Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, në emisionin ‘Log.’ të gazetarit Endri Xhafo në News24 theksoi se i gjithë debati që ka lindur për mandatin e saj bën fjalë për disa muaj, dhe jo për vite.
Gazetari Xhafo e pyeti nëse kjo situatë është pasojë e vendimit për mandatin e deputetes Olta Xhaçkaj, ndërsa Zaçaj tha se nuk besonte se kjo situatë ka lidhje me ato të gjykuara dhe trajtuara nga Gjykata Kushtetuese.
Por gazetari Xhafo solli në vëmendje mandatin e Xhaçkës, opinionin e Komisionit të Venecias dhe qëndrimin e mazhorancës për të mos e kaluar në Kushtetuese çështjen, ndërsa Zaçaj tha se “vendimet e Gjykatës Kushteuese janë përfundimtare. Për të zbatuar një vendim të Kushtetueses asnjë institucion nuk mund të vendosë pikëpyetje, qoftë edhe duke iu drejtuar Venecias. Qëndrimin tonë e kemi mbajtur, kemi dy vendime. Vendimet e Kushtetueses nuk vihen në diskutim”.
Zaçaj u shpreh se asnjë palë, qoftë edhe Kuvendi, nuk mund ti drejtohet një institucioni tjetër, qoftë edhe Venecias, për ta pyetur a duhet të zbatoj vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Gazetari Xhafo e pyeti kryetaren e Gjykatës Kushtetuese nëse ka komunikuar ose jo me ambasadorët, ndërsa Zaçaj tha se për mandatin e saj nuk ka komunikuar me ambasadorët.
“Krizat ose mosmarrëveshjet që mund të krijohen vijnë ndonjëherë sepse nuk i referohemi ligjit. Nuk mendoj se Gjykata Kushteuese ka nevojë për arbitra që nuk i parashikon ligji”, tha Zaçaj.