NGA ORNELA MANJANI*

TIRANË- Sektori i ndërtimit është zhytur më shumë në krizë gjatë vitit të shkuar. Kompanitë e ndërtimit janë “dorëzuar” përballë mungesës së lejeve të ndërtimit, kreditimit nga bankat dhe uljes së volumit të shitjeve. Në këto kushte, 244 shoqëri kanë shpallur falimentin. Instituti i Statistikave publikon raportin “Shqipëria në shifra”, ku të gjitha zhvillimet në vend për vitin 2014 janë përkthyer në tregues statistikorë. Ndryshimet demografike, shëndetësia, arsimi, të dhënat për kriminalitetin dhe drejtësinë, treguesit ekonomikë për çmimet e paratë në banka janë pjesë e raportit. 5 për qind të totalit të tyre falimentuan. Sipas të dhënave të INSTAT-it, numri i ndërmarrjeve aktive në sektorin e ndërtimit shënoi 4575 subjekte, nga 4819 të tilla që ishin gjatë vitit 2013. Kriza e krijuar nga një miniflluks që përjetoi sektori pas vitit 2005, e shoqëruar nga rënia e blerjeve të banesave, i rëndoi së tepërmi bilancet e kompanive vitet e fundit. Problemeve të tregut iu shtuan edhe mospagesat e qeverisë për punët publike që kryen disa firma. Ndërkohë që, ndërmarrjet e reja për vitin 2014 numërohen 17.377 ndërmarrje aktive. 34,4% e ndërmarrjeve të reja ushtrojnë aktivitetin ekonomik “Tregti”, ndërsa 2,2% e tyre ushtrojnë aktivitetin ekonomik “Ndërtim”. Numri i ndërmarrjeve aktive në fund të vitit 2014 është 112.537. Ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta zënë rreth 4,7% të ndërmarrjeve gjithsej për vitin 2014. Pronarët apo bashkëpronarët e huaj më së shumti janë italianë, me 43,2%. Edhe gjatë viteve të mëparshme, pronarët dhe bashkëpronarët nga Italia kanë qenë mbizotërues. Por me gjithë problemet që sektori po përjeton prej vitesh, nuk ka njohur një faliment të kësaj natyre, ku brenda vitit të falimentojnë 5 për qind e kompanive aktive në treg.
ÇMIMET
Ndryshimi mesatar vjetor i indeksit të Çmimeve të Konsumit në vitin 2014 është 1,6%. Rritja më e madhe e çmimeve prej 7,0% vërehet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan”, duke kontribuar me 0.25 pikë përqindje në ndryshimin mesatar vjetor. Ulja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shëndeti”, me 4,5%, duke kontribuar me -0.15 pikë përqindje në ndryshimin mesatar vjetor. Statistikat e konsumit janë shumë të rëndësishme për të analizuar zhvillimet socio-ekonomike në vend. Shpenzimet e buxhetit të familjes japin informacion jo vetëm mbi nivelin dhe strukturën e konsumit të familjeve shqiptare, por shërbejnë edhe për të përditësuar IÇK-në. Statistikat e Çmimeve të Konsumit luajnë rol kyç në matjen e inflacionit nga konsumatorët.
TREGTIA
Indeksi në volum në Tregtinë me Pakicë gjatë harkut kohor 2011-2014 është rritur mesatarisht 5.7% në vit. Nëngrupet kryesore të saj kanë pasur një ritëm rritjeje përkatësisht 14,9% në vit në nëngrupin “Tregti me Pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, 2,9% në vit “Artikuj joushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” dhe 0,7% në vit “Produktet ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”.
BANKAT
Përbërësit e ofertës së parasë kanë shënuar një rritje të moderuar gjatë 4 viteve të fundit. Dallim bën viti 2014, në fund të të cilit, agregati M1 shënoi një rritje vjetore prej 19%, për shkak të rritjes së depozitave pa afat në lekë. Depozitat e përfshira në paranë e gjerë u rritën me 3%. Depozitat e sektorëve të tjerë rezidentë të cilat përfaqësojnë rreth 86% të vlerës së përgjithshme të depozitave, u rritën me 1% në krahasim me një vit më parë. Depozitat e korporatave jofinanciare u rritën me rreth 20%, duke shënuar një rritje të ndjeshme në krahasim me vitet e mëparshme.
KREDIA
Kredia për ekonominë u rrit me 2% gjatë vitit 2014, duke shënuar një përmirësim të lehtë në krahasim me një vit më parë. Sektori që ka dhënë kontributin më të madh në rritjen e kredisë ishte ai i korporatave jofinanciare private. Kredia për këtë sektor u rrit me 2% gjatë këtij viti dhe përfaqësonte rreth 70% të kredisë për ekonominë. Kredia për sektorët e tjerë rezidentë shfaqi shenja të lehta përmirësimi në krahasim me vitet e mëparshme, gjatë të cilëve nuk ka shënuar ndryshime.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb