Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë demokratike, Ivi Kaso, ka zbardhur detaje të reja nga platforma e opozitës së bashkuar për Reformën Zgjedhore. I ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News24”, Kaso deklaroi se platforma e opozitës përmban shumë elementë të rëndësishëm, duke filluar nga dekriminalizimi e deri te krimi zgjedhor, që sipas tij, opozita kërkon t’i kalojë SPAK-ut.

Duke u shprehur se problemi me zgjedhjet në Shqipëri nuk është sistemi zgjedhor, Kaso, i cili ishte sot si përfaqësues i opozitës së bashkuar në tryezën e OSBE për Reformën Zgjedhore, tha se opozita kërkon ngritjen e një forumi të drejtuar ose survejuar nga ndërkombëtarët, ku palët politike të përfaqësohen në mënyrë të barabartë dhe të bëjnë propozimet e tyre për gjithçka duhet rregulluar, që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira e të ndershme.

“Mbështetje e plotë për një reformë të vërtetë zgjedhore, që synon të adresojë problemet e vërteta dhe plagët e rënda që ka sistemi zgjedhor. Reforma duhet të jetë e vërtetë, të adresojë problematikat. Ndryshimi ose jo i sistemit zgjedhor nuk i shëron plagët. Duhet një sistem që garanton një përfaqësim më të drejtpërdrejtë. Sistemet janë të shumta, edhe propozimet. Qëndrimi jonë ka qenë pro hapjes së një diskutimi gjithëpërfshirës për të diskutuar të mirat dhe të këqijat e sistemit dhe për të diskutuar se cili është sistemi më i mirë. Pas diskutimit, opozita do të dalë me një përgjigje. Zgjedhjet deri më sot nuk i ka vrarë sistemi. Problemet e zgjedhjeve janë shumë më të thella dhe kërkojnë ndryshime të thella, deri në procesin zgjedhor.

Komisioni zgjedhor është produkt i zgjedhjeve të 2017, që janë zgjedhje kriminale. Nuk kemi shumë palë të ulura aty, por kemi vetëm një palë. Është një parlament monopartiak, që përfaqësohet dhe reflektohet 100% në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ne duam të krijohet një forum, që të ketë në përbërje përfaqësues të besueshëm ndërkombëtarë. Forumi të drejtohet ose survejohet nga ndërkombëtarët dhe palët të përfaqësohen në mënyrë të barabartë, me një përfaqësues të parlamentit monopartiak dhe një të opozitës.

Edhe në raportet e ODIHR nuk është konsideruar si problemi kryesor e i vetëm ndryshimi i sistemit zgjedhor. Nxitimi për ta adresuat problemin te ndryshimi i sistemit është tentativë për të devijuar.

Nëse forumi do jetë i përshtatshëm, opozita e bashkuar ka platformën e saj sa i përket çlirimit të zgjedhjeve me propozime konkrete dhe ndryshime, qoftë edhe të Kushtetutës, nëse do jenë nevoja, për të dhënë sa më shpejt zgjidhje. Nuk do të humbet asnjë minutë kohë nga opozita për të dhënë propozime konkrete dhe draftuar zgjidhje konkrete. Problematikat tona kanë të bëjnë me dekriminalizimin, shkëputjen e zyrtarëve të lartë me krimin dhe me paratë e krimit, financimin e partive politike, shpërdorimin e burimeve dhe resurseve të administratës nga qeveria.

Për të gjitha këto ne kemi dhënë përgjigjet tona, siç edhe kthimin në krim të rëndë të shit-blerjes së votës dhe kalimin e tyre te SPAK. Kemi propozuar financim 100% shtetëror të partive politike, për të hequr dorë nga financimet private. Kemi dhënë propozimet tona, sa i përket mediave, dhe për çdo element tjetër të rëndësishëm. Platforma do të diskutohet në forum, ashtu siç do të dëgjojmë edhe ne propozimet e palëve”, tha Kaso.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb