Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
TIRANE – Parku Kombëtar i Valbonës rrezikon të dëmtohet nga ngritja e tri hidrocentraleve, atë të Valbonës, Çeremit dhe Dragobisë. Leja zhvillimore e këtij të fundit është dhënë nga qeveria Rama në vitin 2014. Veç komunitetit të zonës, shoqërisë civile, zërat kundër ndërtimit të HEC-eve janë shtuar edhe brenda mazhorancës.

Kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Zamir Dedej, në një intervistë për “GSH” ka deklaruar se nëse ka vullnet politik, ndërtimi i HEC-eve në Parkun e Valbonës mund të ndalohet. Sipas tij, është absurd të thuhet se ndërtimi i këtyre hidrocentraleve nuk do të ketë impakt në ekosistemit e parkut.

Kreu i AKZM-së ka sqaruar se në territorin e zonave të mbrojtura, qeveria “Berisha” ka dhënë në total 67 leje për hidrocentrale, nga 520 leje dhe 173 koncesione që ka dhënë në total. “Specialistët e AKZM-së janë duke parë një më një lejet mjedisore që janë dhënë në territorin e zonave të mbrojtura, dhe në total kemi 67 leje mjedisore, 40 prej të cilave janë në zonën e Librazhdit, në parkun Sherbenik-Jabllanicë”, – sqaroi Dedej.

Zoti Dedej, gjendemi përpara faktit që janë dhënë leje për tri hidrocentrale në lumin e Valbonës. Ju si drejtues i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ku bën pjesë edhe ky park, keni të dhëna për dëmin që do t’i shkaktohet?

Ajo që quhet ‘Dokumenti i ndikimit në mjedis’ që Ministria e Mjedisit ka dhënë në 2013-ën, nuk ka një studim të tillë. Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë do të ndodhë me parkun nëse aty punohet, kostoja që do sjellë për turizmin dhe mjedisin.

A nuk duhej të ishte bërë ky lloj studimi kur u dha leja e mjedisit?
Duhej të ishte bërë, por kjo gjë nuk është bërë. Në vitet 2009-2013, kur edhe janë dhënë lejet për HEC-et, institucionet kanë qenë politikisht të drejtuara. Sali Berisha tha “unë dua të hap hidrocentrale”, dhe ministritë u vunë në funksion të këtij roli. Nuk mund të them që e ka fajin Ministria e Mjedisit, pasi kjo ishte një direktivë politike. Edhe mua po të më thonë “firmose një leje”, unë ose e firmos, ose lë vendin e punës.

A mundet qeveria aktuale t’i anulojë këto leje, ashtu si edhe ka premtuar në fushatë zgjedhore?
Unë jam kundër HEC-eve, dhe sidomos në një zonë si Valbona. Por kjo nuk bëhet me një të rënë të lapsit; heqja e këtyre lejeve nuk është aq e kollajshme. Nëse qeveria bën një prishje të njëanshme të lejeve, çështja shkon në gjyq. Leja nuk fshihet, por pezullohet sa të vendosë gjykata. Dhe nuk e dimë se cilat do jenë kostot për qeverinë shqiptare për prishje të njëanshme të kontratës. Ajo që mendoj unë është se, qeveria, nëse ka vullnet, duhet të ulet me subjektet që kanë marrë leje, të shikojë dokumentacionin për ndonjë parregullsi, ose t’u propozojë një territor tjetër, pra të dalin nga kjo zonë me ndjeshmëri të madhe natyrore. Ose, nëse bihet dakord me komunitetin e zonës, të ulet kapaciteti i hidrocentraleve dhe të bëhen HEC-e të vogla, dhe detyrimisht ato do të kenë impakt më të vogël dhe energjia të përdoret për furnizimin e fshatrave të zonës. Pasi një gjë tjetër që duhet thënë, është se komuniteti i zonës, nga ndërtimi i HEC-eve nuk ka asnjë përfitim, veç humbje dhe dëmtim të zonës, sepse energjia që do prodhohet do shkojë për qytetet e mëdha. Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese ka sugjeruar që të bëhet një studim i pavarur nga ekspertë të huaj, për të dhënë një gjykim të paanshëm. Edhe ne e kemi sugjeruar këtë gjë, për të parë ndikimin real dhe mundësinë e minimizimit të ndikimit në mjedis.

Është hedhur ndonjë hap konkret për nisjen e këtij studimi?
Po kërkojmë para për të bërë këtë studim. Kemi marrë një ‘Po’ të vakët nga GIZ, ndërsa OSBE-ja nuk na ka kthyer ende përgjigje. Ky studim është i paparashikuar dhe, normalisht, ekspertët e huaj kanë edhe pagesa të larta. Energjia e rinovueshme nuk duhet me negativitet, pasi është energji e pastër, problem këtu është se u bë masive. Ne nuk kemi përrua në këmbë që nuk i është bërë një projekt për hidrocentral! Janë dhënë 520 leje dhe 173 koncesione për hidrocentrale, dhe një u dha në 2014-ën, nga qeveria aktuale. Me vendimet që kanë marrë, kanë bërë dëm shumë të madh. E vetmja gjë pozitive është se 60% e tyre nuk kanë nisur ende nga puna.

Nga 520 lejet, a ka leje të tjera që janë dhënë në territorin e zonave të mbrojtura?
Ne kemi pasur mungesë informacioni; edhe për Valbonën u vëmë në dijeni kur nisi puna. Stafi i agjencisë po shikon një më një lejet që janë dhënë, dhe rezultojnë se janë 67 leje për HEC-e në territorin e zonave të mbrojtura. 21 janë ndërtuar, 44 janë duke u ndërtuar, ndërsa 2 janë dhënë para viteve ’92.

Cilat janë zonat në të cilat janë dhënë më shumë leje?
Dëmi më i madh është në zonën e Librazhdit dhe Gramshit. Përrenjtë mbi Librazhd, në parkun Sherbenik-Jabllanicë, janë dhënë për shfrytëzim të 40 HEC-eve. Zonat e mbrojtura, janë përcaktuara të tilla duke parë vlerat e tyre natyrore; në momentin që ti ndërton kjo zonë, humbet vlerat e veta.

Sa HEC-e janë në Valbonë?
Ne kemi informacion vetëm për 3, pra disponojmë dokumente vetëm për ndërtimin e tri HEC-eve. Por flitet se ka edhe HEC-e të tjera në pjesën e poshtme, që sërish është pjesë e Parkut të Valbonës. Do ishte zëri i të gjithëve, grupeve të interesit, qytetarëve, komunitetit të zonës të bashkohen. Të japin opsione, për të arritur zgjidhje konsensuale.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: