Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar dokumente ku pretendon se vërtetohet që zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka shmangur Bursën në blerjen e energjisë, për të favorizuar disa kompani private.
Bardhi shprehet se sipas llogarive dëmi në buxhetin e shtetit ka qenë 180 mln euro, ndërsa shton se “ky është një krim shtetëror dhe aferë monstruoze që i bëhet popullit për të pasuruar Ballukun dhe personat pranë saj”.
Deklarata:
Dokumentet zyrtare tregojnë se me firmë dhe me vule Belinda Balluku ka vendosur që volumet e blera në tregun vendas të energjisë do të prokurohen EKSKLUZIVISHT nëpermjet tregut (ALPEX) në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 43/2015 të sektorit të energjisë elektrike, pavarësisht origjinës së energjisë në fjalë, duke filluar nga viti 2023.
Mirëpo, për llogari të një grushti klientësh privatë, në shkelje flagrante të ligjit, ka lejuar shitjen më lirë dhe blerjen më shtrenjtë të energjisë jashtë Bursës, duke i krijuar favorizim kompanive private dhe duke i sjell një dëm prej rreth 180 milion euro Buxhetit të Shtetit.
Ky është një krim shtetëror! Kjo është një aferë monstruoze që i bëhet një populli të varfër, që e paguan shtrenjtë energjinë elektrike, vetëm se Belinda Balluku dhe një grusht kompanish të përzgjedhur prej saj, kanë vendosur të pasurohen në kundërshtim me ligjin.
(BalkanWeb)