TIRANË

Rreth një vit pas operacionit që goditi një nga bandat më të njohura kriminale, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon zgjatjen e afateve të hetimit për grupin Bajri. Kërkesa i është dërguar gjykatës, e cila më datë 20 shtator do të vendosë nëse do të zgjasë afatin e hetimit për Safet Bajrin dhe të arrestuarit e tjerë.


Shtatorin e kaluar në operacionin e koduar “Oaz”, policia dhe prokuroria shkatërruan një nga grupet më të fuqishme të botës së krimit që vepronte në Shkodër dhe jashtë vendit.


Hetimi nisi nga Krimet e Rënda në prill 2018, pak kohë pasi Shkodra ishte tronditur nga një shpërthim me lëndë plasëse me objektiv Lulzim Kullën, u mbyll me 11 persona të arrestuar. 4 nga anëtarët e grupit ishin prangosur në fillim të shtatorit, gjatë kontrolleve të shumta të policisë.


Përveç të prangosurve si ushtarë, mes të arrestuarve janë edhe Safet Bajri, i konsideruar mes njerëzve kryesorë të bandës dhe i vëllai Ilir Rustemi, gjithashtu me të njëjtin rol.
Një tjetër personazh kyç në grup është edhe Behar Bajri, i arrestuar në Roterdam, pasi ai u largua më shumë se një javë më parë nga Shqipëria. Informacioni për të u është përcjellë autoriteteve të huaja dhe në bashkëpunim me partnerët përfundoi në pranga. Behar Bajri u ekstradua nga Holanda në korrik të këtij viti.

“Është provuar në javët e fundit se anëtarët e këtij grupi kriminal kanë kanosur dhe shtrënguar disa shtetas për dhënie shumash të konsiderueshme parash. Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, theksoi Veliu pas operacionit

Grupi Bajri, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë, dyshohet se trafikonin lëndë të forta narkotike në Evropë dhe paratë e fituara nga ky aktivitet i investonin brenda vendit.

E provuar sipas prokurorisë është edhe akuza për dy vrasje, sikurse edhe e 15-vjeçares Fabiola Bajri, bashkëjetuese e njërit prej të dyshuarve. Vrasja e saj u raportua si vetëvrasje 20 vjet më parë, edhe pse gruaja ishte qëlluar me një plumb, ndërsa edhe pas të shtënave arma u gjet me fishekë gati për qitje. Krimi i dytë dyshohet se është kryer për shkaqe banale.

(BalkanWeb)