SHBA- Ndihmësja e lartë republikane, Elizabeth Lauten, po përballet me sulme të shumta që kërkojnë largimin e saj nga puna, për shkak të disa kritikave drejtuar vajzave të Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama.

Lauten publikoi një postim në faqen e saj të Facebook ku kritikonte vajzat e Obamës, Malian 16-vjeçare dhe Sashan, 13-vjeçare për veshjet e tyre të papërshtatshme dhe qëndrimin aspak të këndshëm gjatë ceremonisë për drekën e falënderimeve disa ditë më parë.

“Mundohuni të tregoni pak klas. Në fund të fundit respektoni pjesën që po e luani”, ka shkruar Lauten në statusin e saj. Por ky sinqeritet i tepruar, duket se ka ngjallur shumë pakënaqësi, pasi shumë qytetarë e kanë quajtur mizor reagimin e saj, ndërsa duket se do të ketë edhe kosto për punën e saj, pasi në rrjetet sociale kanë vërshuar mesazhet për shkarkimin e saj.

Elizabeth Lauten është zëdhënësja e kongresmenit republikan nga Tenesi Stephen Fincher. Vajza e madhe e presidentit amerikan, dukej e mërzitur kur babai i saj Barack Obama dha mesazhin e përvitshëm me rastin e festës së falënderimeve.

Ndërsa përsa i përket qëndrimit të Lauten edhe mediat kanë qenë kundër saj. The Washington Post, shkruan “Asgjë klasike në kritikat e Elizabeth Lauten ndaj vajzave të Obamës”. Edhe Forbes e ka quajtur skandaloz qëndrimin e Lauten.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: