Komisionin e Ligjeve miratoi sot propozimin e deputetit të PS, Ervin Bushati, që parashikon ashpërsim të dënimeve në Kodin e Procedurës Penale për krimet zgjedhore. Sipas nismës së miratuar nga komisioni, të gjithë personat që do të kryejnë krime zgjedhore, duke cënuar zgjedhjet dhe sistemin demokratik, nuk do të shkelin dot jashtë territorit të Shqipërisë për 5-10 vite.


Por ndërsa Kodi i ri Penal, përfshirë ashpërsimet për krimet elektorale, pritet të kalojnë nesër në seancë plenare, në fjalinë e fundit të tij, referuar nenit 4, thuhet se: Ky ligj hyn në fuqi, 15 ditë pas botimit  në “Fletoren Zyrtare” c’ ka me një përllogaritje të thjeshtë kalendarike,  ndryshimet në kodin penal do të marrin fuqi prapavepruese pas datës 30 qershor.


Statusi i plotë i deputetit Ervin Bushati: 


“Paraqita në Komisionin e ligjeve propozimin për një ndryshim në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, me fokus krimin elektoral. Një nismë mjaft e rëndësishme e cila vë theksin edhe njëherë tek demokracia dhe shteti i së drejtës. Është shumë e rëndësishme që në Kod të përcaktohen qartë ndryshimet, ku të theksohen masat që do të ndërmerren në rast se dikush cënon zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve.

Nisma e paraqitur sot thekson se kushdo që kryen krim elektoral nuk do të lejohet të dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë nga 5 deri në 10 vite.

Vendi ynë ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit dhe krijimit të shtetit të së drejtës, ku drejtësia ëshë e barabartë për të gjithë. Reforma në drejtësi është kryekurora e çdo reforme tjetër të ndërmarrë dhe ashpërsimi i Kodit Penal për çdokënd që cënon demokracinë dhe votën e lirë shihet si një domosdoshmëri imediate, ndaj edhe kjo rrëmujë që po ndodh ditët e fundit nuk është gjë tjetër përveçse frika që ish-opozita jonë ka nga reforma në drejtësi.

Falenderoj kolegët e Komisionit të Ligjeve, Kryetarin e Komisionit të Ligjeve z. Ulsi Manja, Kreun e Grupit Parlamentar Z. Taulant Balla dhe Kryeministrin z. Edi Rama të cilët e mbështetën këtë nismë: e cila është një domosdoshmëri për mbarëvajtjen e demokracisë në vend.” -shkruan Bushati në facebook.

(BalkanWeb)