TIRANË

Gjykata për Krime të Rënda ndryshoi masën e sigurisë për Emrah Plakun, një prej të dyshuarve si pjesë e bandës kriminale të drejtuar nga Safet dhe Enver Bajri. Nga arrest me burg, Plaku u dërgua në arrest shtëpie. Gjyqtari Klodian Kurushi urdhëroi që i dyshuari të mos largohet nga banesa e tij në Shkodër, qytet ku ushtronte aktivitetin banda kriminale dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç familjarëve, bashkëjetueses dhe avokatit mbrojtës.

Gjykata ka urdhëruar policinë e Shkodrës të zbatojë dhe mbikëqyrë në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë masën e sigurisë caktuar ndaj Plakut, ndaj të cilit rëndojnë dyshimet për mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe muncionit.

Ky vendim erdhi për faktin se masa e sigurisë arrest me burg, e caktuar ndaj të akuzuarit e kishte humbur efektin, pasi kishte kaluar çdo afat ligjor. Për këtë shkak, avokati Arbër Hoxhaj këmbënguli për lehtësimin e masës së sigurisë për të mbrojturin prej tij, duke ia dalë mbanë ta bindte gjykatën.

Emrah Plaku, u arrestua gjatë operacionit të zhvilluar me 6 shtator të vitit të kaluar në Shkodër. Fillimisht gjykata e Shkodrës caktoi ndaj tij masën e arrestit me burg, masë që më vonë u konfirmua nga Krimet e Rënda.

Më herët gjykata ka liruar nga qelitë e paraburgimit të tjerë të dyshuar të bandës “Bajri”, duke shfryrë në këtë mënyrë dhe bujën e superaksionit që u trumbetua vjeshtën e kaluar si një goditje e madhe e “Forcës së Ligjit”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb