TIRANË

Partia Demokratike ka dalë sot me një deklaratë zyrtare, me anë të së cilës dënon sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe drejtuesit, Agron Tufa. PD deklaron se dekomunistizimi nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Institut të pavarur që po punon për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.


Sipas PD, Edi Rama është organizator i sulmeve ndaj këtij institucioni dhe drejtuesit të saj. PD shprehet se në këto 6 vite të drejtimit të Shqipërisë nga Edi Rama, enverizmi ka forcuar pozitat e tij në vend.


DEKLARATA E PLOTË
Partia Demokratike denoncon veprimet e Edi Ramës me sulmet ndaj Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndaj Bordit të Institutit, si dhe ndaj drejtorit ekzekutiv Agron Tufa për shkakun e vetëm, se ky institucion i pavarur po punon për të zbuluar të vërtetën e krimeve të komunizmit.


Linçimi publik, fyerjet raciste qe bien ndesh me kushtetutën, kundër drejtuesve të këtij institucioni të pavarur nga bashkëpunëtorë të afërt të Edi Ramës dhe mosdistancimi i tij prej tyre, tregojnë se Edi Rama është organizator i sulmeve.

Në këto 6 vite të drejtimit të Shqipërisë nga Edi Rama, enverizmi ka forcuar pozitat e tij në vend. Këngë, filma, dokumentarë, simbole e xheste publike që glorifikojnë diktatorin komunist Enver Hoxha dhe regjimin e tij çnjerëzor, janë kthyer në normalitet gjatë qeverisjes së Ramës.

Sulmi ndaj këtij Instituti është i frymëzuar nga ish-oficerët dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kanë marrë drejtimin e Policisë, të Shërbimit Informativ dhe të organeve të reja të drejtesisë.

Rilindja e luftës së klasave kundër profesionistëve si Agron Tufa, që po përpiqen të vendosin një tullë në procesin e dekomunistizimit dhe lustracionit të shoqërisë, është pjesë e luftës primitive politike për të goditur çfarëdolloj kritike e opozicioni në vend.

E kaluara diktatoriale duhet të zbardhet krejtësisht. Dekomunistizimi i shoqërisë është një prioritet absolut në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Ai nuk duhet të ndalet nga përpjekjet e Edi Ramës për t’i imponuar Parlamentit shkrirjen e të vetmit Iinstitut të pavarur për Studimin e Krimeve të Komunizmit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb