Në emisionin “Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24, ku është folur për krimet e komunizmit, politologu Ermal Hasimja tha se ajka e shoqërisë shqiptare ose përfunduan në burg ose në varreza. Dhe kjo ndodhi, sipas tij, sepse të parët që do të kundërshtonin komunizmin do të ishin intelektualët. “Në burg shkuan edhe ata që ishin të lidhur me ato vlerat tradicionale, në burg shkuan të gjithë priftërinjtë, ata që kishin lidhje me traditat”, tha Hasimja.

Studiuesi Erald Kapri tha se Burreli ishte i vetmi burg në Shqipëri që të burgosurit nuk u detyruan të punojnë.

“Xhaxhai i babait tim kur doli nga burgu për 20 vjet nuk foli fare sepse trembej se mund ta çonin sërish atje. Burgjet ishin instrument dhune. Në Shqipëri ka pasur afërsisht 20 mijë të burgosur politikë. Te të vrarët janë mbi 6 mijë të pushkatuar, por na mungojnë shifrat. Ka një dokumentacion të jashtëzakonshëm, por kërkohen burime njerëzore”, tha Kapri.

Ai tha se në Burrel u izoluan intelektualët, ata që konsideroheshin më të rrezikshmit për regjimin komunist. Kapri tha se në Shqipëri përgjatë 46 viteve të komunizmit ka pasur 100 vendvuajtje dënimesh, ku përfshihen burgjet, kampet e internimit, burgjet e përkohshme.

Ndërsa analisti Ergys Mërtiri u tha se shqiptarët që ishin në burgje apo kampe përqëndrimi detyroheshin të punonin, pasi në të kundërt mbylleshin në biruca, në dhoma izolimi. “Bënin punë të detyruar, kush nuk pranonte mbyllej në birucë, pavarësisht se ishin nënshkruar konventa kundër skllavërimit”, tha ai. Ai dha edhe një shifër mbi hapësirën që kishte një i burgosur në Burrel, duke dhënë se hapësira ishte 0.6 metra për secilin nga 8 metra që duhej të ishte. “Në vendin ku duhej të jetonte 1 person, ishin futur 11 të burgosur. Në burgun e Burrelit kishte rreth 20 të sëmurë mendorë, ku kishin filluar madje edhe krimet, sulmet me thika apo mjete të tjera të rrezikshme”, tha Mërtiri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb