TIRANË

Ka përfunduar takimin i kryedemokratit Lulzim Basha me kryetarët e bashkive të djathta. Pas takimit, krerët e bashkive janë shprehur se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje.

Ata treguan “unifikimin e tyre” duke paralajmëruar në formë të prerë se nuk do të lirojnë zyrat duke i cilësuar të zgjedhurit e 30 qershorit si persona “ilegjitim”. Kryetari i bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu tha se në 30 qershor nuk kishte zgjedhje, ndërsa shtoi se nuk do të lirohen për asnjë moment zyrat për kryetarët e rinj.

“Nuk ka shanse të lirojmë zyrat, këto nuk janë zgjedhje. Zyrat i lirojmë nëse vjen një kryetar legjitim”—tha shkurtimisht i pari i bashkisë së Kamzës pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën.

Por në të njëjtën linjë me kreun e bashkisë së Kamzës ishte edhe ai Lezhës, Fran Frrokaj, i cili tha se do  pritet një vendim për faktin se nëse do të lënë apo jo të hyjnë në bashki të zgjedhurit e 30 qershorit.

“Do ketë një vendim nëse do i lirojmë zyrat apo jo”-tha ai.

Kryetari i bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj  u shpreh i vendosur se ai dhe kolegët e tij  në bashkitë e djathta nuk do lirojnë zyrat, pasi sipas tij, procesi i 30 qershorit nuk kishte lidhje me zgjedhjet por ishte thjesht votim.

“Do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit. Kur të ketë zgjedhje jo votime, këto votime nuk i njohim. Ky është vendim i marrë, i bërë i ditur edhe nga opozita nga kryetari, ky është një vendim që e kemi shprehur disa herë këto janë zgjedhje farsë, nul nuk do të njihen. Do vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën tonë.

Nëse do të vijë të fitojë në zgjedhjet e tjera, ne do ta mirëpresim do t’i dorëzojmë shiritin sipas rregullave. Nuk mbaj me dhunë asnjë zyrë, por do t’i shërbejmë qytetarëve.Nuk është problemi nëse e kërkon Basha apo dikush tjetër, zgjedhjet janë nul, janë votime për partinë socialiste. Kandidati ka marrë 13 % të votave, aq janë vetë anëtarë të PS-së. ai është kryetari i militantëve të PS-së në atë zonë, nuk është i qytetarëve”-theksoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb