Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi se vaksinimi i shtyrë i poliomielitit në Gazën veriore, ku Izraeli nisi operacionet ushtarake në fillim të tetorit, do të rifillojë të shtunën, transmeton Anadolu.

“Nesër, faza e tretë e fushatës së vaksinimit ndaj poliomielitit do të fillojë në pjesën veriore të Rripit të Gazës, pasi ajo u shty javën e kaluar për shkak të bombardimeve intensive, urdhrave për evakuim masiv dhe mungesës së qasjes ose pauzave humanitare”, tha Ghebreyesus në një konferencë për media të OBSH-së.

Tedros theksoi se pauza humanitare është “e nevojshme” për të kryer fushatën, por shtoi: “Zona e pauzës është zvogëluar ndjeshëm dhe tani është e kufizuar vetëm në qytetin e Gazës”.

Duke vënë në dukje se faza e fundit e fushatës synonte të arrinte rreth 119.000 fëmijë nën moshën 10 vjeç, ai tha se “arritja e këtij objektivi tani është e pamundur, pasi kushtet në Gazën veriore përkeqësohen çdo ditë”.

Faza e parë e fushatës, e cila përfundoi më 12 shtator, përfshiu mbi gjysmë milioni fëmijë palestinezë.

Rreth 590.000 fëmijë në të gjithë Gazën supozohet të marrin dozën e dytë, sipas OBSH-së.

Tedros përmendi gjithashtu përpjekjet e agjencisë së OKB-së për të arritur në Gazën veriore, duke thënë se në dy javët e fundit, OBSH ka kryer gjashtë misione për të sjellë furnizime mjekësore dhe ushqim për stafin e spitalit dhe pacientët kur lejohet, si dhe karburant për të mbajtur funksional gjeneratorët.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: