“Të mos merremi fare as me Francën, as me Holandën, as me BE-në. Le të merremi me një fakt tepër konkret. Raporti i fundit i Bankës Botërore “Doing Business”, pra për mundësitë për të bërë biznes në një vend, e rendit Shqipërinë 19 vende më keq, pra të përkeqësuar, sesa një vit më parë”. Kështu deklaron presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë sot për “News 24”.

Sipas tij para se qeveria të ndërmarrë një fushatë demonizuese ndaj Francës, Holandës apo vendeve të tjera skeptike të BE-së që nuk pranuan hapjen e negociatave me Shqipërinë, duhet të ndalet tek ky raport i “Doing Business”.

Raporti i fundit të “Doing Business” e rendit Shqipërinë 19 vende më keq, në krahasim me një vit më parë.

“Por të mos merremi fare as me Francën, as me Holandën, as me BE-në. Le të merremi me një fakt tepër konkret. Raporti i fundit i Bankës Botërore “Doing Business”, pra për mundësitë për të bërë biznes në një vend, e rendit Shqipërinë 19 vende më keq, pra të përkeqësuar, sesa një vit më parë
Maqedonia e Veriut është e 17-ta në botë, Shqipëria është e 82-ta dhe Kosova e 57-ta. Pse një vend si Maqedonia e Veriut, që nuk ka akses në det, nuk ka akses në porte, që ka pasur dhe probleme që së fundmi i ka zgjidhur me Greqinë apo me fqinjët e tjerë, apo Kosova gjithashtu që është në një pozitë jo shumë të favorshme, të kenë një renditje shumë herë më të mirë sesa Shqipëria? Përse Shqipëria që ka disa avantazhe të jashtëzakonshme, nuk ka probleme me fqinjët, ka një akses të jashtëzakonshëm në det, ka portet, ka çdo gjë tjetër, të jetë një këtë situatë kaq të rëndë? Sepse në fund fare kjo i thotë të gjitha, çdo gjë tjetër që mund të themi ne apo mund të thotë dikush tjetër, mund të konsiderohet edhe si një qëndrim politik, dashamirës apo dashakeqës. Por, fakti është që pozita e Shqipërisë është përkeqësuar në raport me një vit më parë me 19 vende dhe kjo është tërësisht e papranueshme”, -tha Meta.

Mes të tjerash ai bëri thirrje që Shqipëria të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut, sa i përket investimeve të huaja dhe lehtësirave që u janë krijuar bizneseve.

“Doing Business”, Maqedonia e Veriut është e 17-ta në botë dhe ka mjaft raste që shumë sipërmarrës shqiptarë kanë ikur dhe planifikojnë të ikin, të zhvendosin investimet e tyre në këtë vend, gjë që nuk është normale. Normale është që nga Maqedonia e Veriut të vijnë në Shqipëri, sepse kanë një akses edhe më të drejtpërdrejt në porte apo në gjithë logjistikën që do duhet të ofronte Shqipëria në këtë rast. Të shohim strukturën e eksporteve të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Nuk ka asnjë lidhje, nuk ka asnjë krahasim. Të shohim investitorët e huaj që kanë hyrë në Maqedoninë e Veriut që janë në industrinë automotive dhe në industritë më bashkëkohore dhe të shohim se çfarë investitorësh kanë hyrë në vendin tonë. Të shohim mbështetjen që jep Maqedonia e Veriut për bujqësinë, për fermerët dhe të shohim mbështetjen që japim ne në këtë drejtim. Kam 6 vjet që kërkoj mos të marrim shembull Danimarkën, as Suedinë se janë pak larg nga ne, jo thjesht në kuptimin gjeografik, por në të gjithë rrugën e gjatë që kanë zhvilluar për të qenë aty ku janë. Por të paktën për bujqësinë, për investimet e huaja dhe lehtësitë që krijon për investimet, të marrim shembull nga Maqedonia e Veriut. Sepse Maqedonia e Veriut, është kaq pranë dhe këto gjëra që kanë ndodhur atje, përse të mos ndodhin edhe në vendin tonë. Është vetëm çështje e vullnetit politik”, pohoi presidenti Meta.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb