TIRANË- Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Donald Lu dhe Ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë Romana Vlahutin.

Gjatë takimit, Zaganjori u shpreh mbi situatën në gjyqësor dhe nevojën për ndryshime të mëdha e të thella që kërkohen për integrimin e vendit në strukturat e BE-së, forcimin e shtetit ligjor si dhe rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia. Ai informoi ambasadorët mbi arritjet e realizuara, problematikat e hasura dhe sfidat e përditshme me të cilat përballet Gjykata e Lartë.

Zaganjori tha se Gjykata e Lartë, por edhe sistemi gjyqësor në tërësi ka qenë bashkëpunues në procesin e reformave nëpër të cilat po kalon ky sistem, duke caktuar përfaqësuesit e tij në grupet e punës të ngritura për këtë qëllim. Ai falënderoi përzemërsisht për mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë SHBA dhe BE në drejtim të përmirësimit të përformancës dhe eficencës së sistemit gjyqësor, duke uruar që kjo ndihmë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Ambasadorët Lu dhe Vlahutin vlerësuan përpjekjet e deritanishme në drejtim të proceseve reformuese si dhe siguruan vazhdimësinë e asistencës së tyre për realizimin me sukses të këtyre reformave.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb