TIRANË– Në mesnatë besimtarët katolikë kanë nisur meshën që simbolizon lindjen e Krishtit. Mesha për besimtarët katolikë ka nisur në orën 00:00 në katedralen e ‘Shën Palit’, ndërsa për besimtarët ortodoksë ceremonia u zhvillua në orët e para të mëngjesit të sotëm. Besimtarë nga Tirana por jo vetëm, kanë sfiduar edhe temperaturat e ulëta për të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtë.

Mesha u mbajt nga Arqipeshkvi mitropolit Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirdita. Ai uroi të gjithë besimtarët për më shumë dashuri dhe mirësi, ndërsa u shpreh se lindja e Krishtit hapi një epokë të re. Më tej Imzot Rrok Mirdita tha se Krishti zgjodhi të jetë me njerëzit, ndërsa feja e krishterë në miqësi me Krishtin.
Edhe në kishën Orthodokse, është kremtuar Lindja e Krishtit. Në meshën e mbajtur nga kryepeshkopi Anastas, besimtarët ortodoksë janë lutur në emër të Krishtit.
“Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore”, tha kryepeshkopi Anastas.
Mesha u mbajt ne greqisht dhe u perkthye nga nje prift ne salle.

Kryeministri, Edi Rama nëpërmjet një statusi në rrjetin social ‘Twitter’ uroi të gjithë besimtarët për Krishtlindjen, ndërsa njoftoi se muri i kryeministrisë do të jetë gati nesër për dërgimin e mesazheve dhe fotove. ‘’Gezuar Krishtlindjet! Muri i KM është gati që nesër për të shkruar mesazhet e lënë dhe fotot tuaja #Shqiperiadhuron’’- ka shkruar Rama në ‘Twitter’.
Sot ne mesdite postoi nje foto me nje vajze te vogel ne krahe. Fotoja u realizua nje dite me pare me femijet e policeve te vrare ne detyre dhe ushtarakeve me sherbim jashte vendit.

NISHANI: MIRËSI PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO QË JETOJNË
Pasi ka vizituar Katedralen ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, kreu i Shtetit Bujar Nishani ka uruar sërish gjithë besimtarët e krishterë për festen e Krishtlindjeve. Ai uroi sa më shumë të mira për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë

“Edhe njëherë gëzuar, urimet më të mira për besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ku janë në Shqipëri, në të gjitha viset shqiptare, në diasporë, në emigracion. Paçin gjithmonë mirësi”

RAMA: BESIMPLOTË SE E ARDHMJA DO JETË EDHE MË E MIRË SE SOT

Kryeministri Edi Rama ka uruar besimtarët e krishterë por edhe të gjithë shqiptarët në faqen e tij zyrtare të Facebook, nëpërmjet një kartoline ku shfaqet me një vajzë të vogël, të cilën e mban në krah. “Gëzuar Krishtlindjen!”, është urimi i thjeshtë dhe domethënës i kreut të qeverisë.

“Kjo është një festë ku kremtojmë gëzimin e jetës, forcën e dashurisë, solidaritetin me njëri-tjetrin, besimplotë se e ardhmja do jetë edhe më e mirë se sot. Gëzuar!”, ka uruar kryeministri Rama.

META: MBARËSI PËR TË GJITHË, BEKIME DHE GËZIME NË FAMILJE

Urimeve për festën e Krishtlindjeve i është bashkuar sot edhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta. Pas vizitës në selinë e Katedrales Ortodokse, sëbashku me bashkëshorten Monika Kryemadhi, Meta ka dhënë mesazhin e tij të urimit për më shumë mbarësi.

“Në këtë ditë Krishtlindje do uroja të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe gjithë popullit shqiptar mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre, natyrisht edhe në gjithë shoqërinë tonë”.

BASHA: GËZUAR KRISHTLINDJEN! FESTËN E SHPRESËS, DASHURISË E TË BESIMIT
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zgjodhi qytetin e Shkodrës për të uruar Krishtlindjen për të gjithë shqiptarët.
“Nga margaritari i respektit dhe i bashkëjetesës fetare për Shqipërinë, Ballkanin, Europën dhe mbarë botën, nga zonja Shkodër dua të uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve; Gëzuar Krishtlindjen! Festën e shpresës, dashurisë e të besimit. I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre, ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e ditës së sotme, të na frymëzojë e të na bëjë optimistë për një të nesërme më të mirë. Gëzuar! ”

AVOKATI I POPULLIT: SHPRESË PËR NJË TË ARDHME MË TË MIRË
Urimeve të festës së krishtlindjes i është bashkuar sot edhe Avokati i Popullit Igli Totozani, i cili në mesazhin e tij uron një të ardhme më të mirë për të gjithë, veçanërisht të varfërve, të pamundurve, të vetmuarve, të cilëve siç thotë ai iu duhet shërbyer me dhembshuri.

“Gëzuar Krishtlindjen. Gëzim, lumturi dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. Një urim të veçantë për të gjithë ata qytetarë që vuajnë, që jeta iu është bërë më e vështirë. Për të gjithë ata shërbëtorë të shtetit, mjekë e infermierë, punonjës të policisë së shtetit, të vendeve të privimit të lirisë, asistentë socialë në qendra rezidenciale që lindja e Krishtit i gjeti në ushtrim të misionit të tyre human. Shërbejini çdo dite si kjo, me dhembshuri të varfërve, të pamundurve, të vetmuarve, qytetarëve në nevojë dhe mos harroni; Krishti është në secilin prej tyre”.

HISTORIA E KRISHTLINDJEVE
Ashtu sikurse shumë elementë të tjerë mitologjikë, të pranuar për të stolisur e pasuruar Krishtërimin bashkëkohor, ndër të cilët arkeologët, historianët dhe teologët përmendin veçanërisht mitet mitraiste, zoroastriane, egjiptiane dhe babilonase, edhe festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët, siç sqaron “The Ëorld Book Encyclopedia”, në festimet e lashta të festës së Saturnit, apo “Saturnaleve”, nga ana e romakëve parakristianë. Festime të ngjashme vihen re tek Mitraizmi, i cili i ka fillimet e veta qysh në shekullin VI p.e.s. në Persi dhe Indi. Uilliam Edelen, në artikullin e tij “Christian Mythology”, vëren se Mitra, gjithashtu, kishte lindur nga një virgjëreshë, në prani të barinjve. Shpëtimtari i madh dhe perëndia Mitra, i adhuruar në Indi dhe në Persi, njihej me cilësime si “rruga”, “e vërteta”, “jeta”, “drita”, “fjala”, “biri i Zotit” dhe “Bariu i Mirë”. Ai përfytyrohej dhe paraqitej në arte vizuale me një qengj në krahë, ndërsa në besimin mitraist, njëlloj si në Krishtërimin bashkëkohor, dita e diel quhej “dita e Zotit”. Tek Mitraizmi, dita e 25 dhjetorit, e cila më vonë do t’i bashkangjitej traditës së Krishtlindjeve, përjetohej me festime madhështore, me këmbana, hymne, qirinj e shkëmbim dhuratash, ndërsa ndjekësit e këtij besimi merrnin pjesë në një meshë të posaçme. Nga 25 dhjetori deri në ekuinoksin e pranverës (Estra apo Pashka), ekzistonte një 40 ditësh adhurimi e ritualesh që më vonë do të shndërrohej në kreshmën e krishterë.
Edhe në Indinë e kohëve të lashta, 25 dhjetori pritej me festime të mëdha me karakter fetar. Shtëpitë zbukuroheshin me kurora lulesh e gjethesh, ndërsa njerëzit shkëmbenin dhurata e urime të shumta me njëri-tjetrin. Buda (Buddha) në Kinën e lashtë besohej të kishte lindur më 25 dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja. Më 25 dhjetor, egjiptianët e lashtë festonin lindjen e shpëtimtarit të tyre të madh, Horusit, zoti i dritës dhe biri i nënës virgjëreshë Isis, mbretëreshë e qiejve. Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe i botës së nëndheshme në Egjiptin e lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 dhjetor. Shumë kohë përpara konvertimit në Krishtërimin ortodoks, grekërit festonin 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i zotit suprem të grekërve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme, Alcmena. Bakusi romak, i njohur nga grekërit me emrin “Dionisi”, perëndi i verës dhe muzikës, besohej të kishte lindur, gjithashtu, më 25 dhjetor. Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekërit e lashtë, kishte lindur mrekullisht më 25 dhjetor. Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit, sipas të dhënave historike dhe arkeologjike, janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njejtën shpellë ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik. Edhe skandinavët parakristianë festonin “Krishtlindjen” e tyre më 25 dhjetor. Për ta kjo ditë shënonte ditën e lindjes së zotit të tyre të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i perëndisë së lartë të qiejve, Odinit.

(d.d/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb