SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Ceno Klosi. Zyrtari i lartë, po hetohet për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, mashtrimit dhe falsifikimit të dokumenteve. Prokuroria e Posaçme konfirmoi përmes një shkrese zyrtare për ‘News 24’ se hetimet ndaj kryetatimorit Klosi u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike.
“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.
Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 6 muaj para kallëzimit të parë, opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi. “Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.
Klosi, i cili në krye të tatimeve, iu bindet me shumë urdhrave politikë, sesa ligjit, duke ndëshkuar padrejtësisht bizneset, ka punuar për 13 vite si specialist dhe drejtues sektorësh në banka të nivelit të dytë dhe më pas gjatë periudhës 2015-2021 ka mbajtur pozicionin si Drejtor i Departamentit Ekonomik në OSHEE. Në qershor të 2021 u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare Ujësjellës- Kanalizime dhe Mbetjeve të ngurta, ndërsa me VKM 625, datë 22/10/2021 u emëruar drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve. Emisioni Vetting në News 24 ka denoncuar se Ceno Klosi për 13 vite punë në sektorin privat arriti të blejë vetëm një apartament 6.8 milionë lekësh, ndërsa gjatë 6 viteve në detyra shtetërore vuri një pasuri prej gati 900 mijë euro, fakte të cilat duhet të hetohen nga SPAK.
(BalkanWeb)