Intervistoi: Gaston Sanxhaku
Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, në një intervistë të dhënë për portalin “Albanians.gr” ka sqaruar se kriza ekonomike në shtetin fqinj ka detyruar 180 mijë emigrantë shqiptarë të largohen prej andej. Ai ka folur gjithashtu për stadin në të cilin ndodhen marrëdhëniet dypalëshe, të ardhmen e paktit detar si dhe për problematikat që shqetësojnë komunitetin shqiptar në Greqi.
1. MARRËDHËNIET SHQIPTARO-GREKE
a. Në zgjedhjet e janarit në Greqi, për herë të parë kemi një qeveri të majtë të kryesuar nga SIRIZA. Çfarë ndikimi do ketë në marrëdhëniet shqiptaro-greke?
Zgjedhjet e 25 janarit dhe konfiguracioni i ri politik si rezultat i tyre, ishin një shprehje e lirë e vullnetit të popullit grek dhe e besimit se një qeveri me shumicë të majtë do të përmbushë aspiratat për rimëkëmbje, zhvillim, dinjitet dhe drejtësi sociale. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona mbeten marrëdhënie mes fqinjësh të mirë dhe partnerësh strategjikë, të cilët ndajnë histori dhe tradita të hershme. Qeveritë e dy vendeve janë të interesuara për zhvillimin, thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të suksesshëm që mbulon gjithë fushat me interes të dyanshëm. Vullneti i përbashkët për bashkëpunim e mirëkuptim, kuadri i pasur ligjor përbëjnë baza solide për të zhvilluar e gjetur zgjidhje edhe për problemet e mbetura të hapura në kuadrin dypalësh.
b. Duke pasur parasysh se qeveria e majtë ka vendosur që shumë ligje dhe vendime të qeverisë së mëparshme do t’i hedhë poshtë, mendoni se do ketë ndryshime edhe në marrëveshjet mes Shqipërisë dhe Greqisë, siç është, fjala vjen, marrëveshja për toponimet?
Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë zhvilluar në vijimësi bazuar në parime të fqinjësisë së mirë, të interesit të përbashkët, në funksion edhe të zhvillimit, sigurisë e stabilitetit në rajon, të cilat janë parime që i tejkalojnë dhe janë përtej ngjyrimeve politike partiake, në të dyja vendet. Parë në këtë këndvështrim, kemi besim se është interes i përbashkët zhvillimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve edhe përmes pasurimit të kuadrit ligjor ekzistues me marrëveshje të reja.
c. Marrëveshja e Detit është një nga pikat e hapura mes dy vendeve. Pritet të fillojnë bisedimet mes dy vendeve për zgjidhjen e këtij problemi?
Dialogu i intensifikuar politik, kontaktet e rregullta të nivelit politik dhe ekspert, janë shtrati në të cilin trajtohet gjithë tematika e spektrit dypalësh, përfshirë këtu edhe marrëveshjen e detit, e cila ndodhet në një fazë të caktuar shqyrtimi përmes kanaleve diplomatike dhe ekspertizës teknike përkatëse.
2. TOPONIMET-PASHAPORTAT BIOMETRIKE
a. Problemi i shkrimit të toponimeve greke në pasaportat biometrike shqiptare ishte një nga problemet më të mëdha që kanë hasur emigrantët shqiptarë gjatë viteve të fundit në Greqi. Mbas shumë vonesash, më në fund u dha zgjidhja e vetme, marrja e pasaportave të reja. Do donim të na informonit se si po ecën procedura e aplikimit?
Heqja e vizave dhe mundësia për të lëvizur lirshëm në zonën Shengen ishte një lehtësim i madh për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, edhe pajisja me pasaporta biometrike, si një dokument i vlerësuar nga vendet e komunitetit europian dhe mbarë bota. Problemi i toponimeve lindi si një specifikë greke, jo për arsye të ndonjë gabimi në dokumentin e udhëtimit, por me një prapavijë politike, që mbartet nga shqetësimi grek për çështje që tashmë janë hedhur për diskutim. E gjitha kjo u reflektua në masat shtrënguese të qeverisë greke, duke u nxjerrë pengesa fëmijëve të emigrantëve shqiptarë në kufi dhe kudo që ata paraqiteshin me këtë dokument në administratën greke. Qeveria shqiptare u vu përpara një dileme që kishte të bënte me interesin kombëtar dhe përditshmërinë e komunitetit shqiptar në Greqi. Me zgjidhjen e gjetur, që natyrisht mori kohën e nevojshme, u arrit të ruhej ekuilibri i duhur, dhe të bëhej e mundur krijimi i të gjitha lehtësive të nevojshme për lëvizjen e papenguar të shtetasve shqiptarë.
b. Cilat janë vështirësitë që po has Ambasada, si dhe Konsullatat, në procesin e aplikimit?
Ofrimi i mundësisë së aplikimit për pasaporta pranë shërbimeve tona konsullore, është vetëm në funksion të përmirësimit të shërbimeve për shtetasit shqiptarë. Vendosja e një afati për përdorimin e pasaportave të vjetra dhe një interpretim jo shumë i saktë i këtij vendimi, krijuan një dyndje në dyert e shërbimit konsullor në fundvitin e 2014-ës, shoqëruar edhe me probleme, si radhë, pritje, nervozizëm, vështirësuar edhe me faktin që shumica e aplikantëve ishin fëmijë. Kjo situatë tashmë është e tejkaluar dhe në momentin aktual kemi një ecuri normale të punës në shërbimet tona konsullore.
c. Shkrimi gabim i toponimeve është një gabim për të cilin nuk e kanë fajin emigrantët, por ishin ata që sërish paguan dëmin e pasaportave. Si e komentoni faktin që emigrantët shqiptarë në Greqi, thirren të paguajnë për herë të dytë, të paguajnë dëmin për një problem për të cilin s’kanë asnjë faj, por përkundrazi, është gabim i autoriteteve shqiptare që nxirrnin pasaporta me toponime të gabuara?
Vendimi për pasaportat e reja është një vendim i përbashkët mes Ministrisë së Brendshme, të Financave dhe asaj të Jashtme, zbatimi i së cilës bëhet përmes një marrëveshjeje kontraktuale me një firmë private. Për të lehtësuar shërbimin e aplikimeve për shtetasit shqiptarë, firma në fjalë ka hapur pika të aplikimit për pasaporta në disa nga kryeqytetet evropiane, pranë zyrave konsullore shqiptare, siç janë edhe këto në Athinë e Selanik, ku janë punësuar emigrantë shqiptarë, njohës të të dyja gjuhëve, shqip e greqisht.
d. Ditët e fundit, në një kanal televiziv shqiptar u publikua një video e marrë nga një kamera e fshehtë, ku shfaqet një punonjës i ambasadës duke kërkuar ryshfet për të mbaruar një punë në ambasadë. Edhe pse u morën masa kundër këtij personi me largimin e menjëhershëm nga puna, si besoni se do parandalohen fenomene të tilla, të cilat nuk është hera e parë që dëgjohen për ambasadën shqiptare në Greqi, dhe fundja fundit, prishin imazhin e vetë institucionit të Ambasadës?
Ambasada dhe Ministria e Jashtme e dënuan këtë akt dhe kanë reaguar menjëherë duke e larguar personin nga detyra. Nuk mendojmë se gjithçka merr fund këtu dhe se jemi imunë nga fenomene e akte të ngjashme, por duke vlerësuar ndihmën e komunitetit në evidentimin dhe denoncimin e çfarëdo veprimi abuzues me detyrën, kemi qenë dhe mbetemi të hapur për bashkëpunim në këtë drejtim. Përmes numrit të telefonit dhe adresës elektronike të vëna në dispozicion për këtë qëllim (tel 08000022 është në dispozicion të çdo qytetari pa pagesë), qytetarët mund të denoncojnë çdo rast të ngjashëm abuziv, por edhe të shprehin hapur pakënaqësitë që mund të kenë lidhur me nivelin e shërbimeve të cilat ofrohen nga konsullatat apo përfaqësitë tona diplomatike. Lufta kundër fenomeneve negative, që e kanë cenuar jo pak këtë shërbim në të kaluarën, mund të bëhet efektive vetëm me mbështetjen e të gjithë qytetarëve, medias dhe gjithkujt që mund të kontribuojë në këtë drejtim. Kemi bindjen dhe vullnetin e patundur për ta shndërruar aktivitetin konsullor në një shërbim model për qytetarët tanë.
3. KOMUNITETI SHQIPTAR NË GREQI
a. Komuniteti Shqiptar në Greqi është më i madhi i të gjithë emigrantëve, dhe përbën rreth 67% të emigrantëve që ndodhen në Greqi. Çdo gjë që ka bërë komuniteti shqiptar këtu e ka bërë me mundësitë e veta, siç ishte p.sh. hapja e një qendre kulturore, hapja e disa shkollave të gjuhës shqipe etj. Nga ana e shtetit shqiptar, nga ana e Ambasadës shqiptare, çfarë përpjekjesh janë bërë për t’i ndihmuar sadopak këto përpjekje të komunitetit shqiptar?
Shqipëria është një vend që ka kaluar e po kalon periudha me vështirësi ekonomike, duke u përballur me probleme të tilla siç janë mungesa e energjisë, e ngrohjes, e kushteve të nevojshme në shkolla dhe shërbime shëndetësore etj. Fenomeni i një numri të lartë të shtetasve shqiptarë në emigracion dëshmon pikërisht këtë anë të realitetit shqiptar. Në këto kushte, shteti i ka të kufizuara mundësitë për t’iu përgjigjur nevojave legjitime të shtetasve jashtë kufijve, jo vetëm në Greqi por kudo në botë.
Gjithsesi, problematika e emigracionit ka qenë e mbetet në prioritetet e qeverisë dhe politikës së saj të jashtme, veçanërisht në kuadrin dypalësh me fqinjin e saj Greqinë, ku aktualisht ndodhet edhe përqindja më e madhe e komunitetit shqiptar të emigruar. Sigurimi i një legjislacioni sa më të plotë, në funksion të realizimit të procesit të legalizimit të komunitetit shqiptar që jeton e punon prej vitesh në Greqi, negocimi me autoritetet greke dhe sigurimi i mbështetjes për krijimin e kushteve për procesin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe pranë shkollave publike greke, realizimi i marrëveshjeve dypalëshe lidhur me një sërë çështjesh që preokupojnë këtë komunitet, janë fokus i axhendës së bashkëpunimit në të gjitha nivelet, dhe në këtë kuadër prioritet i aktivitetit të përditshëm të Përfaqësisë sonë.
b. Shkollat e mësimit të gjuhës shqipe, janë një nga përpjekjet më fisnike që po bëjnë emigrantët shqiptarë në Greqi. Në vizitën e fundit të ish-ministrit të Arsimit të Greqisë, z.Loverdhos, përveç korrigjimit të testeve shkollore u ra dakord fillimi i diskutimeve për hapjen e shkollave shqipe këtu në Greqi. Mundeni të na jepni më shumë detaje rreth kësaj teme, sepse nëse realizohet do jetë me të vërtetë një hap shumë i madh në ndihmë të komunitetit tonë në Greqi.
Siç e përmenda dhe më lart, mësimi i gjuhës amtare është një pjesë e rëndësishme e axhendës së aktivitetit të Përfaqësisë, si pjesë e një misioni fisnik që ua kemi detyrim brezave, që nëpërmjet gjuhës shqipe të krijohet mundësia për transmetimin e kulturës, zakoneve, traditave e vlerave tona historike. Realizimi i një marrëveshjeje dypalëshe bashkëpunimi në fushën e kulturës dhe arsimit, ka në fokus të saj krijimin e gjithë lehtësirave të nevojshme për të siguruar një proces profesional të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, pranë shkollave publike greke. Deri tani nuk është arritur nënshkrimi i kësaj marrëveshje. Kjo, pas insistimit të palës sonë, për të pasur një marrëveshje me një kuadër sa më të plotë, në funksion të këtij qëllimi. Kjo temë është trajtuar gjerësisht gjatë bisedimeve që janë zhvilluar mes ministrave të fushave përkatëse përgjatë vitit 2014, si gjatë vizitës së ministres sonë të Arsimit, znj. Nikolla në Athinë, po ashtu edhe gjatë vizitës së ministrit Loverdhos në Tiranë.
Gjithsesi, përmes një bashkëpunimi me Lidhjen e Mësuesve, me strukturat e komunitetit shqiptar në Greqi dhe si rezultat i punës së palodhur të mësueseve vullnetare të gjuhës shqipe, evidentohet shtimi nga dita në ditë i numrit të klasave të mësimit të gjuhës shqipe, me një shtrirje gjeografike, pothuajse në gjithë territorin grek. Sigurisht që kjo është realizuar në shumicën e rasteve edhe me mbështetjen e autoriteteve greke, kryesisht atyre lokale, të cilat gjej rastin t’i falënderoj.
c. Dispononi të dhëna se sa është numri i saktë i emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe sa janë ata që janë kthyer nga Greqia në Shqipëri për shkak të krizës ekonomike?
Bazuar në një deklaratë të disa ditëve më parë të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme greke, Angjelos Sirigos, rezulton se autoritetet greke nuk kanë të dhëna të sakta mbi numrin e komuniteteve të shtetasve të huaj në Greqi, veçanërisht në rastin e shtetasve shqiptarë që evidentohen për lëvizje të shpeshta, në funksion të punëve sezonale.
Lidhur me komunitetin shqiptar, të dhënat e Ministrisë së Brendshme greke japin një shifër prej 380 mijë shtetas shqiptarë me lejeqëndrimi në Greqi (për arsye pune, studimi, bashkimi familjar etj.), pa përfshirë këtu shtetasit shqiptarë me kombësi greke. Nga ana tjetër, gjatë 3-4 viteve të fundit, bëhet fjalë për një largim, si pasojë e situatës së krizës, të rreth 180 000 shtetasve shqiptarë nga Greqia, për në atdhe apo destinacione të tjera; nga Ministria e Brendshme konfirmohet se vetëm përgjatë vitit 2014 janë deportuar rreth 16 000 shqiptarë pa dokumente.
4. DOKUMENTE-LEGALIZIME
a. Problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi janë të shumta, por 2 janë çështjet për të cilat duhet marrëveshje mes dy shteteve. Njëri është problemi i njohjeve të pensioneve, një procedurë që qeveria shqiptare e ka nisur me shumë vende të BE-së. Ka filluar një diskutim i tillë për pensionet e emigrantëve shqiptarë në Greqi, dhe nëse jo, kur mendoni se do fillojnë? Dhe problemi i dytë është ai i patentave shqiptare, që nuk njihen në Greqi, dhe janë me mijëra shqiptarë që janë gjobitur. Do ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim?
Siç edhe e theksova më parë, plotësimi dhe pasurimi i bazës ligjore të bashkëpunimit dypalësh, është një proces në vijueshmëri. Në këtë kuadër, pjesë e rëndësishme mbetet realizimi i marrëveshjeve dypalëshe lidhur me një sërë çështjesh që preokupojnë shtetasit shqiptarë në Greqi, në funksion të lehtësimit të së përditshmes së tyre. Për sa u përket dy marrëveshjeve që ju përmendni, dua të vë në dukje se ato janë pjesë e axhendës dypalëshe prej kohësh, në kuadër të komisioneve dypalëshe të transportit dhe sigurimeve shoqërore. Por këto dy problematika duhen parë edhe në një kontekst më të gjerë, që lidhet si me specifikën e kuadrit ligjor vendas dhe në raport me atë të BE-së, ashtu edhe me situatën e zgjatur të krizës dhe vështirësive ekonomike që po kalon Greqia, çka kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e procesit të realizimit të këtyre marrëveshjeve. Do të doja të evidentoja gjithashtu në përgjigje të kësaj pyetjeje, se zgjidhja e çështjes së toponimeve, regjistrimi online i popullsisë, dixhitalizimi i dokumentacionit për shtetasit tanë dhe përmirësimi me masa të reja sigurie i pasaportave të reja biometrike, të gjitha këto krijojnë një bazë të shëndoshë juridike, por edhe besimi te pala greke, për të avancuar në proceset për lëshimin e dokumenteve, duke filluar me njohjen e vulës apostile, patentat e deri te pensionet.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: