ishin të pranishëm presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, ambasadorë të vendeve të ndryshme, përfaqësues të institucioneve turke në Shqipëri dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme. Gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi i presidentit të Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
Ndërsa ambasadori i Turqisë, Tayyar Kagan Atay theksoi në fjalën e tij përshëndetëse, se pas shpalljes së Republikës Turke, Shqipëria ishte një nga vendet e para me të cilat Republika e re vendosi marrëdhënie diplomatike.
“Viti 2023 shënon edhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Türkiye-Shqipëri. Historia jonë e përbashkët prej shekujsh prodhoi dy kombe mike, dy aleatë dhe dy vende kandidate në BE, që të dyja janë kontribuues për ruajtjen e paqes së brishtë në rajonin tonë”, – tha gjatë fjalës së tij ambasadori turk Atay.
Më tej, ambasadori Tayyar Kagan Atay vlerësoi rolin e Turqisë në rajon dhe më gjerë.
“Pavarësisht sfidave gjatë kësaj periudhe 100-vjeçare, jemi një anëtar i aftë i NATO-s dhe një vend kandidat në BE që kontribuon për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë”-, u shpreh Atay.
Pjesë e ceremonisë ishte edhe performanca muzikore e Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë, me disa pjesë të kompozitorëve shqiptarë dhe turq, si dhe u ekspozuan fotografi dhe dokumente mbi marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri.