Më shumë se gjysma e prodhimit të ushqimit në botë do të jetë në rrezik të dështimit në 25 vjetët e ardhshme për shkak të krizës me ujë, nëse nuk merren veprime urgjente për ruajtjen e burimeve ujore dhe dhënien fund të shkatërrimit të ekosistemit.
Gjysma e popullsisë së botës tashmë përballet me mungesë të ujit dhe ky numër pritet të rritet me përkeqësimin e krizës klimatike, sipas një raporti nga Komisioni Botëror për Ujin.
Kërkesa për ujë të freskët do të tejkalojë furnizimin me 40 për qind deri në fund të dekadës, sepse sistemet e ujit në botë po vihen nën “presion të paprecedentë”, thuhet në raport, raportoi The Guardian.
Komisioni ka gjetur se qeveritë dhe ekspertët kanë nënvlerësuar sasinë e ujit të nevojshëm për njerëzit që të kenë jetë të denjë. Ndërsa 50 deri në 100 litra në ditë nevojiten për shëndetin e higjienën e një personi, faktikisht njerëzit kërkojnë rreth 4,000 litra në ditë në mënyrë që të bëjnë një jetë dinjitoze.