TIRANE- Redaksia e BalkanWeb uron të gjithë besimtarët “Gëzuar Krishtlindjet!” Në vigjilje të festës së Krishtlindjeve, uron edhe politika.

Kryeministri Rama ka pritur mesnatën për të uruar shqiptarët “Gëzuar Krishtlindjet!” dhe ftuar ata që me këtë rast, të lënë në murin e Kryeministrisë një mesazh apo imazh për të ndarë gëzimin e festave.

“Lini në mur mesazhin apo imazhin tuaj, – shkruan Rama në Fb, – për të ndarë gëzimin e festave me kë dëshironi dhe përmes mesazhit, për të derdhur një grimcë drite në shpirtin e kujt ka nevojë për solidaritetin tuaj! Gëzuar! Gëzuar Krishtlindjet! Muri i Kryeministrisë është gati për të shkruar mesazhet e lenë fotot tuaja.”

Pasqyrimi me projektor mbi muret e Kryeministrisë është një risi e futur nga kreu i ri i Qeverisë, edi Rama, në evenimente me rëndësi kombëtare për të shtuar sensibilizimin e publikut dhe afruar qytetarët me qeverinë.

URIMI I KRYETARIT TE PD, LULZIM BASHA

Ndërsa kreu i opozitës, Lulzim Basha, në mesazhin e tij shpreson që e nesërmja të jetë më e mirë se e djeshmja. Urimin e tij, të përcjellë nëpërmjet profilit në Facebook, Basha e ka shoqëruar edhe me një foto të Tiranës, ku nuk mungon atmosfera festive.

“Të dashur miq, besimtarë të krishterë, besimtarë të Zotit, Gëzuar Krishtlindjen këtë festë të dashurisë, shpresës dhe besimit. Ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve dhe çdo shqiptari që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, për ju dhe familjet tuaja. Gëzuar”.

Nishani shprehet se, “sot ne kremtojmë duke festuar të gjithë sëbashku, festat e njeri – tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare” e në këtë këndvështrim, ka bërë thirrje për solidaritet, pasi ‘zemrat tona rrahin dhe për njerëzit fatkeqë.”

MESAZHI I PLOTË I PRESIDENTI BUJAR NISHANI
“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ku ndodheni!Me rastin e ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta në këto çaste të lumtura!

Dita simbol e lindjes së Krishtit dhe e farkëtimit të besimit në Zot, lind sërish në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat dhe përjetimet e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, ku të gjithë bashkojnë përpjekjet për të përsosur vlerat më të larta e më fisnike njerëzore.

Sot ne urojmë familjarët, të afërmit, miqtë, të njohurit ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare.

Në këtë ditë të bekuar, mendja na shkon dhe zemrat tona rrahin për njerëzit fatkeqë, të cilët kanë më shumë nevojë për ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore: për ata që ndihen të vetmuar, të braktisur, të pamundur e të sëmurë, për ata që kanë humbur përkohësisht shpresën dhe besimin tek e ardhmja duke u përpjekur sadopak t’ua rikthejmë ato e t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet.

Kremtimi i Krishtlindjes na ofron një mundësi të mirë për të rritur solidaritetin tonë njerëzor duke i uruar shoqi-shoqit jo vetëm shëndet dhe begati, por edhe duke u përpjekur së bashku si komb për t’i arritur dhe jetësuar ato për të gjithë pa dallim!

Kjo Krishtlindje po festohet në mbyllje të një viti mbresëlënës e historik kur mikpritëm denjësisht Atin e Shenjtë dhe morëm me meritë statusin e vendit kandidat.
Nuk na mbetet veçse të lemë mënjanë ndasitë e përkohshme e të bashkojmë forcat, energjitë dhe mençurinë, me urimin që Zoti do të vazhdojë ta bekojë Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugëtimin tonë të pandalshëm drejt begatisë e përparimit, si dhe për t’u bërë pjesë e denjë e familjes së madhe evropiane! Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjen!”- thuhet në përfundim të mesazhit.

HISTORIA E KRISHTLINDJEVE
Ashtu sikurse shumë elementë të tjerë mitologjikë, të pranuar për të stolisur e pasuruar Krishtërimin bashkëkohor, ndër të cilët arkeologët, historianët dhe teologët përmendin veçanërisht mitet mitraiste, zoroastriane, egjiptiane dhe babilonase, edhe festimet e Krishtlindjeve i kanë rrënjët, siç sqaron “The Ëorld Book Encyclopedia”, në festimet e lashta të festës së Saturnit, apo “Saturnaleve”, nga ana e romakëve parakristianë. Festime të ngjashme vihen re tek Mitraizmi, i cili i ka fillimet e veta qysh në shekullin VI p.e.s. në Persi dhe Indi. Uilliam Edelen, në artikullin e tij “Christian Mythology”, vëren se Mitra, gjithashtu, kishte lindur nga një virgjëreshë, në prani të barinjve. Shpëtimtari i madh dhe perëndia Mitra, i adhuruar në Indi dhe në Persi, njihej me cilësime si “rruga”, “e vërteta”, “jeta”, “drita”, “fjala”, “biri i Zotit” dhe “Bariu i Mirë”. Ai përfytyrohej dhe paraqitej në arte vizuale me një qengj në krahë, ndërsa në besimin mitraist, njëlloj si në Krishtërimin bashkëkohor, dita e diel quhej “dita e Zotit”. Tek Mitraizmi, dita e 25 dhjetorit, e cila më vonë do t’i bashkangjitej traditës së Krishtlindjeve, përjetohej me festime madhështore, me këmbana, hymne, qirinj e shkëmbim dhuratash, ndërsa ndjekësit e këtij besimi merrnin pjesë në një meshë të posaçme. Nga 25 dhjetori deri në ekuinoksin e pranverës (Estra apo Pashka), ekzistonte një 40 ditësh adhurimi e ritualesh që më vonë do të shndërrohej në kreshmën e krishterë.
Edhe në Indinë e kohëve të lashta, 25 dhjetori pritej me festime të mëdha me karakter fetar. Shtëpitë zbukuroheshin me kurora lulesh e gjethesh, ndërsa njerëzit shkëmbenin dhurata e urime të shumta me njëri-tjetrin. Buda (Buddha) në Kinën e lashtë besohej të kishte lindur më 25 dhjetor, pas zbritjes së shpirtit të shenjtë mbi nënën e tij të virgjër, Maja. Më 25 dhjetor, egjiptianët e lashtë festonin lindjen e shpëtimtarit të tyre të madh, Horusit, zoti i dritës dhe biri i nënës virgjëreshë Isis, mbretëreshë e qiejve. Osirisi, perëndia i të vdekurve dhe i botës së nëndheshme në Egjiptin e lashtë, biri i një virgjëreshe të shenjtë, besohej të kishte lindur më 25 dhjetor. Shumë kohë përpara konvertimit në Krishtërimin ortodoks, grekërit festonin 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Herkulit, biri i zotit suprem të grekërve, Zeusit, të lindur përmes gruas së vdekshme, Alcmena. Bakusi romak, i njohur nga grekërit me emrin “Dionisi”, perëndi i verës dhe muzikës, besohej të kishte lindur, gjithashtu, më 25 dhjetor. Adonisi, një tjetër perëndi i ringjallur nga vdekja dhe i adhuruar nga grekërit e lashtë, kishte lindur mrekullisht më 25 dhjetor. Adhuruesit e tij organizonin çdo vit festime madhështore, ku përkujtonin plot simbolika e rituale vdekjen dhe ringjalljen e tij. Ceremonitë e lindjes së Adonisit, sipas të dhënave historike dhe arkeologjike, janë zhvilluar në të njëjtin vend dhe në të njejtën shpellë ku sot besohet të ketë lindur Jezusi biblik. Edhe skandinavët parakristianë festonin “Krishtlindjen” e tyre më 25 dhjetor. Për ta kjo ditë shënonte ditën e lindjes së zotit të tyre të qiejve, Frejrit (Freyr), biri i perëndisë së lartë të qiejve, Odinit.

KRISHTLINDJET E PARA ISHIN NË MAJ, PRILL E JANAR
Në një numër të madh të kishave të shekujve të parë ishte zakon, në përgjithësi, të kremtuarit e vdekjes dhe jo të lindjes së personave të shquar, pasi Bibla (Mateu 14:6-10) aludon për një lidhje të mundshme të festimit të Krishtlindjeve me traditat pagane. Edhe vetë Jezusi biblik, i cituar në letrën e parë drejtuar Korintasve (11:24-26), duket se nxit ithtarët e tij që të përkujtojnë vdekjen dhe jo lindjen e tij. Studiuesit dhe teologët na bëjnë me dije se një pjesë e kishave të krishtera kremtonin ditëlindjen e Krishtit në maj, prill apo janar. Vetë teksti biblik duket se nuk mbështet lindjen e Jezu Krishtit në dhjetor. Bibla na thotë se në kohën e lindjes së Jezusit, barinjtë ishin ende fushave natën (Luka 2:8-12) dhe kjo, duke njohur kushtet klimaterike të zonës gjeografike, për të cilën bëhet fjalë, nuk mund të ndodhë në dimrin e ftohtë të dhjetorit.
Një tjetër tekst që flet për lindjen e Jezu Krishtit është edhe Kurani, libri i shenjtë i Islamit. Në këtë libër Jezusi dhe nëna e tij, Maria, përmenden me shumë admirim

25 DHJETORI, SIMBOLIKË E NXITUR NGA PERANDORI ROMAK ME ORIGJINË SHQIPTARE, KOSTANDINI
Është interesante të vihet re se festimi i Krishtlindjes më 25 dhjetor ka shumë mundësi të lidhet me veprimtarinë e perandorit romak me origjinë ilire, Kostandinit, i cili, si shumë perandorë të tjerë romakë, njihej si “inkarnimi” apo “trupëzimi” i Diellit, që në atë kohë adhurohej nga romakët si perëndi. Pas konvertimit në Krishtërim, ky perandor me gjak shqiptar udhëhoqi Konçilin e Niçeas (viti 325 e.s.), në të cilin Krishtërimi njohu për herë të parë në mënyrë zyrtare doktrinën e “trinisë së shenjtë”. Kostandini e orientoi besimin e krishterë jo drejt një ndarjeje të ashpër me paganizmin, por e pasuroi besimin e ri me shumë elementë ekzistues në besimet e mëparshme romake. Në këtë kuadër, historiani Eduard Gibon sqaron se “të krishterët romakë, të cilët nuk e dinin datën e lindjes së tij (Krishtit), përcaktuan si festë solemne 25 dhjetorin, Brumalinë, apo Solsticin e Dimrit, të cilin paganët e festonin çdo vit në përkujtim të lindjes së Diellit”.

SIMBOLIKA E PEMËS SË KRISHTLINDJEVE
Edhe përgatitja e pemës së Krishtlindjeve është një traditë që shtrihet në kohë më të hershme se Krishtërimi. Pema e Krishtlindjeve është përdorur, fillimisht, nga popujt gjermanikë dhe keltë. Duke qenë se ajo pemë ishte e gjelbër edhe në stinën e dimrit, besohej se ajo kishte fuqi të veçanta mbrojtëse përballë fatkeqësive natyrore dhe shpirtrave të këqinj. Ajo stolisej, në veçanti, në fund të dhjetorit, pasi në këtë kohë niste të vihej re zgjatja e orëve të ditës dhe kjo shënontë, në besimin e popujve në fjalë, mposhtjen e forcave negative të errësirës dhe të ftohtit dhe triumfin e dritës. Krishtërimi e bëri të tijën edhe këtë traditë të hershme, por tashmë me një simbolikë të re. Pema e krishtlindjeve do të simbolizonte gjelbërimin e Parajsës, apo Kopshtit të Edenit. Përdorimi i pemës së Krishtlindjeve nga të krishterët ka nisur në fillimin e shekullit të 17-të në Strasburg, në Francë, për t’u përhapur më pas në Gjermani, në Europën Veriore e Britaninë e Madhe dhe, së fundi, në Amerikë.

NË MEKSIKË, FESTIMET MË TË GJATA DHE MË TË ZHURSHME TË KRISHTLINDJEVE
Meksika njihet si vendi, në të cilin festimet e Krishtlindjeve nisin më herët dhe mbarojnë më vonë. Gjithçka nis më 16 dhjetor me të ashtuquajturat “posada” (prehje, pushim). Posadat zgjasin nëntë ditë, deri në vigjilje të Krishtlindjeve dhe bëhen për të përkujtuar endjen e vetmuar të Jozefit dhe të Marisë në qytetin e Betlehemit deri në çastin kur gjetën strehë. Gjatë posadave, një grup njerëzish bartin statueta të Jozefit e Marisë, të cilat i dërgojnë në një shtëpi, duke i shoqëruar këto rite me këngë, tekstet e të cilave kërkojnë qetësi e prehje (posada). Ata që ndodhen brenda shtëpisë përgjigjen po me këngë dhe më pas vizitorët futen në shtëpi bashkë me statuetat e shëmbëlltyrat e tjera të Jozefit e Marisë. Aty festa vazhdon me disa njerëz me sy të mbyllur e me shkopa në duar, të cilët përpiqen të thyejnë “pinjatën”, e cila është një enë e madhe balte, e varur diku. Ai që thyen pinjatën shpallet fitues dhe mbledh ëmbëlsirat, frutat, çokollatat e karamelet që pinjata kishte brenda.

(ma.ar/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb