MAQEDONI- Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar kreu i partisë opozitare Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar sot se mbi 26 mijë qytetarë janë përgjuar, ndërsa mes tyre janë edhe liderët e partive politike.

Më herët Zaev kishte pohuar se do të publikonte të ashtuquajturat “bomba” me dëshmi dhe materiale kundër pushtetit aktual. Portali MKD, në tekstin me titull “Me cilat shërbime të huaja komunikon Zaev?” shkruan se Zoran Zaev ka mbledh 1.5 milionë material dhe fotografi. Para selisë së LSDM-së janë mbledhur dhjetëra qytetarë, ndërsa në mesin e mediave, janë edhe shumë media rajonale dhe ndërkombëtare.

Zaev në konferencën me gazetarët ka theksuar se në Maqedoni janë përgjuar mbi 26 mijë qytetarë, përfshirë atë vetë, liderë të partive politike opozitare, ministra, deputetë, gazetarë, biznesmenë, aktivistë të sektorit joqeveritar dhe mijëra qytetarë të tjerë.
Sipas tij, në këto përgjime masive nuk janë përgjuar vetëm telefonat e kryeministrit Nikola Gruevski dhe të shefit të shërbimit sekret DSK, Mijallkov. “Të gjitha dëshmitë dhe dokumentet tregojnë se vendi ynë është i ndarë në dy botë. Në njërën anë Gruevski dhe Mijallkov dhe në anën tjetër qytetarët. Kjo tregon se kush ka xhiruar dhe kush ka përgjuar”, deklaroi Zaev.

Ai theksoi se për këto ndjekje dhe përgjime masive, LSDM do të ngrejë kallëzim penal kundër drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov dhe Goran Gruevskit, i punësuar në këtë drejtori. Zaev gjithashtu shtoi se këto shërbime gjatë ditëve të kaluara kanë përgjuar mbi 300 biseda të tij, që i kishte zhvilluar me përfaqësues të opozitës.

Ai theksoi se DSK (Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit) është shndërruar në një monstër që kontrollon dhe përgjon 20 mijë qytetarë, opozitarë, gazetarë, biznesmenë, deputetë. “Ata me këtë kanë hyrë në jetën tonë private, duke folur edhe me fëmijët tanë. Qëllimi është e vërteta për Maqedoninë të dal për gjithë qytetarët”, theksoi Zaev.

Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndjek me kujdes gjithçka që publikon.
“Shkojmë hap pas hapi, për shkak të sensivitetit të materialeve. Do dëgjoni se si unë Zoran Zaev jam ndjekur dhe përgjuar viteve të fundit, edhe kur nuk kam qenë lider i partisë”, tha Zaev. Me këtë rast është publikuar një bisedë e përgjuar e liderit të LSDM me një gazetare të Evropës së Lirë. Më pas një bisedë me një zyrtar të komunës së Strumicës dhe më pas biseda të tjera me bashkëpunëtor partiak.

Sipas tij, Gruevski dhe Mijallkov kanë përgjuar edhe ministren e brendshme Gordana Jankullovska dhe zëvendëskryeministrin Zoran Stavrevski dhe kreun e VMRO-PP, Georgievski. Me këtë rast u publikuan materiale të një bisede të ministres Jankullovska me zëvendëskryeministrin Stavrevski, ku ata bisedojnë për çështje politike brenda qeverisë, por edhe çështje që kanë të bëjnë me opozitën dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

Gruevski dhe Mijallkov kanë përgjuar edhe Ali Ahmetin, Menduh Thaçin, Rufi Osmanin. Në këto biseda janë lëshuar disa materiale të përgjimit të një bisede të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit me Fatmir Deharin, për të biseduar për zgjedhjet. Gjithashtu është vënë për tu dëgjuar edhe biseda e Rufi Osmanit me një gazetar shqiptarë lidhur me zgjedhjet; Biseda e Menduh Thaçit me një aktivist të tij.

Lideri opozitar ka theksuar se të gjithë personalitetet dhe krerët e institucioneve publike në Maqedoni, si politikanë, gazetarë, klerikë, gjyqësori dhe prokuroria, biznesmenë, janë përgjuar. Ai kërkoi që Prokuroria menjëherë të nis hetimet.

(m.k/INA/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb