Piktori dhe kritiku Besim Tule shpreh mendimet e tij përmes një interviste me “Milosao”. Si njohës i mirë i mendimit kritik bashkëkohor, njërit nga ideatorët e lëvizjes së piktorëve të “Nëntorit”, ai është i ashpër në reflektimin e tij, por edhe shumë racional ndaj brezit të ri, duke mos dashur t’i mbajë me lugë të zbrazët. Në këtë intervistë, në mënyrë të përmbledhur flet dhe për shumë e shumë problemesh që lidhen me artin shqiptar…

Si konceptohet në ditët tona “Nëntori”? A duket që ka një bjerrje të vetë artistëve për këtë aktivitet?
“Janë pjesëmarrës një pjese e artistëve tanë, që e adhurojnë këtë gjini të arteve të bukura. Me mosha të ndryshme, ata e vazhdojnë këtë aventurë dhe janë të pranishëm në vazhdimësi të këtij aktiviteti, i cili ka 17 vite që organizohet. Jo të gjithë e marrin njëlloj seriozisht veprimtarinë ose na ndodh që në një kohë mund të mos jenë në gjendjen më të mire krijuese. Këtë situatë e provon çdo artist. Ndeshet dhe në çdo lloj veprimtarie artistike apo kulture, pavarësisht se mund të mos e pranojnë hapur organizatorët. Disa punime janë ato që mund të përfaqësojnë veprimtarinë “.
Pse duket sikur po qëndron në vend ky aktivitet? A mendoni se sollët ndonjë risi?
“Nëse do flasim për një lloj njëtrajtëshmërie, kjo, në rrugën e gjatë të një krijuesi, është e pranueshme. Nuk priten ndryshime, madje ndryshimet e mëdha janë të dëmshme. Ndryshimet e mëdha nuk janë pjesë e ekspozitës . Ato tregojnë që autori është ende pa fole. Ekspozita vjetore e pikturës “Nëntor” ka një profil shumë të përcaktuar: shfytëzimin sa më të mirë të paletës koloristike ,që do të thotë në pikturë të ketë sa më shumë lloje ngjyrash por që janë të harmonizuara mirë, si dhe proporcionimin e hapësirave me figurat. E para, kërkon dhunti natyrale për të dhe një studim të gjatë, ndërsa tjetra kërkon të njohësh mirë hapësirën dhe krijimin e figuracionit pamor sa më vetjak. Në këtë pikë, nuk mund të mos përmendim Agron Mesin për akordet e fuqishme koloristike dhe qartësinë interpretuese. Ai e zhvendos shprehjen e tij tek përplasja e ngjyrave të kundërta duke i ruajtur secilës integritetin . Me një gjuhë profesionale, ai ndërton linja kompozicionale të ndryshme për seicilën pjesë të triptikut. Aleksandër Filipi prek një temë zotëruese për kohën, atë të vetmisë së njeriut. Trotuaret janë plot me njerëz që zgjaten në katër tablo, por që secili është i izoluar prej tjetrit. Sfondi është dekorativ elegant mbi të cilin janë vendosur figura të konstruktuara me ndjesi dhe të tipizuara”.
Çfarë e karakterizon në konceptin filozofik bashkëkohor pikturën në ditët tona?
“Piktura është një zhanër shumë i gjerë. Bëhen ekspozita të veçanta edhe vetëm një cilësi të saj. Dua të përmend ekspozitën e organizuar në Monako me temë “Dimensione të mëdha”. Këtu nuk kishte një përcaktim figurativ apo abstrakt. Dimensioni i madh kërkon një tjetër vështrim dhe analizë të autorit. Jo të gjithë artistët mund ta përballojnë. Apo ekspozita me temë “E bardhë”, si dhe një tjetër me karakter shoqëror te artit te rruges. Piktura në raport me artet e tjera ka një specifikë se është një zhanër me fushë të gjerë mundësish. Cilësohet si krijimi më i ndjeshëm ndaj çdo ndërhyrje, pasi ka të bëjë me ngjyrën. Një prekje apo ndryshim i një ngjyre ndërton ose prish ekuilibra. Kjo nuk ndodh me tonin, fakturën apo me vëllimin etj., dhe as me artet e tjera që shtrihen në kohe si letërsia,muzika nje fjale apo nje note nuk i prek balancat kompozicionale . Jo më kot, ajo gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, filozofëve, artistëve, shkrimtarëve apo poetëve për të njohur sadopak këtë mister. Këtu janë eksperimentuar fillesat e shumë rrymave. Dhe vazhdon të jetë e tillë. Është arti i lirisë së madhe dhe i shpejtësisë së informacionit, shikohet në pak sekonda, por dhe shpaloset ngadalë-ngadalë në kohë. Ajo vazhdimisht pas çdo shikimi të ofron diçka të re. Është në thelbin e saj kjo gjë. Kërkesa e kësaj ekspozite është një gjë e pakonsumueshme shpejt, pasi mbahet tek pikat e saj me profesionale, ngjyra”.
Dhe, cilat punë do veçonit në këtë ekspozitë?
“Pjesëmarrja e prof. Vilson Kilicës me veprën e tij është një nder i madh i këtij aktiviteti. Ai themeloi Institutin e Lartë të Arteve sot Universiteti i Arteve. Artistë që për mua sollën risi janë Gazmend Leka, si gjithmonë shumë i angazhuar dhe një prej artistëve tanë që ka kapur lartësi profesionale. Me veprën” Sarkofagu” vizualizoi filozofinë e tij për raportin me misterin e së panjohurës, duke krijuar një imazh befasues . Stefan Taçi dhe Robert Guci, artistë që preken tema sociale e stimulojnë ngjyrën e kuqe nga pika të ndryshme kuptimi. Energjia e penelatave të Buron Kacelit shoqëron lëvizjet e pulëbardhave”.
Juve shquheni për mesazhe direkte social-politike në punën tuaj? Këtë herë ishit disi edhe më globalist. A mund të na fusni më në brendësi të punës suaj?
“Sa i përket punimit tim: Tema është nga ditët tona që e kanë pjesa zotëruese e punimeve të mia. Më preokupon mungesa e kontrollit të shpenzimeve ekonomike. Recensioni fillesën e pat me shkatërrimin e firmës gjigande piramidale postmoderne Madoff . Amerika me ekonomistë të fortë e përballoi. Anipse, rrathët e saj u përhapën në të gjithë botën. Harxhimet pa kriter të qeverive të ndryshme greke e çuan vendin atje ku e çuan. Po kështu dhe Italia. Për krahasim Gjermania, shteti më ekonomik i Europës , pagën e ministrit të Jashtëm e ka diku të 9000 Euro, ndërsa ai i Italisë diku tek 25.000 Euro e më shumë. Këto shpenzime jashtë një kontrolli dëmtojnë ekonominë e popullsisë. Ka një ide në të ardhmen të kontrollit nga Komisioni Evropian i shpenzimeve ekonomike të vendeve pjesëmarrëse për të krijuar një stabilitet. Pasojat i paguan populli. Subjekti që kam është disproporcioni midis sasisë së deputetëve tanë me popullsinë. Kemi 140 deputetë dhe 14 ministra, për një popullsi prej afro 3 milion. Në Gjermani për 80.523 700 banorë janë vetëm 632 deputetë. Po të ndiqnim këtë rregull duhet të ishin vetëm 24 deputetë dhe 10 kg nga ajo që mbetej për deputetin e 25-të! Janë një barrë e rëndë për popullin tonë. Asnjërës parti nuk i leverdis të ulet apo të kujdeset për proporcionin e tyre, mbasi i shërbejnë për balanca zgjedhjesh dhe postesh. Raporti drejtues- popull është si mes babait dhe familjes. Si i shpenzon kryefamiljari lekët e rrogës. Krijimin e kam quajtur “Mundimi”. Janë një grup punëtorësh që punojnë në kulmin e forcës dhe sakrificës. Ngjyrat në tërësi janë të një ditë plot diell. Dominon ngjyra e blertë gati fosforeshente tek figurat duke u shpërndarë në disa pjesë të tablosë. Gjithmonë më ka bërë përshtypje drita dhe gjallëria e saj. Me kujton trompat e fuqishme të fillimit të këngës “Numërimi mbrapsht” të grupit muzikor Europe. Desha ta provoj. Tek teksti, që është pjesë e krijimit, kam rritur kontrastin tonal. Ngjyra këtu njëherë vendoset në tonin e thellë dhe pastaj kalon në kulmin e qartësisë duke ju afruar të bardhës. Kjo e rrit dramën dhe dritën. Rrathët që janë vendosur në zona të ndryshme të figurave pasqyrojnë skemën e parlamentit, por njëkohësisht krijojnë ndjesinë e një degradimi apo sëmundje . Krijimi në këto kohë për mua është dhe një akt reagimi dhe shfrimi”.
Duket disi një situatë e pashpresë. Çfarë do të donit të kumtonit më hapur?
“Unë do t’i këshilloja artistët e rinj që kanë ambicie artistike të mos rrijnë në Shqipëri. Është një vend që nuk ju ofron asgjë, qoftë për ti nxitur dhe kulturuar me mundësitë e llojeve të ndryshme të shprehjeve të arteve pamore as edhe për të marrë vlerësimin artistik. Për t’jua dëshmuar ketë në konkurse për vend pune prioritet kanë ata që kanë mbaruar jashtë. Atëherë me të del jashtë loje gjithë sistemi ynë shkollor. Nga ana tjetër, kam përshtypjen se ata që kthehen nuk janë në nivel të lartë, ose ju ka ikur pasioni. Po ashtu, këtu nuk i pret asgjë në fushën e artit. Nuk ka treg, nuk ka gjerësi aktivitetesh ndërkombëtare, ku shikimi i një origjinali është një çast reflektimi, nuk ka konkurrencë të vërtetë dhe fatkeqësia më e madhe është kur politika merr pjese në cilësime etj. Vendi ka gjendje ekonomike te ulet dhe po ta krahasojmë figurativisht bën jetën e një njeriu gati me asistencë dhe për këtë nuk mund te bëhen veprimtari te niveleve te larta ku mund te mbahen shpresa për një arritje. I këshilloj që të largohen nga Shqipëria pasi i bëjnë më mirë vendit kur bëhen të famshëm jashtë. Po të kishin ndenjur në Shqipëri, nuk do të kishim Anri Salën atje ku është; Ardian Pacin me sukseset që ka arritur. Po të jetonte Inva Mula këtu nuk do të kapte ato maja. Po kështu, Ermonela Jaho, Evis Gega, Armando Lulaj, Anila Rubiku etj. etj. Pa tjetër që dhe tani e në të ardhmen përsëri do të dalin të tjerë, po kaq të aftë dhe që të mos shkojnë kot, unë i këshilloj të gjejnë mënyra të ndryshme e të ikin. Por edhe atje nuk i presin krahëhapur, por ama ka alternativa. Duhet të kujtojmë që skulptori i madh Brankusi bëri sakrifica të jashtëzakonshme duke ecur pjesërisht me karrocë dhe me këmbë nga Rumania në Paris dhe për më shumë se dy vjet hante bukë me çaj që të mos devijonte nga teoria e tij mbi vëllimin, por pastaj u be Brankus, që e njohin të gjithë. Sakrifica duhet e madhe, por kalohet se e ushqen pasioni dhe ëndrra”.
Dhe si e parashtroni këtë arsyetim?
“Po të marrësh çmimin e parë në Bienalen e Venecias, apo në ekspozitën “Dokumenta”, e të tjera veprimtari ndërkombëtare të arteve pamore, të presin oferta dhe të tjera rrugë dhe e ardhme më e mirë, kurse këtu, po të marrësh çmimin e parë te “Onufri” (se vetëm për atë çmim ka fonde te pëlqyeshme), me të ardhurat e tij nuk besoj se mund të shtyhet i gjithë viti në mënyrë modeste pa blerë materiale. Pas fitores mund të vazhdosh i papunë qetësisht dhe të hash fara kungulli në diell… shumë- shumë fituesin mund ta puthi në faqe e ëma”.

Ku dallohet artisti me politikanin, në konceptin tuaj?
“Artisti dhe politikani kanë mënyra të ndryshme të vështrimit për botën. Artisti preokupohet ose ndjen për çdo gjë te veçante duke u preokupuar thellësisht , ndërsa sa vështrimi i politikanit është krejtësisht i ndryshëm. Ai shikon më gjerë pa u marrë me të veçantën. Këto dy vështrime apo koncepte kurrë nuk mund te lidhen bashke. Bile politikanit mund ti duket kohë e harxhuar kot veprimtaria e artistit. Prandaj, secili artist i ri ka jetën e tij dhe duhet ta zgjidhë vet rrugën për të kapur ambicien dhe ëndrrën e tij. Politika mund të kujtohet për artin pasi mund të kesh fituar ndonjë çmim, por se si e bën rrugën deri aty nuk ka rëndësi për të.”
Pse jeni kaq pesimist për të ardhmen e këtij arti në vendin tonë?
“Pasi ka pak aktivitete. Njëkohësisht mungesa e stimujve materiale e ul mjaft interesin e artistit për të punuar. Aktivitetet dhe stimujt materialë sa më të shumtë të jenë aq me tepër e ndezin atmosferën krijuese dhe kjo rrit cilësinë. Kur pyes ndonjë artist të ri se kush mendon ti se ka arritur rezultat në pikturë që ne mund ta afrojmë në ekspozitë, në shumicën e rasteve pasi mendojnë, thjesht ngrenë supet. Nuk bëhet fjalë për të ftuar artistë që marrin lehtë këtë punë, por për artistë që kanë pretendime dhe krijojnë punë që kërkojnë përkushtim duke ditur që ajo nuk ka treg. Piktori amerikan më në zë Jeff Koons, në një intervistë me rastin e hapjes së ekspozitës së tij këto ditë në Whitney Museum në New York, deklaroi se mua më shkon realizimi i një pikture 2 vite. Për t’ju afruar këtij përkushtimi ose duhet treg i fuqishëm ose pasion absurd. Kanë disi të drejtë artistët e rinj që nuk ju hyjnë aventurave të tilla. Megjithatë nuk justifikohen deri në fund, pasi vetë arti është një lloj aventure. Dalin mjaft artistë për çdo vit dhe nuk ju afrohet asgjë. Bashkëmoshatarët e tyre jashtë kufijve kanë disa lehtësira”.
Çfarë do e mbante gjallë në të ardhmen “Nëntorin” dhe vullnetin tuaj për punë?
“Arti e ka në natyrën e tij konkurrencën. Imagjinoni një artist që mban veten për të dytin. Menjëherë atij i bie interesi vetëm nga ideja që ka në dorë një punim i cili nuk është më i miri i tij. Kjo ndjesi është në themel të artit, pavarësisht qëndrimeve modeste të artistëve. Ekspozitat janë ujitja e artistëve dhe ecja e artit. Po te mos ekzistonte kjo ekspozite mund të mos kishim këto vepra si: “Pranverë” e Sadik Kacelit,”Improvizime” të Llambi Blidos, “Fshatari me celular” i Ismail Lulanit”, kompozimin “Takimi” i Vilson Kilicës,”Autoportret”e Sali Shijakut, “Nëna” e Isuf Sulovarit,”Diogjeni post modern” i Aleksandër Filipit,”Shegët”e Ksenofon Dilos,”Natyrat e qeta hiperealiste” te Avenir Sadikajt, “Duart e nënës” e Stefan Taçit ,”Ija” e Bashkim Dervishit, krijimet e Gazmend Lekës, Kujtim Buzës, Brikena Bërdos, Adrian Devollit, Robert Gucit, etj. te cilat falë dhe konkurencës së mirë artistike që ngjall aktiviteti tani janë fakt”.
Intervistoi: Ben Andoni

(er.nu/Milosao/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb