TIRANE

Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo ka komentuar sot krizën politike në vend, krijuar pas djegies së mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës. Cutillo tha se janë suprizuar nga vendimi i opozitës për djegien e mandateve, ndërsa shtoi se maxhoranca duhet të bëjë një hap pas.

“ Sigurisht kriza politike ka ngritur disa pikëpyetje tek investitorët në të gjithë Europën e më tej. Çështja kryesore lidhet me dialogun politik, sepse zgjdhja e opozitës për të braktisur Parlamentin është e paprecedentë dhe i ka lënë të gjithë të surprizuar.

Mesazhi im drejtuar politikanëve është i dyfishtë. Nga njëra anë tubimet të vijojnë, por të jenë gjithmonë paqësore dhe të mos kenë kurrë si objektiv dëme tek njerëzit ose ndaj objekteve. Mesazhi i dytë vlen për të gjitha forcat politike, ndoshta vlen më shumë për mazhorancën, që të bëjë një hap drejt dialogut, sepse besoj që mazhoranca dhe qeveria kanë përgjegjësinë për atë që ndodh në vend dhe kjo situatë tensioni dhe paqartësie politike nuk është në interes as të mazhorancës.

Duke marrë në konsideratë edhe dy afate të rëndësishme, njërsa që lidhet me zgjedhjet për pushtetin vendor të 30 qershorit dhe tjetra tjetra europiane, ajo e Këshillit Europian të qershorit, që do të vendosin dhe ne si Itali shpresojmë shumë, për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Kjo situatë politike sigurisht mund të ketë një efekt negativ dhe vendimi që do të merret në qershor do të jetë politike. Është në interesin e Shqipërisë që të shkohet në këtë fazë të rëndësishme me një situatë dialogu politik, që nuk do të thotë të pranohen kërkesat e opozitës, por sipas meje të vijohet me sinqeritet një dialog mbi problemet që opozita ka ngitur, korrupsionin, kriminalitetin, ligjin elektoral, mbi të cilat mazhoranca sigurisht mund t’i hapë udhë reformave dhe masave që shkojnë drejt kërkesave të opozitës.” – u shpreh ambasadori italian, në një prononcim për gazetarët, ndërsa shtoi se investitorët italianë janë ndikuar nga kriza politike në Shqipëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb