TIRANË- Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka shprehur sot vullnetin për dialog me opozitën dhe për çdo iniciativë të saj si dekriminalizimin e parlamentit. Meta ka zhvilluar një takim me Raporterin për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein, me të cilin ka diskutuar për prioritetet e integrimit të Shqipërisë. Gjithashtu në takim është folur për marrëdhëniet mes maxhorancës dhe opozitës.

“Me z. Fleckenstein me të cilin diskutuam rreth situatës politike në vend, ecurisë së reformave, sidomos të 5 prioriteteve kyçe me Bashkimin Evropian. Dhe njëkohësisht edhe për të ecur përpara drejt përmirësimin të mëtejshëm të klimës politike në vend me qëllimin funksionimin e plotë dhe mëse funksional të Kuvendit të Shqipërisë, që presupozon edhe krijimin e të gjithë mundësive që i janë dhënë opozitës për t’u rikthyer në parlament për të përmbushur përgjegjësitë e saj politike dhe natyrisht edhe kushtetuese”, deklaroi Meta.

Ai vuri në dukje vullnetin për dialog me opozitën dhe për çdo marrëveshje që bazohet mbi parime demokratike.

“Ne kemi qenë dhe jemi të hapur për çdo dialog apo qoftë edhe marrëveshje që bazohet edhe mbi parime demokratike edhe në respekt të parimeve kushtetuese që ndihmon në funksionimin më të mirë të Kuvendit të Shqipërisë dhe në krijimin e hapësirave të nevojshme për opozitën”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Përsa i përket kërkesës së opozitës për dekriminalizimin e parlamentit, Meta tha se pretendimi është ngritur disa herë por nuk ka pasur propozim konkret apo draft.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për çdo iniciativë që do të propozohej nga opozita e cila ka ngritur këtë pretendim disa herë edhe në drejtim të një kontrolli më të mirë të figurës së parlamentarëve dhe të gjithë përfaqësuesve publikë sot edhe në të ardhme. Por një propozim apo një draft i tillë ende nuk mund të konfirmohet nga askush”, theksoi Meta.

Kreu i Kuvendit i është përgjigjur edhe interesit të gazetarëve mbi reagimin e Presidentit të Republikës për miratimin e Ligjit për Gjykatën e Lartë, i cili e cilësoi antikushtetues dhe që “asgjëson” këtë institucion.

“Nuk jam njohur akoma me këtë qëndrim që përmendët ju, dhe nuk besoj se ka qenë dhe është qëllimi i parlamentit apo edhe i shumicës për të asgjësuar ndonjë institucion në vendin tonë, aq më tepër institucionin e nderuar të Presidentit të Republikës, por besoj se për këtë çështje do të kemi rast të shprehemi dhe në të ardhmen”, tha kreu i Kuvendit.

Lidhur me pretendimet e institucionit të Presidentit se përfaqësuesit e tij nuk janë thirrur gjatë diskutimeve të projektligjit për Gjykatën e Lartë, Meta tha se nuk ka dijeni për këtë çështje, por sipas tij, iniciativa për ndryshimet në këtë ligj është bërë publike prej kohësh.

“Nuk jam në dijeni të kësaj çështjeje se padyshim po të isha në dijeni do të kisha kërkuar që kjo gjë të ndodhte patjetër, dhe shpresoj që të jetë vërtetë ndonjë keqkuptim, pasi parlamenti ka qenë dhe mbetet i hapur për të diskutuar me të gjithë institucionet. Nuk besoj se sot u mor vesh se kjo gjë po diskutohej në Kuvendin e Shqipërisë. Ka kohë që është bërë publik iniciativa për të bërë ndryshimet në këtë ligj pikërisht në funksion të respektimit të përmbajtjes së vetë ligjit”, përfundoi Meta.

(mi.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: