Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dha mesazhin se do të vazhdojë duke u rritur mbështetja për Ukrainën, në të cilën ai zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare pas marrjes së detyrës, transmeton Anadolu.
Rutte, i cili më 1 tetor mori detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nga Jens Stoltenberg, mbajti një konferencë të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Kiev.
Ai theksoi se vizitën e tij të parë zyrtare si Sekretar i Përgjithshëm e zhvilloi në Ukrainë. “Ishte shumë e rëndësishme për mua të vija në Ukrainë në fillim të mandatit tim dhe t’ju tregoja hapur juve, popullit ukrainas dhe të gjithë atyre që na ndjekin se Sekretari i ri i Përgjithshëm dhe NATO është në anën e Ukrainës”, tha Rutte.
Duke thënë se mbështetja e Ukrainës është një nga prioritetet e tij, Rutte tha: “Ne jemi të vendosur të mbështesim Ukrainën sepse siguria juaj është e rëndësishme për ne dhe lufta juaj për liri pasqyron parimet dhe vlerat tona themelore”.
“Aleatët i kanë dhënë ‘mbështetje të pashembullt’ Ukrainës që nga fillimi i luftës në vitin 2022 e deri më tani”, potencoi Rutte duke nënvizuar se janë të vetëdijshëm se Ukraina ka nevojë për më shumë dhe se mbështetja do të rritet.
Anëtarësimi i Ukrainës në NATO
Rutte rikujtoi se aleatët ranë dakord në samitin e mbajtur në Washington se “rruga e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO është e pakthyeshme”. “Ukraina është më afër çdo herë me NATO-n dhe ne do të vazhdojmë të ecim përpara në këtë rrugë derisa të bëheni anëtar i aleancës”, tha ai.
Në përgjigje ndaj pyetjes nëse vendet aleate mund të shënjestrojnë apo jo raketat ruse që hyjnë në hapësirën e tyre ajrore, Rutte tha se “Rrëzimi i mjeteve ajrore pa pilot ose raketave që shkelin territoret aleate është natyrisht një vendim që duhet të merret nga autoritetet kombëtare”.
I pyetur për mendimin e tij për kërkesën e Ukrainës për të përdorur armët që ajo ka blerë nga aleatët e saj të NATO-s për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë, Rutte shtoi se vendimi përfundimtar për këtë çështje u takon vendeve aleate.