Ende pa u shuar zhurma e krimit makabër të ndodhur më 24 janar në Zallbastar, kryeqyteti u trondit nga një tjetër vrasje. 50-vjeçari Arben Bilali, ish-efektiv policie, u vra me breshëri automatiku shumë pranë banesës së tij në zonën e Selitës. Ngjarja ndodhi rreth orës 14.30 në një prej rrugicave mes një blloku me shtëpi private ku atentatorët u afruan me një mjet tip “Benz” dhe qëlluan me breshëri drejt 50-vjeçarit i cili ishte duke ecur në këmbë.

Fillimisht viktima mbeti i plagosur rëndë, dhe humbi jetën sapo mbërriti në spitalin ushtarak. Të shtënat në mes të ditës në një bllok banimi shkaktuan panik tek shume qytetare.
Policia e Tiranës ka grumbulluar pamjet e rreth 30 kamerave të sigurisë që nga “Vasil Shanto” deri në Selitë ku shfaqet mjeti me të cilin lëviznin atentatorët. Bëhet fjalë për një automjet tip “Benz” të zi, me targa të falsifikuara ku ishin 2 persona që dyshohet se janë vrasës me pagesë. Në këtë pistë ka mbërritur policia nisur nga mekanizmi i vrasjes.

Pas ngjarjes policia iu dha karakteristikat e mjetit të gjitha shërbimeve dhe ngriti pika të shumta kontrolli në të gjithë kryeqytetin. Shkak për ngjarjen sipas burimeve të policisë është hakmarrja për disa vrasje të ndodhura ne këtë familje.

Vrasja e kësaj të mërkure është e treta për familjen Bilali. Hakmarrja me këtë familje ka nisur që në 1997, me vrasjen e Bujar Bilalit, vëllai i viktimës së sotme.
Vrasja në 1997 dyshohet se ndodhi për ngatërresë objektivi, megjithatë kjo pasoi një konflikt të gjatë mes kësaj familje dhe një grupi kriminal që ka aktivitet në këtë zonë.

Në maj të 2010 po në Selitë u vra Leonard Bilali dhe tre muaj më vonë u tentua të vritet Arben Bilali, i cili i shpëtoi atij atentati për t’u vrarë 9 vite më vonë.
Nga frika e vrasësve, 50-vjeçari qëndronte i ngujuar në banesë dhe nuk dilte edhe për raste familjare.

Familja Bilali ka marrë masa të shumta edhe për ruajtjen e banesës 3 katëshe, duke instaluar kamera në çdo çep të saj por pavarësisht ruajtjes dhe faktit që dilte shumë rrallë nga banesa Arben Bilali nuk i shpëtoi plumbave që i morën jetën.

Policia e Tiranës ka ngritur një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e kësaj ngjarje ku pjesë e tij janë edhe oficerë të shërbimit për çështje të brendshme dhe ankesat. Bashkëshortja e viktimës është punonjëse policie dhe aktualisht punon në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe nuk përjashtohet edhe një konflikt për shkak të detyrës. Për ngjarjen policia e Tiranës ka shoqëruar rreth 10 persona si të dyshuar, mes të cilëve edhe një anëtar të familjes me të cilën ishin në konflikt Bilalët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: