TIRANË

Kuvendi ka rrëzuar sot dekretin e Presidentit Meta i cili propozoi Bahri Shaqirin. Mësohet se dekreti është rrëzuar me 77 vota kundër.

Një muaj pasi Kuvendi i rrëzoi propozimin e Vitore Tushës, presidenti përzgjodhi një tjetër kandidaturë për postin e Kryetarit të Kontrrollit të Lartë të Shtetit. Por edhe kandidatura e Bahri Shaqirit, ish-drejtor i shërbimit Informativ Shtetëror dhe aktualisht këshilltar i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare është rrëzuar nga Kuvendi, duke u bërë kështu kandidatura e dytë që rrëzohet nga shumica e deputetëve.

Propozimi i Metës u bë më 21 janar, që përkonte me  protestën e 8 viteve më parë para Kryeministrisë ku mbetën të vrarë 4 protestues. Asokohe ish kryeministri Berisha e ka akuzuar ish-kreun e SHISH, Bahri Shaqiri, si pjesë të “puçit të shtetit”, por në njotimin e saj Presidenca argumenton se, Shqairi i plotësonte kriteret për këtë post. Megjithatë shumica parlamentare sërish e rrëzoi.

Kujtojmë se pak ditë më parë edhe Komisioni i Ekonomisë e rrëzoi Shaqirin. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka nënvizuar si mangësi kryesore mospërvojën e Bahri Shaqirit në fushën financiare dhe të auditit.

“Plotëson kushtin per arsimimin, ka disa kualifikime në fushën e sigurisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk ka dënime, për shkak të funksioneve të larta që ka mbajtur, por nuk ka përvojë financiare, për organizimin dhe funksionimin e KLSH. Angazhimet janë të fokusuara në fushën e sigurisë, por jo në ato të parashikuara nga ligji për KLSH. Eksperienca në legjislacionin financiar është e domosdoshme dhe e pazëvendësueshme me aftësi të tjera. Ai është larg specifikës financiare dhe auditimit, financiar, i performancës etj. Kështu që duke iu referuar të gjithë tagrit kushtetues të këtij komisioni, ky komision, i dërgon seancës për mosmiratimin e kandidaturës së tij”- tha Ahmetaj.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb