TIRANË- Deputeti demokrat Edmond Spaho tha sot në “Opinion” në News24 se plani i qeverisë është që në Shqipëri të importohen plehra dhe të digjen, duke sjellë si fakt ndërtimin e inceneratovëve.

Spaho tha se maxhoranca ka përdorur arrogancën për të mos kaluar kërkesën e grupit të PD-së për referendum, një kërkesë sipas tij e qytetarëve, raporton “BalkanWeb”.

“Me fillimin e legjislaturës së re e riaktivizuam kërkesën tonë dhe kërkuam të shqyrtohej nga konferenca e kryetarëve dhe të kalohej në seancë për votim. Ndeshëm në qëndrim kokëfortë për të mos e trajtuar këtë çështje duke u kapur në argumente të paqëndrueshëm, jo thelbësorë. Argumenti i vetëm ishte që kërkesën e para 1 viti kanë firmosur disa deputetë që nuk janë sot në Kuvend. Nëse do ishte kështu i bie që edhe dekreti i Nishanit të mos shqyrtohej se i ka mbaruar afati. Argumenti i paraqitur nga maxhoranca është i pa logjikë, për më tepër që kërkesa është bërë nga grupi parlamentar, nuk është iniciativë individuale nga disa deputetë. Është një kërkesë që na e jep Kushtetuta. Kështu që me veprimin që kryen, bllokuan jo vetëm vullnetin e një grupi parlamentar por edhe qytetarëve.
Jo më kot janë ndërtuar 3 inceneratorë në Shqipëri dhe në plan për të ndërtuar të tjerë. Plani është që në Shqipëri të importohen mbetje, madje jo mbetje por plehra, bëhet fjalë për djegie plehrash. Sipas shkrimeve dhe gazetave të revistave të huaja, thonë që në Shqipëri janë importuar plehra apo mbeturina, pavarësisht ndalimit me ligj”, tha Spaho.

Spaho sqaroi edhe arsyet se pse duhet ky referendum. Sipas tij, nëse ka një votim të qytetarëve asnjë qeveri nuk mund të miratojë një ligj për importin pa një referendum të dytë që të kundërshtojë të parin.

“Ka një histori që nga koha e qeverisjes së PD-së dhe ne kemi bërë autokritikë dhe kemi premtuar që nuk do t’i kthehemi më çështjes së importit të mbetjeve. Të njëjtën histori përsëriti Edi Rama në 2013, por në fund të mandatit solli në Kuvend ligjin për importin e mbetjeve duke i veshur një lloj kozmetike. Në duam që këto histori të mos përsëriten më. Të bëhet një referendum që në Shqipëri të mos importohen mbetje. Në rast se populli shprehet kundër, asnjë qeveri nuk ka të drejtë të importojë mbetje, pa një referendum të dytë”, tha Spaho.

Lidhur me zvarritjen në Kuvend të kërkesës së grupit parlamentar të PD-së, Spaho u shpreh se maxhoranca e ka bllokuar në mënyrë jo ligjore.

Detyrimisht duhet të kalojë. Kanë përdorur forcën e numrave, arrogancën. Është bllokuar në mënyrë jo ligjore. Sipas rregullores së Kuvendit duhet të futet në shqyrtim dhe të miratohet. Maxhoranca kapet me aspekte teknike, ne do t’i plotësojmë dhe ato”, tha Spaho.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: