TIRANE – Komisionari i Bashkimit Evropian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos zhvillon të premten një vizitë zyrtare në Tiranë.

Sipas axhendës të publikuar nga zyra e shtypit e Delegacionit të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se Avramopoulos do të takohet me krerët e lartë të Shtetit.

Në orën 09:00-09:30, Komisionari Avramopoulos do të pritet nga Kryeministri Edi Rama në godinën e Qeverisë, ndërsa në orën 9 e 45, takohet me Presidentin Nishani, në presidencë.

Axhenda e takimeve të tij do të vijojë me kryediplomatin Ditmir Bushati rreth orës 10 e 30 në MPJ ndërsa takimi me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri do të zhvillohet në orën 11:15-12:00, te Garda e Republikës ku më pas do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.

Komisioneri do të takohet edhe me Ambasadorët e Vendeve të BE-së rreth orës 13.00 ndërsa në orën 14.00 ai do të jetë në drekën pritëse nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.

Vizita vjen ndërkohë që kriza e emigrantëve ka prekur pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian. Më i prekur nga kjo krizë është Greqia, pasi Maqedonia mbylli kufijtë e saj.

Një rrugë e re e refugjatëve që duan të shkojnë në Gjermani dhe në vendet e Evropës Veriore mund të jetë Shqipëria, megjithëse autoritetet shqiptare e kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë hyrjen e emigrantëve për shkak të pamundësisë për t’i pritur ata.

Një ditë më parë Qeveria shqiptare ka vendosur krijimin e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Sipas njoftimit të qeverisë, ai do të jetë autoriteti i vetëm kompetent, vendimmarrës, për ankimet kundër të gjitha vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët. Krijimi i këtij institucioni vjen kur kriza e refugjatëve kryesisht nga Lindja e Mesme, që po kalojnë nëpër Ballkan është zhvendosur në kufijtë jugorë të Shqipërisë.

Autoritetet shqiptare në deklarimet e tyre po tregohen mjaftë të kujdesshëm lidhur me qëndrimet që do të mbajnë nëse refugjatët do të mbërrijnë në pikat e kalimit kufitar. Ata kanë thënë dendur kohët e fundit se Shqipëria do japë kontributin e saj sipas mundësive dhe me mbështetjen e Europës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: