KORÇË

Të tjera detaje dalin për ngjarjen e rëndë në Korçë ku një 50-vjeçar ka mbytur me duar nënën e tij, me të cilën dhe jetonte prej vitesh.

Nazime Demollari, 80 vjeç u gjet e pajetë sot në banesën e saj në lagjen 14 në Korçë, e pranë trupit ka qëndruar deri sa ka ardhur policia edhe i biri, që për ironi të fatit kishte të njëjtin emër me nënën por në gjininë mashkullore.

Gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se Nazim Demollari është gjetur nga policia pranë trupit të nënës në dhomën e gjumit, pak minuta pasi e kishte mbytur me duar.
Shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë sjellja e 50-vjeçarit i cili ishte një përdorues i rregullt i alkoolit. Në sherr e sipër, ai i ka futur duart në fyt nënës së tij duke i marrë jetën.

DËSHMITË
Fqinjët e familjes Demollari tregojnë se ishin në dijeni të problemeve të vazhdueshme të nënës me djalin. Nazim Demollari ishte divorcuar nga gruaja dhe që pas ndarjes jetonte me nënën e moshuar. I papunë dhe pa asnjë të ardhur, 50-vjeçari i ishte dorëzuar pijes dhe grindjet me nënën e tij ishin të paevitueshme.

Fqinjët kanë dëgjuar herë pas here debate mes tyre. Dyshimet se krimi mund të ketë ndodhur për çështje pronësie nuk janë pistë hetimi e policisë pasi familja ishte e varfër dhe nuk kishte prona. Aktualisht autori është shoqëruar nga policia por ende nuk është marrë në pyetje pasi ndodhet në gjendje shoku.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: