Nga AURORA KOROMANI*

Katër familje në Mifol kishin hipur në çatitë e shtëpive për shkak të lartësisë së ujit. Kemi rrezikuar edhe jetën e efektivëve gjatë evakuimit të banorëve”. Ky është rrëfimi i komandantit të Delta-Force, komisarit Rexhep Barjamaj, i cili prej ditës së diel, bashkë me 50 efektivë policie të kësaj strukture janë përqendruar në zonën Mifol-Novoselë në Vlorë dhe në zonën e Levanit në Fier. Edhe pse i lodhur dhe në mes të ujit, komandanti ka gjetur pak minuta për të folur për “Gazeta Shqiptare”, duke treguar disa detaje nga operacionet e shpëtimit në zonat e përmbytura në jug të vendit. “Kemi pasur raste kur banorët nuk donin të largoheshin nga banesat e tyre dhe pastaj na kanë marrë në telefon gjatë natës që të shkojmë t’i shpëtojmë”, sqaron për “GSH” komisar Barjamaj, i cili shton se një rast i tillë ka qenë edhe me disa barinj, të cilët nuk donin të linin bagëtinë në stanet e tyre. Komandanti i Delta-Force rrëfen situatat më të vështira gjatë operacioneve të shpëtimit, por veçon rastin e evakuimit të një gruaje shtatzënë dhe katër fëmijëve në Levan.

Komandant, mund të na thoni se kur e morët urdhrin për të shkuar në zonat e përmbytura?

Pas krijimit të situatës, që ditën e diel, forcat tona, 50 efektivë të Delta-Force u përqendruan në zonat e përmbytura, në të cilat u krijua shtabi i emergjencës, me mjete, me kamionë, dhe me mjete lundruese, gomone, duke bërë të mundur ditën e diel shpëtimin e katër familjeve tek Ura e Mifolit dhe sot (dje) bëmë shpëtimin e 6 familjeve të tjera në zonën e Novoselës.

Ju jeni përqendruar vetëm te kjo zonë, Mifol-Novoselë?

Jemi edhe në zonën e Levanit, sepse u ndamë në dy pjesë.

Prej ditës së diel që keni marrë këtë detyrë, nuk keni pushuar fare?

Jo, nuk kemi pushuar, madje edhe tani që po flasim, sapo kemi përfunduar një situatë te hidrovori ku një punonjës i hidrovorit kishte rënë në kanal dhe pasi nxorëm punonjësin, po merremi me nxjerrjen e mjetit tonë, sepse mbeti aty.

Gjatë këtyre dy ditëve deri në momentin që po flasim, cila ka qenë situata më e vështirë?

Ka qenë ditën e diel, ku pranë urës së Mifolit u bë evakuimi i katër familjeve, dhe po ditën e diel ishte një tjetër rast poshtë urës, ku u rrezikua edhe jeta e policëve tanë, sepse bandierat ishin me kunja hekuri dhe mund të çanin gomonen.

Po katër familjet që shpëtuat, si i gjetët, a ishin rrethuar nga uji?

Katër familjet në Mifol kishin hipur në çati, pasi shtëpitë e tyre ishin rrethuar nga uji, lartësia e të cilit kishte arritur shumë lart dhe banorët i gjetëm në soleta për t’i shpëtuar ujit. Ka qenë edhe një rast i shpëtimit të një gruaje shtatzënë dhe katër fëmijëve në një tjetër shtëpi.

Si arritët ta shpëtonit gruan shtatzënë?

Evakuimi i gruas shtatzënë u bë i mundur që ditën e diel pasdite. Gruaja ishte në zonën e Levanit dhe pasi morëm informacionin, shkuam te banesa dhe në katin e dytë të banesës ishin gruaja shtatzënë dhe katër fëmijë të mitur. Në fillim janë larguar fëmijët dhe më pas është evakuuar gruaja shtatzënë.

Keni qenë në situatat e mëparshme të përmbytjeve në veri të vendit; si ju duket situata duke krahasuar rastet?

Kemi marrë pjesë edhe te përmbytjet në Shkodër herët e tjera dhe situata është pothuajse njësoj.

Tani që po flasim, si është situata aty ku ju jeni përqendruar?

Situata vijon të jetë problematike, edhe pse niveli i ujit ka rënë. Ka vende ku uji ka arritur dy metra, ka ku është 1 metër, por gjë e mire është që është drejt rënies.

Keni pasur probleme me evakuimin e banorëve?

Me përjashtim të disa rasteve, siç ishte rasti I çobanëve që kishin edhe bagëtinë aty, të cilëve mezi u kemi mbushur mendjen që të dilnin nga stanet ku qëndronin, rastet e tjera janë më të pakta. Barinjtë nuk donin që të dilnin dhe të largoheshin nga stanet dhe natën pastaj na merrnin në telefon që të shkonim për t’i shpëtuar. Madje, në rastin e barinjve, kur nuk kanë dashur që të dalin, u kemi çuar edhe ujë, ushqime atje ku kanë qenë, sepse nuk donin të dilnin dhe të linin bagëtinë të mbytej dhe natën na merrnin në telefon që të vinim t’i shpëtonim. Forcat tona në disa raste kanë bërë të mundur edhe evakuimin e bagëtive. Ka pasur edhe disa raste të tjera kur banorët nuk kanë dashur që të largohen nga shtëpitë e tyre, por natën na kanë marrë në telefon për shkak të izolimit nga uji.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb