“Dua thjesht të ringrihem dhe të eci”, këndon Kalkuta. Dhe këtë po kërkon të bëjë Luçiano Spaleti me kombëtaren, që të premten do të rikthehet në fushë pas Europianit të shëmtuar gjerman.

Trajneri ka “recituar” shpesh këto ditë në “Coverciano” faktin që e ka pasur ai fajin dhe tani duhet të rigjejë rrugën e duhur për të ringritur kombëtaren. Vera e tmerrshme që kaloi sigurisht që i ka shërbyer për të evidentuar gabimet që bëri dhe për të programuar rinisjen.

REFLEKSION- Spaleti ka pranuar në një farë mënyre 2 gabime. E para, ka krijuar një kaos taktik duke futur në telashe vetë lojtarët e tij. E dyta, duke karikuar një kombëtare të brishtë që nuk e mbante dot presionin. Në listën e lojtarëve të grumbulluar ishin futbollistë për skemën me 3 në mbrojtje dhe në fakt ai luajti me 4. Konfuzioni vazhdoi deri në apokalipsin e ndeshjes së fundit. “Kërkova shumë nga lojtarët. Tani nuk ka më dyshime. DO të luajmë me 3-5-2 ose 3-4-2-1”, tha ai. Një zgjedhje optimale sepse në ekip vazhdon të ketë bllokun e Interit, ku Dimarko mund të japë më të mirën në krah, Bastoni të ndërtojë si qendër e majtë për të kaluar linjat dhe Barela në pozicionin e tij (këtë herë nuk është në listë). Shumë lojtarë të kombëtares kanë ndryshuar trajnerin e tyre nëpër klube dhe sigurisht që po mësojnë të luajnë me taktikë të re.

KRENARI- Rruga e ringritjes së Italisë është e vështirë. Menjëherë është Franca rivali i saj, e zhgënjyer prej Europianit, por që shkoi aty si favorite dhe është sërish kandidate për Botërorin e ardhshëm. Mbape në daljen e parë të sezonit i shënoi një ekipi italian (Atalantës). Deshamp ka afruar një tjetër yll, Olise, lojtar i lindur në vitin 2001 dhe vjen nga Bajerni. Risia e Italisë është Breshanini, i cili konsiderohet i ri në moshën 24-vjeçare. Në moshën 21 vjeçare, Kamavinga kishte fituar 2 Champions League. Është rikthyer Tonali, një lojtar shumë i rëndësishëm për skemat e Spaletit, por Italia nuk ka as Bellingamin as Jamalin.

“Axurrët” nuk pretendojnë të jenë favoritë, por të luajnë me zemër dhe krenari, për të harruar Italinë pa gjak që luajtur kundër Zvicrës. Parisi është një etapë e rëndësishme. Shpirti olimpik i qytetit duhet të shërbejë për të karikuar edhe Italinë. Shumë medalje ari të fituara aty me flamurin italian që duhet të jenë një bazë e rëndësishme edhe për kombëtaren e Luçiano Spaletit. Tifozët nuk tolerojnë më dështim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb