TIRANË- Sektori i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ka arrestuar 7 zyrtarë të disa institucioneve të rëndësishme në kryeqytet.

Sipas burimeve zyrtare policia ka vënë në pranga 3 inspektorë të Transportit Rrugor, 2 inspektorë të tatimeve në bashki dhe 2 inspektorë të tatimeve DRT, Tiranë. Arrestimet janë bërë në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë.

Zyrtarisht mësohet se pas një pune të organizuar nga seksioni për Korrupsionin në Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorin e Task-Forcës, së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është finalizuar me sukses operacioni “TATIMET” dhe operacioni “TAKSIDARI”, ku është bërë e mundur arrestimi në flagrancë i 7 shtetasve:

1. Gjovalin Cacja, 33 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë,
Me detyrën e inspektorit Tatimor, Drejtoria Tatimore Tiranë.
2. Gerta Marku, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
Me detyrën e inspektorit Tatimor, Drejtoria Tatimore Tiranë.
3. Kliton Shatku, 32 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë
Me detyrën e inspektorit të Terrenit Tatimor, për taksat vendore të Bashkisë Tiranë.
4. Saimir Sulaj, 31 vjeç, lindur në Fushë-Krujë dhe banues në Tiranë, Me detyrën e inspektorit Tatimor, Drejtoria Tatimore Tiranë.

Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar se këta Inspektor tatimor, me mosveprime e tyre në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë lejuar funksionimin dhe ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme biznesi në rrugën “Naim Frashëri”, Tiranë pa përmbushur detyrimet ligjore për regjistrimin e biznesit si dhe pagimin e taksave në Bashkinë e Tiranës.

Sa më sipër referuar veprimeve procedurale të deritanishme, rezulton se këta shtetas kanë shmangur detyrimet dhe taksat, ku prej 50 subjekte të kontrolluara vetëm në rrugën “Naim Frashëri” Tiranë, 10 prej tyre kanë rezultuar të paregjistruar dhe informal. Veprime të cilat për pasoj kanë sjell evazion dhe informalitet në një shkallë shumë të lartë dhe nuk janë mbrojtur interesat e ligjshëm të shtetit.
Theksojmë se shpërdorimi i detyrës me mosveprim ndaj punonjësve tatimorë është vërtetuar me faktin e konstatimit të bizneseve të cilat janë aktive dhe pse janë të paregjistruara, këqyrjet, sekuestrimet e kontratave ku është vërtetuar se këto aktivitete janë ekzistente për një periudhë jo më pakë se 1 vit kalendarik.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Shpërdorim detyre i personave që ushtrojnë funksione publike dhe moskryerja e detyrave nga organet tatimore i kryer në bashkëpunim”.

Nga ana e seksioni për Korrupsionin në Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorin e Task-Forcës, së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është finalizuar me sukses operacioni “TAKSIDARI”, i vitit 2015.

Nga ky hetim disa mujor u bë e mundur ndalimi i shtetasve:
5. Arlind Shtëpani, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Me detyrën e inspektorit rrugor pranë Drejtorisë të Transportit Rrugor Tiranë.
6. Leonard Dedej, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Me detyrën e inspektorit rrugor pranë Drejtorisë të Transportit Rrugor Tiranë.
7. Saimir Latifi, 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

Me detyrën e inspektorit rrugor pranë Drejtorisë të Transportit Rrugor Tiranë.
Nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedimi penal, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri tjetrin u kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime të paligjshme nga drejtues të ndryshëm automjetesh të tonazhit të rëndë, në këmbim të mosvendosjes së gjobave, shuma të cilat variojnë nga 1.000 lekë deri në 50 Euro për një rast. Nga ana jonë janë dokumentuar disa raste korruptive që variojnë nga të provuara këto shkencërisht, si me akte ekspertimi grafik.

Për këtë hetim prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka nxjerrë urdhrat për ndalimin e shtetasve të sipërpërmendur.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike i kryer në bashkëpunim”.
(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb