Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, priti në një takim zyrtar Drejtorin e Përgjithshëm të Migracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Bas Javid.
Biseda mes tyre u përqendrua në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Hoxha dhe Javid ndanë të njëjtin vlerësim se, Task Forca tre-palëshe Britani-Shqipëri-Kosovë është një model suksesi, që ka sjellë rezultate konkrete në adresimin e sfidave të përbashkëta, kryesisht migracionit ilegal të shqiptarëve drejt Anglisë.
Gjithashtu, ata ndanë qëndrimin për nevojën e zgjerimit të këtij modeli edhe në fusha të tjera të rëndësishme, siç është lufta kundër krimit të organizuar.
Duke vlerësuar kontributin dhe asistencën e ofruar nga pala britanike, ministri Hoxha theksoi se, “Shqipëria mbetet e përkushtuar për një partneritet të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të kontribuar në një Europë më të sigurt”.