TIRANË

“Komunitetet fetare gjithmonë kanë qenë të gatshëm për të shprehur mendimin e tyre për situatën”. Kështu deklaroi në “Dritare me Rudinën” në News24, Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Hirësia e tij e Naltë Haxhi Bujar Spahiu. Ai apeloi për shmangien e dhunës dhe uljen në dialog. Spahiu tha se lutjet e tij janë për kthjelltësi tek politikanët.

“Në lidhje me çeljen e negociatave, dy herë radhazi jemi shprehur që të shmanget dhuna, të ulen gjakrat, të ulen të dialogojnë sepse interesat e shqiptarëve janë më lart se çdo interes tjetër. Shpresojmë që edhe këto që po shohim në ekran të mos ndodhin në Shqipërinë tonë, që po shkon drejt BE, që është një prioritet kombëtar, pa kthim pas. Ne gjithsesi kemi lutjen dhe lutemi që të çojë në mendjet e tyre kthjelltësinë e dashurinë dhe të shmangen këto gjëra. Populli shqiptar ka ditur gjithmonë që të reflektojë drejt, në mënyrën e duhur, në lidhje me problematikat që po jetojmë. Shpresojmë të shmangen dhe të arrihen gjërat që meritojnë”, tha Kreu i KMSH.

Nga ana tjetër mesazh për palët politike dha edhe Kryegjyshi botëror Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, i cili apeloi për paqe  duke iu kërkuar liderëve që të lënë mënjanë “luftrat” e përplasjet për frone, por të punojnë për të ndërtuar ndjenjën e vëllazërisë mes shqiptarëve.

“Ne jemi lutës të Zotit dhe nuk jemi gjykatës. Kjo nuk është gjë e mirë që të zihemi në Shqipëri në shek 21 për punë fronesh, sepse kjo nuk e ndihmon popullin tonë, sepse ky është një popull paqedashës. Edhe kur na vijnë për vizita ne përçojmë mesazh paqeje. Lutemi që të dyja palët të gjejnë në gjuhën e përbashkët dhe të ulen në dialog dhe mos të vijojë lufta mes njëri-tjetrit, por të ketë paqe dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për vëllazërim”-tha ai.

(m.k.n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb