KOSOVE- Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, Joseph Daul, ka përshëndetur formimin e qeverisë së re të Kosovës, nga koalicioni i LDK-së dhe PDK-së, që u votua sot në kuvend. Daul tha se Mustafa ka marrë një përgjegjësi të madhe në një kohë të vështirë për ti shërbyer vendit dhe qytetarëve.

 

“Do të doja të uroja kryeministrin e ri, Isa Mustafa dhe LDK-në për drejtimin e qeverisë së re në Kosovë-është hera e parë që LDK drejton qeverinë qëkurse është bërë një anëtar vëzhgues në PPE. Kryeministri Mustafa dhe partia e tij po marrin këtë përgjegjësi në një kohë shumë të vështirë, me qëllimin për tu shërbyer kosovarëve dhe prioriteteve të mëdha të Kosovës dhe jo vetëm interesave partiake”, është shprehur Presidenti i PPE-së.

 

Ai tha se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe qeverisje të përgjegjshme, në mënyrë që të implementojë reformat e domosdoshme ekonomike dhe sociale, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionin ashtu edhe vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe njëkohësisht duke ecur përpara me procesin e integrimit evropian.

 

“Jam i bindur se falë udhëheqjes dhe përvojës së tij politike, Isa Mustafa është personi i duhur për ta drejtuar suksesshëm këtë proces dhe ai dhe LDK-ja mund të llogarisin mbështetjen e PPE-së. Unë jam gjithashtu i bindur se Isa Mustafa do të punojë në mënyrë aktive me fqinjët e Kosovës për ta bërë Ballkanin një zonë me stabilitet të lartë dhe prosperitet, që do të sjellë përfitime jo vetëm për rajonin por për krejt Europën. Pres ta përshëndes kryeministrin Mustafa në Samitin e ardhshëm të PPE-së më 18 dhjetor në Bruksel”, është shprehur Presidenti i Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb