VALENTINA MADANI/ Arlind Qori, apelon mbarë shoqërinë që të bashkohet kundër keqqeverisjes, për të hedhur pas krahëve sistemin e vjetër e të korruptuar partiak. Drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë” thotë për gazetën Panorama se kjo rrugë është e vështirë, por sipas tij është emergjencë nisja e transformimit të madh.

Arlind Qori shpreh shqetësimin se fatkeqësisht po kthehemi në një vend me tipare gjithnjë e më të ngjashme me shoqëritë e vjetra feudale, ku molla binte nën mollë dhe privilegjet trashëgoheshin. Sipas tij korrupsioni më i rëndë nuk është ai që shpaloset me shkeljen e ligjit, por ai që vjen përmes ligjeve që prodhojnë privilegje. Në këto kushte, shprehet Qori, shoqëria duhet të gjejë masivisht forcën për t’iu kundërvënë kalbjes dhe kapjes së shtetit.

Z.Qori! A po mbizotëron sot në Shqipëri privilegji, abuzimi, arbitrariteti dhe korrupsioni…? Çfarë tregon humbja e legjitimitetit në sytë e qytetarëve?

Këto janë fenomene jo vetëm mbizotëruese, por edhe në rritje në institucionet e shtetit dhe të ekonomisë shqiptare. Sa më shumë kalojnë vitet, sa më shumë konsolidohen pozitat e privilegjuara në politikë dhe ekonomi, aq më të dobëta janë mobiliteti social dhe mundësia që përmes punës së ndershme dhe studimeve të ngjitësh shkallët e shoqërisë. Fatkeqësisht po kthehemi në një vend me tipare gjithnjë e më të ngjashme me shoqëritë e vjetra feudale, ku molla binte nën mollë dhe privilegjet trashëgoheshin. Ky bllokim i ashensorit social e ul legjitimitetin e institucioneve në sytë e qytetarëve.

Kush është momentalisht armiku i ekonomisë shqiptare? A po çon korrupsioni në shumë vendime të dëmshme për ekonominë në vend?

Korrupsioni është fenomeni më gërryes, në kuptimin kancerogjen, i ekonomisë shqiptare. Korrupsioni sjell jo vetëm përvetësimin e fondeve publike dhe shpërdorimin e burimeve ekonomike, por edhe ngulfatjen e sistemit ekonomik. Në kushtet e korrupsionit të përhapur, sipërmarrjet parazitare fitojnë pozita dominuese në treg, ndërkohë që sipërmarrjet kreative duhet të paguajnë haraç, i cili ua ul produktivitetin. Nga ana tjetër, korrupsioni dëmton rëndë shërbimet publike, duke sjellë uljen e cilësisë së tyre dhe kosto të fryra për qytetarët. Korrupsioni, gjithashtu, duhet kuptuar jo vetëm si fenomen, por edhe si përgjegjësi. Përgjegjësit për korrupsionin nuk janë vetëm ata që korruptohen – pushtetarët dhe zyrtarët publikë, por edhe ata që korruptojnë, në rastin tonë oligarkia ekonomike.

Perceptimi i korrupsionit a dëmton rëndë legjitimitetin e një regjimi politik? Ky nocion a nxit njerëzit të respektojnë rregullat që rrjedhin nga autoriteti, jo nga frika e dënimit por nga bindja?

Kur korrupsioni është i kudogjendur, mes qytetarëve humb sensi i rregullave të pranuara nga të gjithë. Shoqëria nis të duket si një xhungël ku njeriu për njeriun është ujk, ku secili duhet të përvetësojë diçka të vogël se përndryshe nesër nuk do të gjejë asgjë për të ngrënë. Kjo situatë krijon iluzionin e bashkëfajësisë, ku edhe qytetarit që bën një shkelje të vogël për të mbijetuar, i duket vetja si aktor në këtë allishverish të paanë.

A besoni se qeveritarët e korruptuar po shumëfishojnë ligjet dhe rregullat duke krijuar në sistemin ekonomik nyje autentike ku të varin taksat tona?

Korrupsioni më i rëndë nuk është ai që shpaloset me shkeljen e ligjit, por ai që vjen përmes ligjeve që prodhojnë privilegje. Për shembull, dy nga mënyrat më të egra se si vidhet Shqipëria sot janë ato që shfaqen nëpërmjet ligjit të investitorëve strategjikë, si dhe planeve urbanistike të qyteteve dhe planeve rregulluese të zonave turistike ku jepen leje ndërtimi kundër interesit publik. Në të njëjtën logjikë mund të rendisim edhe ndryshimin në ligjin për zonat e mbrojtura, që do të hapë bukuritë natyrore të Shqipërisë për investime të paqëndrueshme nga pikëpamja mjedisore.

Një sistem i korruptuar, përveç grabitjes së qytetarëve, pengon konkurrencën, pengon efikasitetin dhe dekurajon bashkëpunimin si dhe delegjitimon një regjim politik, duke u hapur derën pretendimeve për zgjidhje jodemokratike. A është kjo simptomë apo një sëmundje e rëndë që po i shkatërron trupin politik dhe po infekton pjesën tjetër të shoqërisë?

Korrupsioni i gjithanshëm dhe demokracia e njëmendtë nuk mund të ekzistojnë krah njëra-tjetrës. Me këtë nivel korrupsioni, ne mund të kemi një lloj pluralizmi kleptokratik, por jo demokraci. Llogaridhënia institucionale është inekzistente pasi pushtetarëve u duket vetja shumë më të fuqishëm se populli. Ka ardhur dita, për ta thënë në mënyrë ironike me dramaturgun gjerman Bertolt Brecht, ku është qeveria ajo që e zgjedh popullin dhe jo e anasjellta. Korrupsioni i gjithanshëm sjell edhe pabarazi ekonomike ekstreme si dhe polarizim social. Në kushtet ku njerëzit ekstremisht të pasur kanë para për të blerë vullnetin e njerëzve ekstremisht të varfër, për të kontrolluar pjesën më të madhe të mediave dhe për të vendosur agjendën politike, barazia politike dhe ajo përpara ligjit marrin fund, ndërkohë që demokracia shndërrohet në një ekzibicion teatral që ndodh një herë në katër vjet. Shtypja strukturore, pabarazia ekonomike ekstreme dhe hendeku në vendosjen e agjendës përftojnë në shoqëri një masë njerëzish të cilët duken të dorëzuar, pavarësisht se janë thellësisht të pakënaqur. Në këto kushte, është e vështirë, por jo e pamundur që shoqëria të gjejë masivisht forcën për t’iu kundërvënë kalbjes dhe kapjes së shtetit. Ndaj është e rëndësishme ndërtimi i mekanizmave politikë, siç synon të jetë ”Lëvizja Bashkë”, që duan ta shkundin shoqërinë duke u dhënë njerëzve besim në radhë të parë te vetja.

Ju jeni shprehur se kemi keqqeverisje, korrupsion dhe oligarkë të lidhur fort me politikanët dhe se të gjitha partitë politike janë të korruptuara. Ku e bazoni këtë?

Këto janë fakte që mund të qëmtohen lehtë në raportet e organizatave ndërkombëtare, mediave investigative të huaja e vendase, por edhe nga dëshmitë e panumërta të njerëzve të thjeshtë që ballafaqohen çdo ditë me një shtet të shurdhër dhe pushtetarë grabitqarë. Shqipëria keqqeveriset prej shumë kohësh. Partitë e vjetra notojnë ende mbi ujë vetëm për shkak se kanë thurur një rrjetë të fortë marrëdhëniesh klienteliste, në të cilat deri më sot ia kanë dalë të bëjnë për vete grupet e pushtetshme në shoqëri dhe të paralizojnë iniciativën e shumicës dërrmuese të shoqërisë. Ato janë parti fund e krye antidemokratike, kanë një strukturë ku ndërthuret despotizmi i kryetarit me privilegjet e një kaste të nënrenditur burokratësh të lartë partiakë, të cilët shpërndajnë disa favore të vogla mes pak mijëra burokratëve të ulët. Lidhja e tyre me shoqërinë nuk është organike, por e ndërtuar në bazë të kërcënimit dhe joshjes me iluzionin se së shpejti do të demokratizohet korrupsioni, pra do të pikojë nga pak për të shumtët.

Ju jeni ndër të vetmit që keni guxuar të përmendi publikisht emrat e të korruptuarve. Sa e vështirë është një gjë e tillë në Shqipëri? Ku e gjeni guximin…?

Për mua nuk është aspak e vështirë. Unë, bashkë me të gjithë bashkaktivistët e”Bashkë”, të merresh me politikë do të thotë të veprosh me guxim në emër të së vërtetës dhe të drejtës. Nëse do të druhesha, nëse nuk do ta thosha të vërtetën me zë të lartë, nëse nuk do të renditesha në krah të njerëzve të shfrytëzuar, të vjedhur e të poshtëruar, do ta kisha të pamundur të dilja përpara pasqyrës. Nga ana tjetër, e kuptoj që për arsye të punës, veprimtarisë ekonomike, por edhe klimës së frikës që është mbjellë në shoqëri, shumëkush ndihet i frikësuar për të ngritur zërin. Prandaj unë dhe aktivistët e “Lëvizja Bashkë” e vëmë zërin dhe trupin tonë në shërbim të shoqërisë, edhe për t’i inkurajuar të tjerët për të hedhur një hap përpara.

A jeni përballur me kërcënime për shkak të denoncimit me emra të njerëzve të pushtetit të lidhur me afera korruptive?

Deri tani jo. Me gjasë sepse kam arritur të përcjell mesazhin që asnjë kërcënim nuk mund të më stepë. Kurrkush nuk mund të harxhojë frymë e kërcënim për të paralajmëruar dikë që e ka bërë të qartë publikisht e vazhdimisht se nuk dëgjon nga ai vesh. Po guximi im nuk është vetëm pjesë e karakterit apo vendimeve të mia personale. Në shumë vite aktivizëm, ne ia kemi dalë të krijojmë një lidhje të fortë solidariteti mes aktivistëve, të organizohemi më së miri, e kështu t’ua bëjmë të paleverdishme kërcënimet pushtetarëve të korruptuar, oligarkëve apo njerëzve të nëntokës kriminale. Në rast kërcënimi, i ligu nuk do të ketë përballë një njeri, por një bashkësi njerëzish të mirorganizuar.

Sipas jush ku i pastron paratë politika?

Pjesën më të madhe në sektorin e ndërtimit dhe të turizmit, duke përdorur emrat e biznesmenëve të tjerë. Këta janë sektorët ku mund të investohen pa lënë gjurmë shuma të mëdha parash, por nga ana tjetër janë edhe sektorë ku ka një normë të lartë fitimi. Nga ana tjetër, unë dyshoj se një pjesë e parave që na vidhen investohen në vende të tjera, sidomos në sektorin imobiliar, duke blerë apartamente e vila luksoze; ose thjesht depozitohen në llogaritë bankare të parajsave fiskale.

Ju besoni se elita politike është e korruptuar por si mund të ndryshojë kjo mendësi?

Mendësia e shoqërisë sonë vuan nga impakti i korrupsionit të vazhdueshëm të sistemit politik. Një pjesë duket sikur e ka relativizuar korrupsionin. Një pjesë tjetër ka mllef, por u duket vetja të pafuqishëm për të kthyer dorë. Gjithsesi vërej me gëzim që ka edhe një pjesë tjetër, në rritje të vazhdueshme, që është e gatshme të ngrejë zërin dhe të veprojë kundër korrupsionit dhe partive të vjetra si trupëzimi i tij. Kjo është pjesa e shoqërisë që ka potencialin të zgjojë nga dorëzimi të shkundë moralisht dy pjesët e tjera. Nëse kjo pjesë vitale arrin të përthithë brenda vetes një masë kritike shoqërore, atëherë do të nisë transformimi i madh i Shqipërisë. Lëvizja BASHKË synon të jetë katalizator i këtij procesi.

Si mund të forcohet legjitimiteti kur qytetarët të konsiderojnë se autoriteti ushtrohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë?

Sistemi i sotëm partiak nuk ka legjitimitet, në kuptimin e pranueshmërisë morale nga shoqëria. Ka ende vota, por janë vota të dhëna duke mbajtur hundën me dorë nga kundërmimi i korrupsionit dhe padrejtësive të panumërta. Sot askush nuk beson mirëfilli te partitë e vjetra. Problemi me një pjesë të shoqërisë është që ende nuk po gjejnë forcat për të besuar te vetja dhe te bashkëqytetarët. Kur ta realizojmë këtë – përmes aksionit politik, organizimit e ndërgjegjësimit – do të kemi një kundër forcë të mjaftueshme shoqërore për të ndërtuar një sistem të mirëfilltë demokratik me legjitimitet të lartë dhe aktiv.

A po bën drejtësi SPAK-u?

Pjesërisht. Është lajm i mirë që disa prej ujqve të politikës po përballen me drejtësinë, ndonëse jo në të gjitha rastet me akuza mjaftueshëm të rënda. Ama unë mbetem i pakënaqur që pushtetarë të lartë si kryeministri në detyrë apo kryetari i Bashkisë së Tiranës ende nuk po hetohen seriozisht dhe ndaj tyre nuk ka akuza për çështjen e inceneratorëve, bashkëpunimin me krimin e organizuar, lejet e ndërtimit etj. Po ashtu mungojnë hetimet për korruptuesit, pra oligarkët, të cilët me ryshfet ia kanë dalë të përfitojnë koncesione, leje ndërtimi dhe pozita monopoliste në ekonominë e vendit.

Duke iu referuar vendeve ku lufta sistemore kundër korrupsionit ka pasur sukses, mund të them se çka na mungon është kundërpesha shoqërore ndaj politikanëve të korruptuar. Prandaj unë dua që në Shqipëri të formohet sa më shpejt një lëvizje shoqërore antikorrupsion, e përbërë nga sindikata të reja, unione studentore, shoqata profesionistësh etj., të cilat do ta shkurajonin ndërhyrjen e politikanëve të korruptuar në sistemin e drejtësisë për të përfituar amnisti. Kështu ka ndodhur në Itali, kështu ka ndodhur edhe në disa vende të tjera të Evropës apo Azisë Lindore. Nga kjo lëvizje e nevojshme shoqërore do të inkurajoheshin prokurorët dhe gjykatësit e ndershëm, do të trembeshin politikanët e korruptuar dhe do të rritej vetëdija për të ndërtuar një shtet social e të së drejtës.

“Lëvizja Bashkë” a mundet dot t’i bëjë bashkë shqiptarët kundër pushtetarëve të korruptuar?

Synimi ynë është të bëjmë bashkë shumicën dërrmuese të shoqërisë jo vetëm kundër korrupsionit, por edhe për demokratizimin e shtetit, për nxitjen e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, për fuqizimin e kujdesit social nga ana e shtetit dhe për emancipimin e marrëdhënieve shoqërore. Jam i vetëdijshëm që kjo është rrugë e vështirë, por mua më duket se pas 33 vjetësh ka ardhur koha e hedhjes pas krahëve me përbuzje të sistemit të vjetër e të korruptuar partiak. Dora në zemër, dhe duke u përpjekur në maksimum që të ruaj gjykimin e ftohtë, unë mendoj se “Lëvizja Bashkë” është i vetmi subjekt politik që mund ta nisë këtë transformim të madh. Po vetëm nuk e bëjmë dot. Na duhet shumica dërrmuese dhe e shëndoshë e shoqërisë si interlokutore dhe bashkëvepruese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb