Gazetari Almer Toska në rubrikën Opinion në News24 tha se bandat kriminale janë të interesuara që të emërojnë Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit.

“Është vendosur se kush do të jetë drejtori i Policisë së Shtetit, atë e ka zgjedhur Belinda Balluku, e cila pasi mori 3 ministri, do të vendosë edhe Kryepolicin.

Rrumbullaku u largua për efektin e TIMS, ndërkohë që në SPAK janë Edmond Rizai, Neritan Nallbati, të cilët janë dy nyjet kyçe që janë emëruar nga bandat. Këta individë kontrollohen nga bandat, shitën informacionet e SPAK”, tha Toska.

Sipas tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përflitet se do të jetë Skënder Hitaj, i cili sot është drejtor i Policisë së Durrësit. Toska tha se ai është njeriu i Belinda Ballukut. Gjithsesi gazetari tha se në momentin e fundit, Kryeministri Edi Rama mund të vendosë edhe një emër tjetër.

“Belinda Ballukut i është besuar fati i zgjedhjeve, është njeriu kyç që do të vendosë fatin e zgjedhjeve. Por pa pasur Drejtorin e Përgjithshëm e Policisë nuk mund të përcaktojë fatin e zgjedhjeve”, tha Toska.

Në vijim ai u shpreh se opozita duhet të tregojë se është ndryshe, që nuk do të trembet, nuk do të intimidohet nga kjo qeveri.

“Shqiptarëve iu duhet thënë se ne jetojmë në një shtet despotik. Edi Rama është kthyer në një lloj faraoni, është aq i shfrenuar në fantazinë e tij sa do të krijojë edhe shtetin bektashi. Opozitës po i mbahet në arrest lideri i saj, pse po bëhet kjo? Opozita duhet të aplikojë modelin e njerëzve të aksionit, keni Ervin Salianjin, të cilin duan ta dënojnë për shpifje. Pse duan ta bëjnë këtë?”, tha Toska.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb