Nga: VALENTINA MADANI*
TIRANE – Jemin Gjana, ish-ministër i Bujqësisë, aktualisht kreu i departamentit të rikthimit të figurave historike në PD, hedh akuza të forta mbi qeverinë “Rama” dhe ministrat e saj për mungesë profesionalizmi si dhe lidhje me krimin dhe korrupsionin. Gjana thotë për “Gazeta Shqiptare” se përballë një qeverie të tillë, opozita duhet të zhvillojë më tepër opozitarizmin dhe t’u kthejë shqiptarëve besimin tek e ardhmja. Sipas tij, është pa sens që njerëzit ndjehen kaq të frustruar sa të njëjtat gjëra në gojën e opozitës i ngazëllejnë më shumë kur i dëgjojnë nga deputeti kritik i Partisë Socialiste, Ben Blushi. Gjana kërkon një opozitë të unifikuar ndërsa kreut të saj, Lulzim Bashës, i sugjeron se duhet të reflektojë ndaj kritikave brenda PD-së.

Z.Gjana, a është sot opozita e fortë përballë një mazhorance qeverisëse që sipas PD-së mund të bjerë në çdo moment nga pushteti?
Opozita fjalën ka. Mendoj se si opozitë ia kemi dalë të themi të vërtetat, të sipërmarrim dhe të kurorëzojmë disa lëvizje politike, të bëjmë analizën e plotë dhe të saktë të gjendjes në të cilën ‘Rilindja’ ka katandisur fatet e vendit. Është përpunuar pothuajse programi qeverisës për të ringritur vendin, financat dhe ekonominë e tij. Nuk i mungojnë PD-së kapacitet intelektuale nga grupimet e reja të politikës, por edhe nga ata që kanë një eksperiencë e trashëgimi të vyer e të papërlyer qeverisëse për të drejtuar punët në të nesërmen. Të mendosh se opozita nuk është e gatshme të drejtojë me kualitete që ndryshojnë thelbësisht me ata që drejtojnë sot, më së paku është e pavërtetë. Pyetjet retorike që adresohen ndaj opozitës, shpesh ngjajnë me sy e veshë të mbyllur. Kemi treguar përtej edhe problemeve e gabimeve të shfaqura se kemi qenë dhe jemi në gjendje të drejtojmë ndryshe. Se nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë kurrë me PD-në që financat e vendit të drejtohen nga një individ që përveç anglishtes dhe hajdutërisë, mund të mburret edhe me perversitetet njerëzore. Se rendin e sigurinë mund t’i komandojë një çunarak që i shkon shu… dhe komandohet prej lidhjeve të krimit. Se në arsim e shëndetësi ka dalë dukshëm bishti para sqeparit. Se zonjat që drejtojnë nëpër ministri harxhojnë më shumë kohë në sallonet e “make up”-it se në zyrat e punës ministrore. Se në shumë drejtori e agjenci ka njerëz pa shkollë që kanë meritën se vijnë nga bota e krimit. Se një pjesë e ministrave, pa le të tjerët, janë me diploma të sajuara, pa një fakultet të kryer realisht. E gjithsesi, opozita ka vend për më shumë opozitarizëm. Opozita është pjesë e përgjegjësisë që pushteti të burojë nga vota. Qytetarët janë para përgjegjësisë ta çmojnë votën e tyre si mekanizmin e vetëm prej të cilit duhet të dalë pushteti në liri.

Pavarësisht këtyre që përmendi ju, a besoni se pas tri viteve në opozitë, PD-ja do ta vendosë në vështirësi qeverisjen?
Tam-tameve të ‘Rilindjes’, “hajde bakra për të kallaisur” u ka dalë boja. Në të gjitha lëvizjet dhe qëndrimet e saj opozita ia ka dalë t’a prezantojë brenda e jashtë vendit degradimin e situatës në çdo aspekt të jetës së vendit. Të gjithë e shohim se jemi para një dështimi total të qeverisjes së sotme. Njerëzit po ushqehen me agjitpropin e ‘Rilindjes’. Opozita mund dhe duhet të bëjë më shumë, por duket se rrjedha e ngjarjeve kërkon kohën e vet. Është pa sens që njerëzit ndjehen kaq të frustruar sa të njëjtat gjëra në gojën e opozitës i ngazëllejnë më shumë kur i dëgjojnë nga Blushi. Dua ta them troç se opozita zvetnohet kur njerëzit ulin kokën dhe kanë më pak guxim se në kohën e diktaturës. Mijëra e mijëra biznese rruge e biznese të vogla e të mesme në faliment a në prag falimenti kanë frikë t’i dalin zot vetes, të bashkëngjiten në lëvizjen e opozitës. E gjitha nga frika, nga arroganca e pushtetit. Dy a tri raste po deklarohen për gjoba të të fortëve ndaj biznesit. Janë qindra të tilla e njerëzit nuk guxojnë të denoncojnë. Pushteti vërtetë është në link me të fortët, por kur nuk i del zot mundit e djersës tënde, është vaj medet. Pas luftës lukunia partizane u lëshua mbi pronat e të tjerëve. Njerëzit i dolën zot pronës së tyre, e paguan me jetë e me burgje, por nuk heshtën. Kjo është e trishtueshme sot në demokraci.

A është vetë PD-ja solide brenda vetes apo kundërshtitë e herëpashershme të disa ish-funksionarëve të lartë të saj si Topalli, Patozi, Bregu, etj. janë shenjë e qartë se PD-ja ka probleme serioze brenda vetes për shkak të grupimeve të strukturave?
Pa marrë përsipër komente për lojën politike të individëve, mendoj se ka vend për më shumë unifikim qëndrimesh dhe sjelljesh politike. Nuk shoh dy grupime të strukturuara, siç thoni ju. E lexueshme është se në të gjithë infrastrukturën e sotme njerëzore të PD-së ka parapëlqime të ndryshme. Ka një shumicë që parapëlqen Bashën dhe lidershipin përqark tij. Kjo, dhe sepse e kanë zgjedhur lirisht me votën e tyre. Ka të tjerë që vazhdojnë të jenë fansa të pandarë politikë të Berishës. Ka prej atyre që kanë pëlqime e kontestime për të dyja rastet. Ka zëra parapëlqimi për lider të projektuar që nuk kanë mundur të kapin podiumin e të parit në parti, apo që nuk jetojnë më. Ka që nuk u lexohet parapëlqimi dhe presin të bashkëngjiten më aktivisht kur çmojnë rastin më oportun. Nuk dëgjohen më ato thashethemet e rrugës e të kafeneve për ndonjë dalje nga kosherja me ndonjë lëvizje në formën e partizave që nuk kanë munguar për një çerek shekulli e që përgjithësisht kanë lindur e perënduar pa kapur zenitin. Po këto janë familjet politike në përgjithësi në sistemet e lira. Janë kohë të vdekura ato të unitetit në parti, madje në PD ka lindur i vdekur dhe mentaliteti “nuk duam as bukë, as ujë e as drita vetëm ju të udhëheqjes mos u zini”. Sa kohë shtratin politik nuk e ndajmë me askënd tjetër, jemi brenda lirisë së mendimit të të njëjtit program politik.

Ju personalisht si i konsideroni kritikat e këtyre deputetëve të PD-së? A kanë të drejtë kur kritikojnë kreun Basha për mungesë të një politike të fortë dhe të ashpër që të mundësonte rikthimin e shpejtë të opozitës në pushtet?
Është gjëja më normale që Bashës t’i adresohen dhe vërejtje dhe kontestime. Ai është lideri, por ai nuk udhëton vetëm. Sugjerimet po e po që janë të domosdoshme, janë po aq sa dhe domosdoshmëria që Basha të reflektojë mbi to. Por mënyra, vendi dhe koha që zgjedh secili në mendimin e qëndrimin ndryshe e bën menjëherë dallimin në publik për shkallën e racionalitetit. Ta thuash ndryshe është një gjë dhe ta thuash si finalizohet ndryshe është një gjë krejt tjetër. Është e gjetur urtësia “të thënë e të bërë kanë në mes një det të tërë”. Mendoj se Basha i ka finalizuar disa prej nismave dhe lëvizjeve të rëndësishme të opozitës si dekriminalizimi i politikës dhe qeverisjes, Byroja e Hetimit, Reforma në Drejtësi, prangimi i grupeve të strukturuara të krimit, etj. Faktori ndërkombëtar e ka pëlqyer e mbështetur sjelljen dhe lojën e tij politike. Sa herë u është drejtuar qytetarëve, ata i janë përgjigjur. Ideja se me rrugën e protestave bëhemi mazhorancë qeverisëse, mendoj se ha një diskutim më të gjerë se sa e thëna. Programi i ri qeverisës tashmë është përvijuar dhe Basha po synon ta plazmojë atë në publik në të gjitha daljet e tij. Është pak spekulative ideja e një politike të fortë dhe të ashpër. Nëse ata që e thonë apo ata që e presin këtë lloj “fortësie” duan që Basha të dalë në publik e në drejtim përmes verbit politik të Taulantit apo të Erionit në parlament apo të gjuhës të paprecedent të Ramës, Tahirit e mjaftistit Veliaj, flasin gabim. Për cilën ashpërsi bëhet fjalë? Për rrugaçëri politike dhe për arrogancë në çdo qelizë të jetës politike? Duhet të bindemi më në fund se retorika politike që na karakterizon nuk të çon asgjëkund.

A ka vend për një “dorë më të fortë” të Bashës në drejtimin e partisë?
Mendoj se po. Situata e gërr-mërreve në një pjesë të madhe të degëve të PD dhe atje ku kemi fituar në zgjedhjet lokale mes strukturave të partisë dhe drejtuesve lokalë lë për të dëshiruar. Ka një përgjumje të strukturave të bazës së partisë. Në protestën e fundit te Parku i Liqenit në Tiranë jo vetëm struktura politike e partisë në kryeqytet, por dhe tre trupat politike të PD, Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Grupi Parlamentar nuk treguan dot ku janë. Karagjozllëku politik i disave nuk duhet toleruar. Edhe ideve e qasjeve delirante të disave se pa ata asgjë nuk shkon dot përpara u duhet treguar vendi. Nuk mjafton që Basha të lëvizë çdo ditë vetë. E gjithë trupa politike e partisë në qendër e ndër degët e saj duhet të rrisë pa humbur kohë kontaktin në radhë të parë me bazën e partisë e të mbështetësve të saj, e pse jo dhe të qytetarëve në tërësi. Duhet kontrolluar kushdo individ dhe strukturë që bën sikur punon.

A ka njerëz të interesuar brenda PD-së për ta lënë atë sa më gjatë në opozitë?
Me duket e pabesueshme ose së paku unë nuk ia kam dalë të njoh njerëz të tillë brenda familjes sime politike. Tingëllon pak artificiale të jetë e vërtetë se një apo disa individë qenkan ngopur politikisht e ekonomikisht dhe vlojnë nga dëshira që PD të mos rikthehet në pushtet. Me logjikë të shëndoshë nuk e gjej dot përgjigjen se dhe në pastë ndonjë që unë nuk e di a nuk e njoh, e dëshiron një gjë të tillë. Për hobi, për interesa, për smirë apo për çfarë? Më duket absurde të jetë e vërtetë.

Çfarë mendoni për koalicionin e djathtë dhe a duhet të orientohet PD-ja drejt një aleance me FRD-në e Bamir Topit, Aleancën Kuq e Zi dhe PBDNJ-në?
Në kushtet e sistemit zgjedhor aktual zgjerimi i aleancave është i rëndësishëm. Një lokomotivë me më shumë vagonë, më shumë mallra lëviz. Natyrisht, aleancat kanë problemet e veta, sidomos kur nuk ndërtohen me vullnet të mirë dhe për zgjidhje më të mira qeverisëse, por ngërthehen me interesa ngushtësisht personale të pak individëve. Pa aleanca fitorja është e rrezikuar. E natyrisht, në trenin e fitores lokomotiva e vagonët ngjajnë njësoj në përmasë, por rolet e funksionet i kanë ndryshe, edhe pse lidhur me njëri-tjetrin.

Çfarë po bëhet me departamentin që ju drejtoni, a ka nisma konkrete për rikthimin e ish-figurave të rëndësishme të PD-së?
Janë me mijëra individët me të cilët PD-ja ka drejtuar aktivitetin e saj politik dhe qeverisës në këto 25 vite. Ata janë vetangazhuar apo janë thirrur në drejtimin e punëve, sepse në momente të caktuara janë konsideruar si më të përshtatshmit. Kjo për arsye të angazhimit të tyre politik, të disidencës familjare në të shkuarën, të emrit të mirë të familjes apo fisit prej nga rridhnin, të aftësive e kapaciteteve profesionale që zotëronin, etj. Shumica e tyre kanë kontribute afatgjata, kanë lidhje e njohje të krijuara në aktivitetin politik e qeverisës. Një pjesë e tyre rezulton të jenë kthyer thjesht në votues të PD ose të neglizhojnë dhe për të votuar. Kjo, sepse mund të jenë vetëshmangur, por edhe i kanë shmangur. Ka prej tyre që kanë lëvizur politikisht në mënyrë të kthyeshme apo të pakthyeshme. Por, gjithsecili ka lënë një kontribut të caktuar dhe një gjeneratë pasuese që nuk duhet humbur nga PD. Gjithë këtë potencial njerëzor ne po punojmë ta sistemojmë me një set të plotë të dhënash jo thjesht si një statistikë emrash, por si një vlerësim për dje, sot dhe nesër, si një nevojë për të qenë bashkë dhe për të qenë më shumë. Askush nuk është i tepërt. Çdo njeri na nevojitet. Janë një shumicë ata që duan dhe munden të punojnë më gjatë dhe e duan pjesëmarrjen dhe përfshirjen aktive. PD nuk e ka luksin të humbasë njerëz nga mungesa e vëmendjes dhe njerëzit e vuajnë mungesën e vëmendjes. Kohezioni dhe solidariteti sot janë bërë më të rëndësishëm se kurrë. Po punohet që të gjithë këtë potencial njerëzor ta administrojmë politikisht, me maturi dhe me vullnet pozitiv dhe ta bëjmë më funksional. Në të gjitha degët e PD janë krijuar bërthamat e departamentit për kontributet historike dhe diku më intensivisht e diku më ngadalë po punohet për të harmonizuar punën dhe brezat në aktivitetin tonë politik. Nuk mund të flitet në një intervistë për emrat, sepse nuk do ua nxinte as gazeta. Pastaj loja me emra bëhet e këndshme, por jo e frytshme, sepse nuk bëhet fjalë për emra po për gjenerata. Se çfarë shtojnë në PD e cila është pesha e tyre, besoj se bëhet e qartë kur vështrojmë sa peshuam në 2013-ën.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: